Rama: Administrata, në fushatë pas pune
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot, gjatë një takimi elektoral, për urdhrat e ministrave teknikë të qeverisë së tij për të mos marrë pjesë në asnjë aktivitet elektoral të partive politike.
Edi Rama ka shpjeguar se mësuesit dhe drejtorët mund të bëjnë çfarë të duan, qoftë edhe të përfshihen në fushatë por pas orarit të punës. Në të kundërt, paralajmëroi kryeministri, kush shfrytëzon zyrën për fushatë do të shkojë në burg.
“Njerëzit që punojnë në shtet qoftë edhe njerëz civilë, pas orarit të punës kanë të drejtë të bëjnë atë që duan si qytetarë për zgjedhjet. Mësuesit dhe drejtorët kanë të drejtë që pas orarit të mësimit të shkojnë në fushatë, nuk mund ta kthejmë këtë histori tani dolën fotot filani me këtë apo atë. Nuk po them në orar pune, por pas pune kanë të drejtë të bëjnë çfarë të duan. Kush shfrytëzon zyrën për fushatë, normale që do të shkojë në burg”,- tha Rama.
Por ndërkohë Ministria e Financave, përmes një deklarate për mediat bën të ditur se i ka kërkuar Prokurorisë procedimin penal të Kliton Bistrit, inspektor të hetimit tatimor, me atributet e oficerit të policisë gjyqësore, sepse në kundërshtim me ligjin në fuqi dhe udhëzimin e kryeministrit, ka marrë pjesë në aktivitetet partiake gjatë fushatës dhe më 29 maj ka urdhëruar shkarkimin e tij.
Por pavarësisht urdhrit, “Top Channel” mësoi se Bistri ende vijon në detyrë pasi burime nga tatimet thanë se urdhri është i paligjshëm. Nisur nga ky rast, Ministria e Financave i kërkon të gjithë punonjësve të institucioneve të varësisë që të zbatojnë me përpikmëri detyrat e tyre ndërsa ka vënë në dispozicion një numër telefoni, ku çdo qytetar të mund të denoncojë rastet e përfshirjes së administratës në aktivitetet partiake.
Po ashtu edhe Ministria e Arsimit dhe Sportit ka nisur verifikime për rastet kur drejtues të institucioneve arsimore apo punonjës të sistemit arsimor, janë raportuar sit ë angazhuar në fushatë elektorale.
Ministria e Arsimit do të intensifikojë më tej monitorimin e të gjithë procesit arsimor. Dukshëm kjo çështje ka sjellë përplasje të forta mes institucioneve dhe drejtuesve teknikë të Partisë Demokratike dhe qeverisë e stafeve socialist të ish ministrave të tyre./TCh/