Rama: Asgjë veç drejtësisë nuk e mbyll 21 janarin!
“Asgjë veç drejtësisë nuk e mbyll 21 janarin!”. Një shprehje të tillë, kryeministri Edi Rama e ka lançuar në kuadrin e përvjetorit të katërt të vrasjeve të katër qytetarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Teksa së bashku me familjarë të të rënëve, ministra, deputetë dhe qytetarë kreu homazhe atje ku ata kanë rënë, pikërisht në qendër të kryeqytetit, para dyerve të Kryeministrisë. Lule, lot dhe dhimbje i shoqëruan të gjithë ata, teksa përkujtuan pikërisht ato momente të katër viteve më parë në vendin ku sot memorialet janë gjurmë të pashlyeshme të një historie që pret drejtësi. “Koha për të lëvizur me një alternativë të re kërkimi të drejtësisë,” ka shkruar Kryeministri teksa priste në selinë e qeverisë familjarët e të katër të rënëve në 21 janar 2011. Ndërsa të gjithë bashkë, familjarë të Ziverit, Hekuranit, Aleksit e Faikut vendosën karafila të kuq në pllakatet përkujtimore. Ndërkaq, kryeministri Rama priti në mjediset e Kryeministrisë edhe një grup të familjarëve të viktimave të 21 Janarit.
QËNDRIMI
Reagon ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin
Felaj: Shteti, përgjegjësi të plotë për katër vrasjet
“Katër vjet më pas, drejtësia për 21 Janarin ende mungon. Drejtësinë e kërkojnë jo vetëm familjarët e Ziverit, Hekuranit, Aleksit dhe Faikut, por e kërkon çdo shqiptar që katër vjet më parë ishte dëshmitar i krimit shtetëror që mori jetën e katër qytetarëve të pafajshëm, në Bulevardin qendror të Tiranës.
Kush mendon sot se krimi i 21 Janarit është një çështje e mbyllur, që thjesht mund të endet në kalendat e drejtësisë shqiptare, gabon. Gabon rëndë”. Me një qëndrim të tillë, ka reaguar dje publikisht rreth kësaj ngjarjeje të rëndë, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj. Sipas saj, 21 Janarin kjo qeveri nuk e ka harruar dhe nuk ka për ta harruar deri sa të vendoset drejtësi e plotë. Pasi 21 Janarin nuk e harron dot sipas saj, asnjë shqiptar. “Nëse krimi shtetëror që mori jetën e katër qytetarëve të pafajshëm po vonon të zbardhet nga drejtësia, ne, pasi kanë kaluar plot katër vjet, i bëjmë thirrje drejtësisë të veprojë. Por nëse drejtësia do të vazhdojë ta vonojë drejtësinë që 21 Janari meriton, shqiptarët të jenë të sigurt se një mekanizëm alternativ do ta vendosë në shinat e duhura drejtësinë shqiptare sa i takon kësaj çështje”, tha gjithashtu ajo. Duke përfunduar se qeveria shqiptare dje ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm, për të pajisur me pension të veçantë familjarët e të vrarëve të 21 Janarit. “Ky është hapi i parë ligjor përmes të cilit shteti shqiptar merr përsipër përgjegjësinë e plotë për vrasjen e katër qytetarëve shqiptarë, në bulevardin kryesor të Tiranës. Por ky është vetëm hapi i parë drejt një drejtësie të plotë që duhet të nxjerrë përpara ligjit urdhëruesit dhe ekzekutuesit e katër vrasjeve, me radhë, një e nga një”, përfundoi Felaj.