Rama: Ballkani në rrezik nga ekstremizmi, BE ta shpëtojë

Gjatë vizitës së Kryeministrit Edi Rama në Bukuresht, u prezantua për publikun rumun libri “Kurban”, i përkthyer në rumanisht. Ceremonia e promovimit u zhvillua në praninë e Kryeministrit Victor Ponta dhe personaliteteve rumune të fushës së letrave. Krahas përmbajtjes së librit, interesi i audiencës u përqendrua në pikëpamjet e Kryeministrit mbi çështje të aktualitetit rajonal si bashkëjetesa fetare dhe sfidat e të ardhmes së përbashkët në Ballkan. Kryeministri foli për rastin e shqiptarëve në Ballkan si shembulli më i mirë i bashkëjetesës fetare. Ndërsa e përcaktoi përshkallëzimin e radikalizmit islamik në zona ku është shfaqur i ashtuquajturi Shteti Islamik si kërcënimin më serioz, Kryeministri nënvizoi se përshpejtimi i integrimit europian i vendeve të rajonit  është përgjigja e duhur ndaj tij. “Sfida jonë ka qenë dhe mbetet që ta jetojmë këtë realitet jo si një problem, por si një mundësi për të bashkëjetuar me të tjerët, pa i ndjerë kufijtë si pengesë. Prandaj, unë jam shumë i shqetësuar dhe ne jemi shumë të shqetësuar nga ajo që po ndodh në zonat ku është shfaqur i ashtuquajturi Shteti Islamik, që përfaqëson një përshkallëzim ekstrem të radikalizmit islam”,- tha Rama. Ai tha se nëse ekstremizmi do të gjente rrugë për tu kthyer në nacionalizëm fetar, ky do të ishte fundi i atyre që kemi ndërtuar deri më sot. “Sepse, nëse, largqoftë, ekstremizmi islam do të gjente rrugë për t’u kthyer në një nacionalizëm fetar në formën e një lëvizjeje brenda Ballkanit, do të ishte fundi i kësaj që kemi sot. Islami radikal e gjen më të lehtë që të penetrojë në territorin psikologjik të frustracionit nga hezitimi i BE për të vepruar me shpejtësi dhe për të na tërhequr më shpejt brenda. Radikalizmi islam vepron pikërisht në këtë territor, duke përçuar idenë se Europa nuk është rruga jonë, pasi Europa është një klub kristian dhe për këtë arsye Europa është hezituese ndaj nesh,”- u shpreh Kryeministri. Nëse sot rajoni është në paqe, përfundoi Kryeministri, kjo sepse të gjithë janë të tërhequr nga ëndrra e Europës.

Kryeministri Edi Rama u nderua dje me titullin Doctor Honoris Causa nga Akademia e Arteve të Bukureshtit.

“BE, një projekt që nuk duhet rrezikuar”

Kryeministri Edi Rama u nderua dje me titullin Doctor Honoris Causa nga Akademia e Arteve të Bukureshtit. Kryeministri Rama e cilësoi këtë vlerësim si një ngjarje e veçantë. Gjatë fjalës së tij, Rama vuri theksin në rritjen e ekstremizmit dhe rrezikun që i vjen Europës nga ky fenomen. “Si Kryeministër, udhëtoj shumë. Kam vizituar shumë vende europiane. Dhe ndonjëherë është e çuditshme të vizitosh fuqitë e mëdha europiane, p.sh. Francën dhe Anglinë, dhe të dëgjosh kaq shumë ankesa për Europën, deri aty sa njerëzit duan ta braktisin Bashkimin Europian. Dhe ndonjëherë, më kujtojnë se është më e lehtë të shohësh se çfarë ndodh brenda një vendi nëse rri mbrapa dhe mundohesh të shikosh nga jashtë. Kur vizitoj këto dhe vende të tjera ku po rritet euroskepticizmi si pasojë e emigracionit, e shqetësimit për standardet e jetesës, ose për shkak të një ndjesie të qenit i pafuqishëm përballe presionit të globalizimit, unë them ndaloni dhe shikoni, jo vetëm atë që duket, por shikoni se nga vini”,- tha Rama. Ai tha se Europa e bashkuar është një projekt që nuk duhet rrezikuar. “Shikoni sesa larg keni mbërritur. Europa, një kontinent që më shumë se kushdo tjetër mban plagët e luftës. Një kontinent ku vendet u bashkuan pas Luftës së Dytë Botërore, ka parë begati dhe paqe. Ndaj, mos e rrezikoni atë. Është një shprehje që thotë se nëse do të shohësh sa i mirë është një vend, shiko sesa njerëz do të ketë brenda vetes. Në këtë masë Europa duhet të kuptojë sesa e suksesshme është”,- tha Rama.

Për Kryeministrin Rama, sfidat e sotme janë globale dhe si të tilla nuk mund të përballohen vetëm nga një vend. Ato prekin të gjithë dhe kërkojnë që secili të luajë rolin e tij. “Sigurisht, popullsia që rritet për shkak të imigracionit sjell me vete probleme, por këto probleme mund të adresohen. Dhe në një botë të globalizuar, janë pak problemet që mund të adresohen nga një vend i vetëm. Shikoni sfidat e mëdha që duhet të përballojnë udhëheqësit e botës sot. Mund të përballohet sfida klimatike nga një vend i vetëm, edhe pse ky vend është i fuqishëm, siç janë për shembull SHBA-të ose Kina? Në asnjë mënyrë. Tensionet e krijuara nga Vladimir Putin dhe politika e jashtme agresive e tij, a ndalojnë ato ne kufi? Në asnjë mënyrë. Këto janë probleme që na prekin të gjithëve dhe të gjithë ne duhet të luajmë rolin që mundemi për të punuar për paqen dhe jo konfliktin, begatinë dhe drejtësinë dhe jo varfërinë dhe pabarazinë, qëndrueshmërinë dhe jo shkatërrimin e planetit tonë”.

Kryeministri ritheksoi se BE është qëllimi dhe destinacioni i Shqipërisë. Jo vetëm për të ardhmen e vendit, por edhe si bashkim forcash për të mirën e përbashkët në hapësirën europiane, ku askush nuk humbet identitetin e tij. “Për Shqipërinë dhe rajonin unë e shikoj Bashkimin Europian të domosdoshëm për të përballuar këto sfida. Edhe se nuk jemi akoma pjesë e tij, ne kemi mundur të bëjmë progres dhe të sjellim ndryshime të nevojshme për të mbërritur aty. Dhe vazhdojmë ta bëjmë këtë. Mendoni për forcat që kanë frikësuar Europën, nacionalizmi, terrorizmi, racizmi, ksenofobia”,- tha ai. Kryeministri tha se këto fenomene mund të luftohen së bashku. “Ne mund t’i luftojmë ata, sëbasku mund të krijojmë hapësirën për një shumëllojshmëri kulturash, besimesh dhe identitetesh që jetojnë krah për krah. Shumëllojshmërinë e kombeve, grupeve etnike feve, kulturave dhe besimesh e bëjnë Europën Juglindore një vend të veçantë. Dhe nëse ne arrijmë të kemi harmoni dhe begati brenda kësaj shumëllojshmërie, do i gëzohemi sëbashku suksesit të një përpjekjeje të rëndësishme europiane”,- tha Rama. Ai tha se vendet e Ballkanit vazhdojnë të udhëhiqen nga qëllimi për t’iu bashkuar një organizate në të cilën jemi të gjithë më të fortë dhe më të fuqishëm si rezultat i nxjerrjes së forcës sonë për të mirën e përbashkët. “Asnjeri prej nesh nuk e humbet identitetin duke bërë kështu. Unë nuk do jem më pak shqiptar ose ju me pak rumune. Ashtu sikurse asnjë gjerman nuk do jetë më pak gjerman dhe një spanjoll më pak spanjoll. Por identiteti nuk është aq i thjeshtë siç ishte dikur. Unë do jem gjithnjë një shqiptar krenar, por do jem edhe më shumë krenar si shqiptar nëse një ditë vendi im do të shihet i përshtatshëm për t’iu bashkuar familjes së madhe eruopiane dhe të punojmë me anëtarët e saj për të përballuar këto sfida të mëdha globale. Kjo është një dite e mirë për mua për të reflektuar mbi këtë shkallë të vizionit. Kur isha i vogël, por edhe kur u rrita, kjo ishte e paimagjinueshme. Por ndryshimi mund të ndodhë. Ndryshimi ndodh, dhe ndryshimi ndodhi””,- tha Rama.

SHKARKO APP