Rama: Basha ka filluar të sekëlldiset nga ndërhyrjet e atij që është zgjedhur President

Kryeministri Edi Rama nga qyteti i Shkodrës sot në mbrëmje bëri thirrje për të votuar Partinë Socialiste nëse qytetarët duan që të vazhdohet të ndërtohet shteti, themelet e të cilit sipas tij janë ngritur këto 4 vite.

Ai tha se ishte impresionuar sidomos këtë herë nga kjo vizitë në Shkodër pasi kishte shtrënguar duart me disa demokratë që prej vitesh kishin votuar PD-në por më 25 qershor do të votonin Partinë Socialiste, si e vetmja që bën shtet.

Kreu i qeverisë nuk la pa ngacmuar kundërshtarët e tij politikë, Lulzim Basha dhe Ilir Meta, duke thënë se kreu demokrat ka filluar të sekëlldiset nga ndërhyrjet e pajustifikueshme të atij që është Presidenti i zgjedhur i Shqipërisë.

“Shtrëngova duart me disa demokratë që prej vitesh kanë votuar PD-në dhe më 25 qershor janë bashkuar me ne jo për t’u bërë socialistë por për ta ngritur në lartësinë e duhur flamurin e Shqipërisë, jo për të ndryshuar bindjet e tyre, por për të ndryshuar Shqipërinë për ta bërë shtet me punë e mirëqënie. Sot në parlament përfundoi përpjekja e madhe e gjatë, e vështirë, në dukje e pamundur, procesi i Vettingut. Sot u provua se ne jemi të vetmit që themi atë që bëjmë, e bëjmë atë që themi. Vetëm ne kemi vizion evropian për ta ndarë përfundimisht Shqipërinë nga politika e baltës.

Më 25 qershor ose do kthehemi mbrapsht ose do ecim para. Më vjen keq që me një marrëveshje historike për t’i dhënë fund një konflikti të nxitur nga PD, duke e nxjerrë PD-në dhe Lulin nga çadra ku ishin futur nga frika e drejtësisë, Luli ka filluar të sekëlldiset nga ndërhyrjet e pajustifikueshme të atij që është Presidenti i zgjedhur i Shqipërisë. Ne nuk kemi asnjë minutë për të humbur në këtë fushatë duke u marrë me njëri-tjetrin.

Kjo është fushatë që PS do e bëjë deri në fund për shqiptarët e zakonshëm.  Ata nuk bënë dot shtet deri para 44 muajsh, dhe lanë të kuptohet që ky shtet nuk bëhet, por ne provuam të kundërtëtën. Imagjinoni ça thotë Luli që do t’i ushqej unë fëmijët tuaj falas, do me thënë prindërit mjafton të votojnë PD-në e Lulit e të mos shqetësohen për fëmijët se i ushqen ai,” tha Rama.

SHKARKO APP