Rama dhe Basha në ‘Big Brother’

Nga Ilir Levonja/Ka pak orë që përmes ambasadorit të saj Amerika u foli shqiptarëve. Po e theksoj, shqiptarëve. Një pjesë e vendosmërisë së saj vijon si më poshtë: ”Eshtë koha t’i dilni zot vendit shqiptarë. E sfidoj kryeministrin dhe kreun e opozitës që të takohen ballë për ballë të hënën dhe të premtojnë publikisht se nuk do të largohen nga salla e takimit deri sa të kenë një zgjidhje për çështjen e fundit të kësaj reforme. Le të shohim se kush është me të vërtetë në favor të mbështetjes së një kompromisi. Kjo do ta zgjidhë problemin në njërën prej dy mënyrave. Ata ose do të gjejnë një zgjidhje që mund të mbështetet si nga qeveria, ashtu edhe nga opozita. Ose, mund të mbyllen brenda asaj salle takimi së bashku, përjetë”…

Mirë do bëjnë të mbyllen, në fund të fundit Big Brother program vazhdon. Le t’i shikojmë se si nënqeshin. Si kërruajnë hundët etj,

Apo kushdreqin e di se deri ku do u shkojnë nepset.

Megjithatë dikush më pyet se përse ambasadori u drejtohet shqiptarëve?

Përse shqiptarëve?

Sepse është ajo që ne aq për zor e kemi ta pranojmë, qofshim të majtë apo të djathtë, se, liderët aktualë kanë kohë që po dështojnë.

Kjo për të vetmen arsye, ata janë një brez plot mëkatarësh dhe kërkund se e gjen një shenjtor.

Aleanca që kërkon ambasadori Lu me shqiptarët, me qytetarët, nuk është e rastit. Nuk është thirrje në ajër. Por e gjetur përmes ndishmërisë midis njerëzve nga e përditshmja dhe klasës në pushtet. E vërteta është se një indinjatë e madhe popullore fle gjithandej. E kapur rob nga përfundimi se kujt t’ia jap votën. Si ky, si ai, njësoj janë. Kjo është e gjitha.

1) E kisha ndjerë prej kohësh se në vendin tim ka një faktor antiamerikan. Një shpurë njerëzish që kanë çimentuar pushtetin. Ata në korridore ministrish, gjykatash, ambasadash, zyra shtypi dhe shoqatash që vdesin për të marrë fonde nga të mundin.

Edhe prej Amerikës vetë. Sidomos me këto programet e reformave apo zgjedhjeve. Webet shqiptare i trumbetojnë me të madhe si fonde për zhvillim, prej Amerikës apo DASH-it siç edhe ua ka ënda ta thonë shpesh.

Sot u vertetua plotësisht. Një tërësi emrash nga këto reparte të shtetit ushtarak shqiptar, theksojnë se pse duhet t’i bindemi Amerikës. Pse nuk i kthejmë reston siç edhe ia bëm më 2013 me armët kimike etj.

E para, Amerika nuk ka vendosur. Nuk ka thënë do ta bëni kështu apo ashtu. Ka sugjeruar…, kjo në kuadër të mestarit. Të atij që e kemi të pamundur të bëjmë ne shqiptarët. Gjithmonë na duhet një i tretë. Qoftë ky, irlandez, gjerman, apo hollandez etj.

E dyta, situata me armët kimike nuk është afërmendsh e krahasueshme me situatën aktuale. Nuk mund t’i themi politikës thuaj jo, si me armët. Pasi atëhere, jo, tha populli. Të ishte për politikën ato garrupe të paketuara mbetjesh kimike, do ishin groposur me kohë midis Skraparit, Gramshit apo Oparit. Madje honorari i përftuar do i shërbente faqezinjëve shqiptarë si argument për zhvillimin ekonomik të vendit.

Këtu ai që duhet dhe po i thotë popullit të thojë jo, është ambasadori. Dhe jo për karshillëk, por ato argumente që vet ai i përmend në fjalët e pakmëparshme drejtuar qytetarëve…, kur shprehet kështu: ”Disa muaj më parë kam pyetur se kush ka më shumë frikë nga kjo reformë? Krerët e krimit të organizuar? Gjyqtarët e korruptuar? Apo politikanët kriminelë? Sot, përgjigja është e qartë. Të gjithë ata kanë frikë dhe të gjithë po e luftojnë.”

Pra jo Edi Ramës, por shqiptarëve u takon e drejta të thonë jo. Jo më me Edi Ramën, Ilir Metën, Lulzim Bashën e me radhë.

Pasi u ka u humbur e drejta të vendosin për ardhmërinë e shqiptarëve.

2) E gjitha i ngjan tashmë një kazani që vlon.

Madje koha dëshmoi se Shqipëria ka nevojë për ndryshime të forta deri në Kushtetutën e vendit. Rendi parësor duhet të fillojë me pozitat, pozicion apo rëndësinë që ka presidenti. Nëse duam të kemi një të tillë. Privilegji i liderëve politikë në zgjedhjen e personit që në në librin thelmetar të shtetit, e konsiderojmë si unifikues të shqiptarëve. Ka rezultuar deri sot, si objekti i humorit të estradave

në kohën kur ndërtonim socializmin. Madje ka sjellur ngërçe dhe shpenzime energjish të kota, duke u dhënë shqiptarëve asnjëherë atë që meritojnë. Atë që duhet ta zgjidhnin vetë, por një rastësor dominosh nga lulishtet e rjepura, siç ishte rasti i Aleksandër Moisiut.

Ose ose, militantë partish sa majtas djathtas, që të gjitha i kanë arritur, vetëm respektin e presidentit asesi.

Ja përse sot ka konflikte garipash midis ministrash dhe presidentësh. Deklarata palësh për të drejta demode.

Të gjitha mund të ekzistojnë. Të gjithë këta mund të kenë të drejtë.

Veçse shqiptarët nuk kanë presidentin e duhur.

Apo institucionin themeltar për të cilin paguajnë me gjakun e tyre,

flluskën prej sapuni të unitetit kushtetues.

3) Kush, atëhere, e ka të drejtën të negociojë? Të zgjedhi dhe të vendosë për ardhmërinë e vet. Ndërkohë që dy, tre apo katër njerëz. Ca me atlete, ca me pak bark apo qafa të rrudhura nga dhjami. Ca me tre celularë, me dieta, rroga të majme…, me shtëpi me shumicë. Me thinja dështimesh por të mbarështruara nga ekzistenca treçerekshekullore e venduesit. Të atij që kurrë nuk bie nga kali deri sa ta tërheqin zvarrë. Kujt pra i bie për pjesë të negociojë. Padyshim qytetarit. Ndaj dhe Amerika me atë po komunikon. Dëgjojeni dhe i dilni zot fatit tuaj…, ose bëhuni spektatorë të përjetshëm të djemve në dhomat e Big Brother Albania.

SHKARKO APP