Rama: Do të ndërtojmë 2 kampuse të reja universitare, si dhe një kompleks rezidencial studentor
Kryeministri Edi Rama në tryezën me 40 rektorët e universiteteve publike dhe private, tha se do të ngrihet një grup pune për të konstatuar dhe hartuar ndryshimet e nevojshme, me synimin që baza e tyre të përfundojë brenda këtij sesioni parlamentar.
Kryeministri njoftoi gjithashtu ngritjen e kampusit të madh të Tiranës dhe hapjen e procesit për kampusin e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Për kampusin e Durrësit, Rama tha se ka pasur interes nga 40 studio ndërkombëtare. Projekti parashikon edhe ndërtimin e një kompleksi rezidencial studentor.
”Jemi akoma larg përmbushjes së kushteve infrastrukturore të nevojshme për të përballuar sfidat dhe nevojat. Kemi dy kampuse përpara, kampusin e madh të Tiranës dhe kemi hapur procesin për kampusin e Universitetit Aleksandër Moisiu. Kemi patur një interes nga 40 studio ndërkombëtare. Ka potencial për të krijuar edhe infrastrukturë qëndrimi, rezidence të studentëve, duke pas parasysh trenin që do të jetë në funksion së shpejti, do të jetë e thjeshtë që studentët në Tiranë të kenë mundësi të strehohen në kampusin e Durrësit he për këtë do ndërtojmë një kompleks studentor rezidencial që të ndihmojmë në zgjidhjen e një problemi të madh që kanë studentët për çmimet e larta të qirave. Jemi në një moment të ri ndryshimi për Arsimin e Lartë”,-tha Rama.
Rama theksoi se universitetet shqiptare duhet të përballen me dy sfida kryesore: Ndërkombëtarizimi i universiteteve dhe racionalizimi i burimeve dhe potencialeve. Ai vuri në dukje se Universiteti i Tiranës dhe disa institucione të tjera kanë rritur kapacitetin e tyre financiar jashtë buxhetit të shtetit, duke përfituar nga fondet europiane dhe duke krijuar projekte e partneritete ndërkombëtare.
KOHA JONË SONDAZH
A të drejtë Trumpi për Groenlandën?
Results
Vota totale: 12199

