Rama jep 600 tapi në “Don Bosko”: Qytetarët peng 20 vjet për 1 letër!

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kreu i ALUIZNI-t Artan Lame dhe Ministrja e Turizmit Eglantina Gjermeni ka shpërndarë 600 leje legalizimi në zonën e “Don Boskos” në Tiranë. Në fjalën e tij Kryeministri Rama tha se tashmë nga dhënia e 600 lejeve legalizimi, merr fund mundimi i këtyre 1500 familjeve për 20 vjet që sipas tij janë gënjyer gjatë këtyre viteve dhe kanë mbetur peng të një copë letre. Lejet e legalizimit të dhënat ditën e sotme, ka të bëjë me pallatet “Hawai” në këtë zonë, ku siç nënvizoi Rama ky është një problem që do të vijojë të marrë zgjidhje nga mazhoranca. “Besoj se kjo është një ditë e shënuar për familjet tuaja pasi këtu ka familje që këtë cipë letër, që është titulli i pronësisë, e presin prej 20 vjetësh. Ka 20 vjet që ka filluar ndërtimi i kullave të famshme, dhe sot janë 600 leje legalizimi, që janë automatikisht të vlefshme për hipotekimin e apartamenteve dhe njësive të shërbimit në këtë zonë, për të cilat prej 20 vjetësh ju e prisni. Në këtë proces, sot 600 familje marrin lejet e legalizimit, por janë 1500 familje që përfitojnë, sepse e njëjta metodologji është ndjekur për 14 kulla në Tiranë dhe 4 në Durrës.” u shpreh Rama. Sipas tij, edhe kryetari i bashkisë Lulzim Basha, ishte një nga ata që premtoi se do të jepte lejene e legalizimit, por që pas marrjes së mandatit, kjo mbeti vetëm një premtim i pambajtur. Rama theksoi se ndihet krenar që po mban fjalën e dhënë përpara banorëve të kësaj zone, dhe ku pas 18 muajsh u jepet leja e legalizimit falas.  "Ju besoj i mbani mend të gjitha, por dua të ju sjell në vëmendje se çfarë ju thoshte dikush që më pas u bë si u bë por u bë kryetar bashkie para 4 vitesh. Ju thoshte sa të bëhet kryetar bashkie ju do të merrni në dorë tapinë e apartamentit sepse Edi Rama nuk donte të ja u jepte. Kaluan 4 vjet, nuk ju dha as tapinë në dorë, as dorën madje. Ajo që ne thonin atëherë, ishte që jo bashkia e Tiranës por qeveria e kohës nuk e kishte fare në mend që të zgjidhte problemin tuaj. Sepse për të zgjidhur këtë problem duhej vullneti i qeverisë. Dhe unë jam shumë krenar që pas 18 muajsh që jemi në qeveri dhe pasi jemi takuar për punën e përbashkët, dhe pasi po këtu u jam zotuar që me zgjedhjen tonë ky problem do të zgjidhet, sot jeni këtu për të marrë lejen e legalizimit. Dhe jo vetëm kaq, por merrni lejen e legalizimit falas.”, tha në fjalën e tij Kryeministri Edi Rama. 

SHKARKO APP