Rama: Koalicione jo për tepsinë e pushtetit por për programe

Nga Rrogozhina ku pati një takim me elektoratin, kryeministri Edi Rama foli sërisht për tepsinë e pushtetit. Rama theksoi se koalicionet duhet bërë lidhur me programet që zhvillojnë vendin dhe jo për të marrë nga bashkëpunimi. 

“Në gjithë botën bëhen koalicione që nga Gjermania, po koalicionet bëhen për programet dhe jo për tepsinë e pushtetit. Në gjithë botën forcat politike bashkëpunojnë në qeverisje kur nuk i kanë numrat e nevojshëm, ose kur kanë një plan të madh për të ardhmen për reforma të mëdha, por bashkëpunimi bëhet pas zgjedhjeve, duke ulur në tavolinë e duke përputhur programet”, tha Rama.

Duke hedhur akuza se tepsia e pushtetit shihet si kusht për të patur qeveri, koalicion, apo dhe mundësi për të qeverisur, Kryeministri shtoi se: “Por si mund të vazhdohet kështu? Si mund të vazhdohet që siç themi ne, kur është çun e kemi të gjithë, kur është gocë e ka partia e madhe, e ka kryeministri”, tha Rama në fjalën e tij.

Kreu i Partisë Socialiste tha më tej se më 25 qershor merret vendimi për ngritur krye ndaj administratës që e quajti të kalbur.

“Vendimi që do të marrim më 25 qershor nuk është një vendim për të fituar njëra palë e për të humbur pala tjetër, nuk është vendim për tifozllëk, po një venidm për Shqipërinë që duam, për të ngritur krye që të gjithë ndaj një administrate shtetërore që është kalbur, për shkak të partive që e kanë kthyer administratën e shtetit në një tepsi për ndarjen e pushtetit”, tha ai.

SHKARKO APP