Rama komenton foton Basha-Trump në Elbasan
Nga Elbasani, në mitingun përmbyllës të socialistëve, kryeministri Edi Rama u ktheu përgjigje kritikëve të programit të rilindjes urbane.
Rama: Shumëkush sidomos ata që kanë privilegjin e një mikrofoni, ekrani, e një portali janë vërsulur dhe sulmojnë programin tonë të rilindjes urbane. Di tu them vetëm kaq, nëse ne do të marrim me 25 qershor besimin e shqiptarëve për të pasur timonin e reformave të qeverisjes pa qenë të detyruar të ulim të tjerë në prehër era e rilindjes urbane do të fryjë deri në fshatin më të largët. Gjithë ky qark do të jetë një zonë e preferuar turistike e Shqipërisë, nuk është e largët dita kur në gjithë hapësirën jashtë qytetit do zhvillohet agrobiznesi, agroturizmi dhe sipërmarrje që krijojnë punësim dhe mirëqënie falë bukurive të natyrës së kësaj zone nuk është e largët.
Për herë të parë, Rama komentoi edhe foton e kryedemokratit Basha me Presidentin Trump.
Rama: Magjistarët e fushatave, njëri thotë kam një program gjermano–amerikan dhe pa pikën e zorit kërkon të shesë një fotografi me Presidentin e Amerikës dhe unë ju siguroj se po ta shohë Presidenti atë fotografi nuk e njeh kush është ky çuni fare. Tjetri del dhe thotë kam një plan, kam një plan dhe mbrapa ka atë tjetrin që vetëm çirret dhe ulëret.Por kur del dhe ai Beni juaj dhe thotë do jap 1000 euro për bebe. Këta janë të gjithë një tufë artistësh cirku, nuk kanë lidhje me çfarë ka nevojë ky vend sot. Vota për ta janë vota të hedhura në lumë.Janë vota që nuk i duhen dreqit. Ka njerëz plot nga këta që përpiqen ta bindin këtë popull që unë kërkoj më shumë pushtet për vete. Po të doja sot do kishin mbaruar zgjedhjet dhe do kishim marrë 100 mandate.
Teksa sulmoi premtimin e kundërshtarëve politike për taksa të ulëta, Rama tha se kushdo që ka premtuar parajsën në këtë vend, ka ricikluar ferrin.
Rama: Cilat taksa do ulin këta, atë të biznesit të vogël qe e kemi zero. Do ulin atë të biznesit të madh që e kemi 15%. Jo nuk do ta ulim sepse kush fiton më shumë do të paguajë më shumë. Kush ka premtuar parajsën në këtë vend vetëm ka ricikluar ferrin, varfërinë, papunësinë dhe korrupsionin me recetat magjike të fushatës që edhe sot e gjithë ditën i bëjnë njësoj. Shqipëria ka akoma varfëri dhe papunësi por nuk lindër 44 muaj më parë. Asnjë qeveri tjetër nuk e ka luftuar varfërinë dhe papunësinë si kemi nisur ta luftojmë ne. Ekonomia nuk rritet duke kopjuar çfarë thonë të tjerët në Europën e zhvilluar sepse nuk kanë problemin që e kemi ne, e kanë bërë shtetin me kohë. Në katër vitet e ardhshme nëse na jepni votat që na duhen do ta rrisim ekonominë mbi 5%.
Rama u ndal edhe tek reforma në arsim. Ai tha se të gjithë kundërshtarët e saj janë partitë e Universiteteve që qeveria e tij mbylli në këtë mandat.
Rama: Si shpjegohet, që nga Luli tek Petriti dhe deri tek Beni juaj, janë të gjithë kundër reformës në arsim. Dje Luli në Berat u tha se Edi Rama u mbylli Universitetin. Universiteti i Beratit ishte ish-materniteti i Beratit që për turpin e tyre ja dhanë një ndërtuesi. E lanë Beratin pa maternitet dhe aty ai ndërtoi piramidën e UFO-s, ai shkatërroi ëndrra, shpresa, investime dhe kursime të prindëre me diplomat pa pikë vlere që jepte. Të gjithë këta që janë kundër reformës në arsim nga republika e re tek shansi për të gjithë janë partitë e atyre Universiteteve që ne i mbyllëm dhe nuk do kthehen më në Shqipëri. Reforma jonë e arsimit mund të mos jetë e përsosur, mund të ketë plot gjëra që duhen përmirësuar.
Duke iu referuar Elbasanit, Rama i kujtoi këtij komuniteti gjendjen e 44 muajve më parë nga djegia e plehrave në qytet.
Rama: 44 muaj më parë, në këtë orë këtu në Elbasan fillonte të ndjehej era e mushkërive kanceroze të qytetit për shkak të malit me plehra në mes të qytetit që digjej çdo natë dhe shkatërronte çdo mbrëmje të këtij komuniteti. Sot bëmë atë që kur e thamë atëherë askush nuk e besonte dhe sot Elbasani merr frymë lirisht ndërkohë që ka kompleksin më modern në Shqipëri të trajtimit të mbetjeve dhe shumë shpejt nga ai kompleks do të ndërtohen 60 hektarë sera, do prodhohet energji për qytetin.