Rama: Legalizimet, vlerë për çdo familje
“Ky titull pronësie bën që shtëpia nga një vend për të futur kokën, të kthehet në një pasuri që përdoret si kolateral në bankë dhe kjo është vlerë për çdo familje”. Një shprehje të tillë, kryeministri Edi Rama e ka përmendur dje gjatë procesit të shpërndarjes së 600 lejeve të legalizimeve në zonën e “Don Bosko”-s në kryeqytet. “Kjo është një ditë e shënuar për familjet tuaja, pasi këtu ka familje që këtë copë lëtër, që në fakt është titull i pronësisë, e presin për 20 vjet. Ka 20 vjet që kur u ngritën kullat për të cilat ju prej 20 vitesh prisni legalizimin”, tha gjithashtu. Duke shtuar se në këtë proces, 600 familje marrin legalizimin, por janë 1500 familje që përfitojnë pasi është e njëjta metodologji që është ndjekur për 14 kulla në Tiranë.
Kryeministri Rama u kujtoi mes të tjerash banorëve edhe ato që kishte thënë katër vjet më parë kreu i sotshëm i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha gjatë fushatës elektorale. “Dua t’u sjell ndërmend se çfarë ju thotë dikush që u bë si u bë kryetar bashkie. Që ju thoshte sapo të bëhem unë kryetar bashkie ju do të merrni në dorë tapitë e apartamentit. Kaluan 4 vjet dhe as dorën nuk ua dha dhe as tapinë nuk e patë”, tha Rama. Kryeministri u shpreh më tej se edhe atëherë “ishte jo bashkia e Tiranës, por qeveria e kohës që nuk e kishte fare ndër mend të zgjidhte problemin e legalizimeve, pasi për të zgjidhur problemin duhej vullneti i qeverisë”. “Jam krenar që pas vetëm 18 muajsh në qeveri dhe pasi kemi kapërcyer pengesat ligjore dhe pasi jam zotuar se ky problem do të zgjidhet, ju jeni sot këtu për të marrë në dorë lejen e legalizimit, iu drejtua kryeministri banorëve. Jeni dëshmitarë sesa shumë jeni përpjekur në vite. Keni trokitur e keni paguar nën e mbi dorë dhe vetëm gishtin në gojë keni mbajtur”, përfundoi Rama.
DEKLARATA
“Kjo është një ditë e shënuar për familjet tuaja, pasi këtu ka familje që këtë copë lëtër, që në fakt është titull i pronësisë, e presin për 20 vjet. Ka 20 vjet që kur u ngritën kullat për të cilat ju prej 20 vitesh prisni legalizimin”, tha kryeministri.