Rama mbledh të shtunën grupin e PS-së në Pallatin e Kongreseve, do të flitet edhe për Spiropalin?
Më 28 mars, kryeministri Edi Rama do të mbledhë grupin parlamentar të PS-së në Pallatin e Kongreseve. Takimi do të nisë në orën 11:00 dhe sipas axhendës së hartuar, mbledhja do të nisë me fjalën e kreut të grupit parlamentar Taulant Balla. Rama do t’i drejtohet anëtarëve të grupit ndërsa axhenda parashikon dhe raportime nga Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, institucion që drejtohet nga Lorena Goxhobelli dhe raportim nga Bashkëkryetari i Reformës Territoriale Arbjan Mazniku.
Për pyetjet dhe diskutimet e sipërshënuara, është caktuar një kohë prej 2 minutash për çdo folës. Një sesion i këtij takimi i takon dhe prezantimit të Strategjisë së Komunikimit nga ministrja e Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin Erjona Ismaili. Takimi do të finalizohet me fjalën e kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Taulant Balla.
Nuk dihet nëse në këtë mbledhje do të shqyrtohet dhe mungesa e Elisa Spiropalit gjatë votimit në Kuvend për Belinda Ballukun, pas debatit në distancë një ditë më parë mes saj dhe kreut të grupit të PS-së, Taulant Ballës. Gjatë një konference me gazetarët ditën e djeshme, i pyetur nëse do të marrë një vendim lidhur me mungesën e Spiropalit, Balla tha se këtë do ta bëjë pasi të konsultohet me grupi parlamentar.
Më pas Spiropali tha se nëse çështja ka nevojë për konsultim, atëherë duhet ta mbledhë sa më parë grupin, duke shtuar se vendimi duhet të jetë i menduar, i argumentuar dhe në përputhje me përgjegjësinë që kanë përballë publikut.
KOHA JONË SONDAZH


