Rama: Një tjetër Qendër Shëndetësore ka rilindur nga e para në Iballë të Pukës
Një tjetër investim në shërbim të kujdesit shëndetësor është finalizuar në veri të vendit. Kryeministri Edi Rama ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se Qendra Shëndetësore e Iballës në Pukë është rindërtuar nga e para dhe tashmë është gati për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonës.
Sipas postimit të kreut të qeverisë, objekti i ri ofron shërbim të plotë shëndetësor dhe është pajisur me ambiente bashkëkohore e funksionale, duke garantuar kushte më të mira si për pacientët, ashtu edhe për personelin mjekësor. Investimi synon rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor në zonat rurale dhe përmirësimin e aksesit të qytetarëve ndaj kujdesit parësor.

“Kjo qendër shëndetësore është ndërtuar nga e para për t’u shërbyer banorëve të Iballës me standarde më të larta”, shkruan Rama në postimin e tij, duke theksuar rëndësinë e këtyre investimeve për komunitetet larg qendrave urbane.
Rindërtimi i Qendrës Shëndetësore të Iballës është pjesë e programit të qeverisë për modernizimin e infrastrukturës shëndetësore në të gjithë vendin, me fokus të veçantë zonat e thella dhe ato malore.


KOHA JONË SONDAZH

