Rama për “Rilindja Urbane 2.0”: “Ecim, pa të shtunë e pa të dielë” për çlirimin e hapësirave publike
Aksioni për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme vijon me intensitet të pandalur në të gjithë territorin e vendit, duke shënuar një fazë të re të programit “Rilindja Urbane 2.0”. Qeveria e konsideron këtë nismë si pjesë të një strategjie më të gjerë për vendosjen e rendit urban, rikthimin e ligjit në çdo cep të territorit dhe krijimin e kushteve për një zhvillim më të qëndrueshëm të komuniteteve.
“Ecim, pa të shtunë e pa të dielë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, duke iu referuar ritmit të punës së strukturave që po kryejnë prishjet. Mesazhi i tij shoqërohej me pamje nga çmontimin e disa objekteve pa leje në kryeqytet, ku duket se fushata nuk njeh pushim dhe as tolerancë për shkelësit e ligjit.
Reagimi i qytetarëve ka ardhur pozitiv. Banorë të zonave ku po kryhen ndërhyrjet shprehen se prishja e ndërtimeve që kishin zaptuar rrugë, sheshe dhe hapësira të përbashkëta ishte e domosdoshme dhe e vonuar. Sipas tyre, rikthimi i rrugëve për lëvizje të lirë apo i trotuareve për këmbësorët është një investim për cilësinë e jetës së vetë komunitetit.
Ndërkohë, Qeveria shqiptare ka ashpërsuar ndjeshëm masat për kontrollin e territorit. Ato përfshijnë mbrojtjen e hapësirave publike, monitorimin e rreptë të zbatimit të lejeve të ndërtimit dhe ndëshkimin e ndërtuesve që devijojnë nga kriteret urbanistike. Në këtë kuadër, qytetarët janë kthyer në sy e veshët e territorit. Përmes portalit “Hapësira ime publike”, ata raportojnë shkelje në kohë reale. Deri tani, janë regjistruar 15 357 denoncime, prej të cilave 11 690 janë zgjidhur, ndërsa 3 667 raste të tjera mbeten në proces verifikimi dhe trajtimi.
Në dallim nga aksionet e shpejta dhe të përkohshme të së kaluarës, “Rilindja Urbane 2.0” synon të krijojë një model të ri ndërhyrjeje sistematike, të qëndrueshme dhe të monitoruar në vijimësi. Që nga nisja e saj në korrik, operacioni po shtrihet zonë më zonë, me prioritet në ato hapësira ku shkeljet kanë bllokuar aksesin e komuniteteve ose kanë cenuar projektet publike.
Në thelb, kjo nismë kërkon të rindërtojë marrëdhënien e qytetarit me qytetin: një territor të pauzurpuar, të rregullt, të aksesueshëm dhe të planifikuar. Me ritmin e lartë të punës “pa të shtunë e pa të dielë”, qeveria synon të japë sinjalin se ligji është i njëjtë për të gjithë, ndërsa hapësira publike është e patjetërsueshme — një e drejtë e përbashkët që nuk mund të privatizohet, zaptuar apo tregtohet.
Nëse ky aksion do të shndërrohet në një kulturë të re urbanizimi, mbetet një provë e së cilës koha do të flasë. Por aktualisht, axhenda e prishjeve nuk mbyllet as në fundjavë. Shqipëria është në pastrim të hapësirës së saj publike.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

