Rama premtoi fillimin në 2017, qeveria e zhvendos hekurudhën Tiranë-Rinas pas 2019

Teksa Ministria e Transportit ka gati një projekt për rivitalizimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e një degëzimi të ri që do ta lidhte atë me Aeroportin e Rinasit, qeveria ka zhvendosur angazhimin për financimin e saj pas vitit 2019.

Bashkë me projektbuxhetin 2017, qeveria ka çuar për miratim në Kuvend edhe listën e projekteve që do të financohen nga fondet publike në dy vitet në vijim deri më 2019. Ndër këto projekte është dhe ai për hekurudhën mes Tiranës dhe Durrësit, por financimet e programuara për tre vitet në vijim do të jenë vetëm sa për fazat paraprake.

Sipas tabelës zyrtare, qeveria e ka kostuar hekurudhën me 10.2 miliardë lekë nga të cilat, 9.5 miliardë lekë janë financim i huaj, një kredi nga BERZH dhe 640 milionë lekë janë financimin nga fonde të brendshme.

Kredia e BERZH është planifikuar për t’u përdorur 1.5 miliardë lekë më 2018 dhe 1.5 miliardë lekë më 2019, ndërsa pjesa tjetër e financimit prej 6.1 miliardë lekësh do të financohet pas vitit 2019.

Nga financimi i brendshëm për këtë projekt financohen 200 milionë lekë këtë vit, dhe nga 40 milionë lekë për secilin nga vitet 2018-2019. Pjesa tjetër më shumë se 50% e financimit të brendshëm një prej 330 milionë lekësh do të disbursohet pas 2019.

Ministria e Transportit sakaq ka në fazën e konsultimit projektin për ndikimin në mjedis të hekurudhës.

Aktualisht, shpejtësia maksimale operative në hekurudhë është 40 km/h, me seksione me shpejtësi në 20 km/h. Në linjën Durrës-Tiranë, e cila u modernizua në vitin 1997 duke betonizuar pjesën e hekurudhës dhe ngjitjen e pjesëve të saj, u arrit një shpejtësi limit për vendin tonë prej 60 km/h. Kufizimet e shpejtësisë vijnë kryesisht si rezultat i gjendjes së pistës dhe vendkalimeve të paautorizuara në nivel sesa për arsye gjeometrie.

Prej më shumë se 17 vitesh, qeveritë shqiptare kanë në projektet e tyre për zhvillimin e infrastrukturës sjelljen në terma modernë të hekurudhës, Tiranë-Durrës, por sot e kësaj dite, asgjë nuk ka avancuar.

SHKARKO APP