Rama: Rumania të njohë pavarësinë e Kosovës

Kryeministri Edi Rama kërkoi dje nga Rumania njohjen e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e kreut të qeverisë u bë dje gjatë konferencës së përbashkët për mediat me homologun e tij rumun Viktor Ponta, në Bukuresht. “Kërkesa ime e përsëritur dhe urimi im që Rumania ta njohë Kosovën dhe t’i japë mundësi Kosovës që të shkojë më tutje në procesin e njohjeve, duke u përfshirë në familjen e atyre vendeve të mëdha demokratike dhe partnere që tanimë e kanë njohur Kosovën. Ne besojmë që sot njohja e Kosovës nga Rumania dhe nga vendet e tjera europiane nuk është më një çështje bilaterale, por është një çështje e përbashkët e sigurisë së hapësirës sonë të përbashkët europiane dhe e fuqizimit të lidhjeve në këtë hapësirë, për të mos lejuar që të tjera forca të mund të influencojnë duke përfitua nga frustrimi dhe nga çfarëdo izolimi”,- tha kryeministri Edi Rama. Gjatë fjalës së tij, Rama vlerësoi marrëdheniet mes Shqipërisë dhe Rumanisë. Ai tha se Rumania është një vend mik, me të cilin na lidh historia, na lidh kultura, na lidhin qindra e qindra studentë, si dhe plot emra të njohur dhe familjarë. Duke folur për marrëveshjet mes dy vendeve tha se janë bërë hapa konkretë për nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe. “Çka kemi folur ka filluar të kthehet në hapa konkretë dhe me rezultate konkrete. Kemi firmosur një marrëveshje të rëndësishme për mbrojtjen sociale, e cila i garanton të gjithë ata që punojnë këtu, lidhur me kontributet e tyre. Po ashtu, reciprokisht edhe qytetarët rumunë që punojnë në Shqipëri. Jemi në prag të finalizimit të një tjetër hapi të rëndësishëm që do të sigurohet me marrëveshjen ndërmjet dy ministrive të Arsimit për një kuotë bursash për studentët shqiptarë që do të vinë të studiojnë në fushën e IT-së”,- tha Rama. Kryeministri shtoi se mes dy vendeve do të këtë bashkëpunim konkret në fushën e integrimit evropian. “I jam mirënjohës Kryeministrit për gatishmërinë, për të na mbështetur menjëherë në projektin tonë të përbashkët me Komisionin Europian për ndërtimin e një rrjeti ekspertësh në ministritë dhe agjencitë tona që do të na këshillojnë dhe ndihmojnë në procesin e integrimit dhe posaçërisht në përgatitjen për procesin e negociatave në Bashkimin Europian. Bëhet fjalë për ekspertë të cilët e kanë bërë këtë proces në Rumani apo në vende të tjera që sot janë të integruara në Bashkimin Europian dhe që janë të gatshëm të vijnë të punojnë në Tiranë, sigurisht për t’iu gëzuar edhe bukurisë së vendit tonë, por edhe për të bërë punën”,- tha Rama. Në vizitën në Rumani, Rama shoqërohej nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, Kreu i Grupit të deputetëve socialistë Gramoz Ruçi dhe Nënkryetari i grupit Taulant Balla. Delegacioni shqiptar u prit nga Kryeministri Ponta në Pallatin Viktoria, me një ceremoni zyrtare mirëseardhjeje, me nderime ushtarake. Kryeministri Rama dhe Kryeministri Ponta zhvilluan një takim kokë më kokë, i cili u pasua nga bisedimet mes dy delegacioneve. Nga takimet u konstatua vullneti reciprok për të intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe dhe për të zgjeruar rrugët e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.

SHKARKO APP