Rama: Së shpejti, bursa e energjisë Shqipëri-Kosovë

Investim strategjik që diversifikon burimet energjetike midis Kosovës dhe Shqipërisë.

Kështu e cilësoi kryeministri Edi Rama investimin për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 KV midis Shqipërisë dhe Kosovës, punimet për të cilën kanë përfunduar.

Kreu i qeverisë tha se tashmë dy vendet tona kanë mundësi të shkëmbejnë energji sa herë që të jetë e nevojshme.

“Në 33 muaj bashkëpunimi intensiv midis Shqipërisë dhe Kosovës mund të shohim me krenari se sa shumë kemi bërë në qasjen tonë ligjore dhe administrative dhe për t’i dhënë hapësirës sonë të përbashkët një bazë solide”, tha Rama.

Sipas tij, nuk ka qenë pak, përkundrazi, ka qenë shprehja e një ambicie të madhe për Shqipërinë dhe Kosovën futja në rrugën e krijimit të një tregu të përbashkët bujqësor, një sistemi arsimor, të një sistemi të unifikuar procedurash doganore dhe me radhë në çdo fushë.

“Por kjo që na ka mbledhur sot këtu është shenja më e fuqishme e vetëdijes sonë për këtë potacional të madh dhe përurimi më në fund i një projekti strategjik dhe bashkimi kombëtar parë me sytë e shekullit të ri, përbën pa më të voglin dyshim se sa shumë kemi bërë dhe sa shumë do të bëjmë.

Një projekt i cili duhet të kishte përfunduar qysh në vitin 2011 dhe që përfundon sot pasi me vullnet të përbashkët nisëm punimet në 2014. Sot krijojmë premisën themelore për një treg të përbashkët të energjisë për një reduktim të konsiderueshëm të kostove. Ne jemi të vetëdijshëm se asnjë prej dy shteteve tona nuk ka rezerva të diversifikuar.

Nëse në Kosovë, 97% e energjisë prodhohet nga termocentralet, në Shqipëri thuajse e gjitha prodhohet nga hidrocentralet. Mjafton pamja e dy anëve të kësaj medalje për të kuptuar se çfarë rëndësie strategjike ka që ne të punojmë që burimet e ndryshme t’i vëmë në shërbim të njëri-tjetrit dhe kështu kthehemi në hapësirë të diversifikuar.

Në Kosovë është e njohur botërisht se sistemi ka kosto të lartë dhe mungesa e fleksibilitetit të sistemit e bën të pamundur një raport racional ndaj ndryshimit të kërkesave të tregut”, shtoi kryeministri.

Krijimi i bursës shqiptare të energjisë

Një fakt i ri i zbuluar nga kryeministri Edi Rama është edhe krijimi i bursës shqiptare të energjisë, ku Kosova dhe Shqipëria do të dalin së bashku në këtë bursë. Rama tha se Kosova është e para në rajon për pasurinë e linjitit, ndërsa Shqipëria për pasuritë hidro, çka bashkërendimi i projekteve do të sillte më shumë mirëqenie për qytetarët.

“Falënderoj parafolësin elegant që përfaqëson kompaninë e anës tjetër të kufirit për nënvizimin e objektivit tonë të krijimit të bursës shqiptare të energjisë elektrike. Ne e kemi filluar këtë proces”, shtoi Rama.

Sipas tij, nuk është e lehtë, por vlen të nënvizohet se krijimi i kësaj burse shqiptare të energjisë elektrike do të na japë mundësinë që të operojmë në mënyrë të përbashkët burimet dhe rrjetin e energjisë.

“Kosova ka rezervat më të mëdha të linjitit në rajon, ndërsa Shqipëria ka rezervat më të mëdha të potencialit hidroenergjetik. Ajo që na ka dhënë Zoti ose natyra është e jashtëzakonshme në këtë aspekt.

Një pasuri që ne duhet të kemi vizionin e duhur për të sjellë një transformim epokal në funksion të rritjes ekonomike, duke e kthyer gjithë këtë pasuri në një pasuri që jo vetëm nuk shkon dëm, por përkundrazi prodhon mirëqenie.

Me këtë linjë ne krijojmë kushtet që jo vetëm të kemi mundësinë e një politike të përbashkët, por së bashku ne jemi shumë më të fuqishëm dhe të integruar në tregun evropian të energjisë.

Ne jemi pjesë e procesit të Berlinit dhe në samitin e Parisit është shumë e rëndësishme të prezantohemi me suksesin e këtij projekti dhe të ecim përpara për të çuar më tutje procesin ambicion për të krijuar tregun rajonal energjetik”, përfundoi kryeministri.

SHKARKO APP