Rama shpjegon kuptimin e fjalës “fasadë”, siç e cilëson Basha

Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka shpjeguar sot kuptimin e fjalës ‘fasadë” dhe të misionit të tij për t’i restauruar ato në mbarë vendin, pasi është ndier i bezdisur nga akuzat e kreut demokrat që e cilëson vazhdimisht si kryeministri i “fasadave”.

Rama vuri në dukje se këtë punën e fasadave e kishte biseduar me Bashën edhe në takimin e tyre kokë më kokë, natën e marrëveshjes politike. Nga Shkodra, Rama, duke  prezantuar planet e tij për bregun e liqenit, shëtitoren e unifikuar dhe muzeun, foli edhe për akuzat që kreu i PD-së i bën mbi Rilindjen Urbane.

“Dua të theksoj një fakt se Rilindja Urbane, që injorantët dhe për shkak të trashëgimisë shumë të rënduar që i mësoi të gjithë të bashkëjetonin me pluhurin, gropat, makinat duke mos mendar se njerëzit kanë më shumë se për çdo gjë që të kenë hapësirën e tyre të përbashkët publike, e kanë vizatuar si histori sipërfaqeje, si fasada, se unë fjalën “fasadë” nuk e konsideroj  negative. Ia thashë edhe Lulit kur e takova se po të ishte fasada e parëndësishme atëherë “dil i palarë, i pakrehur, se ti ky je. Po këtë nuk e bën.” Sikur fasada të mos ishte e rëndësishme dhe gratë nuk duhej të mbaheshin dhe burrat të mos laheshin, të mos rruheshin. Çuditërisht vendet që kanë fasada, palma, pemë, lule, kanë dhe mirëqënie dhe një lidhje këtu duhet të ketë, apo jo?! Një aspekt i rëndësishëm këtu duhet të jetë dhe fakti që ne kemi ngritur 141 kantiere në vend për Rilindjen Urbane dhe aty janë punësuar 49 mijë shqiptarë, pra, as kinezë, as turq, as pakistanezë, por shqiptarë”,-theksoi kryeministri.

SHKARKO APP