Rama: Timonin e dua pa të tjerë në prehër që të funksionojë administrata
Kryeministri Edi Rama tha se në 25 qershor shqiptarët duhet të vendosin me votë për atë që do të marrë timonin e Qeverisë. Rama i ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” i ka qëndruar idesë se nuk do të ketë më koalicione bazuar në ndarjen e tepsisë.
“Qeveria është mjaltë dhe mbetje. Kur vjen puna tek mjalti e marrin të gjithë, kur vjen puna tek mbetjet i mban kryeministri. Sepse këtu programi s’ka rëndësi këtu. Këtu ka rëndësi tepsia. Këtu të vijnë partitë dhe të sjellin listat dhe thonë ja ku i ke, duam drejtoritë”, tha Rama.
Sipas tij, nëse shqiptarët do i japin timonin, atëherë partitë e tjerë mund të vijnë për koalicione programore, jo që të ndajnë tepsinë. “Nëse nuk na japin tepsinë, do të nisë historia nga e para. Do të vijnë dhe do të kërkojnë drejtoritë. Unë do i them jo, do shkojnë tek tjetri, do i thonë sa na jep ti. i jemi lutur deputetëve aman hajde voto, dhe na thonin na jep drejtorin atje, ndryshe stë japim votën”, tha Rama.
Duke sqaruar çështjen e timonit, kryeministri theksoi: “Kjo çështja e timonit është kështu, unë jam timonieri, ti je pasagjeri. Gazin dhe frenat i kam unë, pasagjeri është një pilot rezervë. Mendojeni administratën si një makinë. Këtu vijnë dhe të thonë unë dua serbatorin, një tjetër të thotë dua dy sedilje.
Ndarja duhet të jetë programore, jo të ndahet me copa. Në Gjermani kur ndryshon qeveria, ndryshimet në administratë janë më pak se 100 veta. Në Britaninë e Madhe janë vetëm 44 vetë, ndërsa në Shqipëri bëhet nami. S’mund të bëhen më koalicione me drejtorira. Çfarë ndodh nëse bëhet kjo? Drejtorin atje e vë partia, dhe kthehen në degë partie. Këta njerëz ia nxin jetën këtij mileti 25 vjet. Ndryshimi midis vendeve të BE dhe vendeve në zhvillim është ky, ata kanë institucione”, tha Rama.