Ramformatori…
Nga Arian Galdini –
Ai e quan Reformë vetëm kur e bën ai. Sipas tij, nëse e bën ai, e kumton ai, e interpreton ai, e propagandon ai, e kontrollon ai, e gjithë shoqëria duhet vetëm të qëndrojë gojëhapur e të presë mrekullitë që do të na vijnë prej tij, nëse durojmë. Ne duhet vetëm të durojmë. Të pranojmë se vetëm ai bën reforma, se ai është kryereformatori, të adhurojmë veprën e tij dhe të durojmë deri në ditën kur gjithçka po bën ai, të na derdhet si lumë bekimesh. Nëse ardhja e këtij lumi bekimesh nuk ndodh kurrë, e aq më keq, nëse gjithçka na kthehet në zhgjëndërr e makth, atëherë ne duhet vetëm të pranojmë se ky ishte vullneti i tij, dhe kaq.
Ç’kuptim ka ta pyesim? Ç’kuptim ka ti kërkojmë të na shpjegojë? E ç’është më e pavenda, si mundemi ne që ta kritikojmë atë. Atë që po bën kaq shum֝ë për ne. Atë për të cilin ne duhet vetëm të ndihemi me fat që e kemi e që po na krijon nga e para, pra po na rilind.
Kur ai zbriti mes nesh, këtu nuk kishte njerëz. Ai tha: Bëhuni Njerëz.
E ne filluam ta shohim, ta dëgjojmë, ta adhurojmë.
Kur ai zbriti mes nesh ne flisnim e mendonim shumë. Ai tha: Bëhuni njerëz e mos mendoni shumë.
Dhe ne vendosëm vetëm ta shohim, dëgjojmë, adhurojmë, pa menduar.
Ai e ndjeu heshtjen dhe adhurimin tonë dhe filloi të na fliste gjatë çdo ditë.
Ne e shihnim, dëgjonim, adhuronim, por ngase nuk mendonim, nuk ia dilnim dot ta kuptonim.
Me sy përpiqeshim tia rrëfenim moskuptimin, e njëkohësisht shpresa jonë ishte se ai e ka fuqinë e mbinatyrshme edhe për të na lexuar mendjet dhe zemrat.
Por ndërsa muajt kalonin, ne dhe ai nuk po komunikonim dot më.
Disa ndër ne ranë në mëkat e filluan të mendojnë e për pasojë edhe të flasin. Natyrisht mëkati i kryer ishte i pashoq.
Me të drejtë ai u zemërua.
Na quajti lukuni e shpifur, ndonjërin e quajti profesor gojëshqyer, disa i quajti alpinë të zbritur në bregdet, e kështu me rradhë.
Mirë na e bëri.
Tek e fundit, ishim ne që nuk e kuptuam sesi zbriti ai mes nesh. Faji është i tëri i yni.
Kur Partia Socialiste ndjente nevojën për tu pranuar nga rinia, e solli atë si Njeriun Kundërparti, si Bohemin që do të magnetizonte brezin e ri. Me një palë çitjane dhe me çorape të kuqe, ai bleu Ministrinë e Kulturës. Më tutje ai e kuptoi mirë lojën. Kësisoj, me Fasadat njëanëshe të Ministrive në Bulevard, ai bleu Bashkinë. Më pas me Bashkinë bleu Partinë. 8 vjet në Opozitë dhe nuk la cub e horr pa ia shitur Partinë dhe kandidimet. Me Partinë e shitur bleu Kryeministrinë. Dhe tani që është Kryeministër, po privatizon Shtetin. Ku është problemi këtu?
Fajtorë, jemi ne lukunia e shpifur, gojëshqyerit, që nuk e kuptuam që në fillim.
Ai na tha që në krye të herës se nuk është Politikan. Dhe ndonëse u bë Kryetar i Partisë Socialiste, e çdo ditë bënte politikë, merte vendime politike, luante nën, mbi e anash tavolinës së politikës, ne e lejuam që ai të vazhdonte të na e shtinte me marifetin e tij të antipolitikës.
Ai na e ka thënë që në ditët e para se nuk kupton asnjë send nga ekonomia, dhe ndonëse që ditën që hyri në Kryeministri na tha se do të na ndryshojë zemrekun e ekonomisë, ne e lamë të merte të gjithë kohën e tij për të na e marë shpirtin e asaj pak ekonomie që kishim.
Ai po na e thotë parreshtur, se nuk ka lidhje fare me jurisprudencën, e se as ia ka ënda fare që ta lexojë as atë Draftin e Ekspertëve të tij për Reformën në Drejtësi, e ne nuk pipëtijmë kurkund, ndonëse ai po fut çizmet e tij të llangosura plot bojëra në 70 nene të Kushtetutës.
Atëherë, jemi që jemi lukuni e shpifur, jemi që jemi gojëshqyer, e të sharë me lloj lloj epiteti, a mundemi ne ti themi atij, që është Piktor e bën Kryeministrin, se është krejt jashtë zanatit?
Sepse i bie që ne e paguajmë kot këtë njeri, vetëm që të na shajë në twitter e facebook, të bëjë selfie me cel dhe të kalojë kohën kot me kompjuterin e zyrës.
Duhet ta çojmë në zyrat a agjensitë e punësimit, e ti kërkojmë të profesionalizohet. Po të kishte qenë jurist ose parukier, ndoshta edhe mund të bënte kuptim si Kryeministër. Sepse si jurist, ndoshta edhe me Diplomë të blerë, së paku do bënte kot sikur do ta lexonte ndonjë nen ligji a kushtetute. Ndërsa si parukier, do kuptohej më drejtë pse po na rruan e qeth të gjithëve si shoqëri. Por si piktor që shpallet jopolitikan, e si Kryeministër që deklarohet se nuk kupton nga ekonomia dhe jurisprudenca, druaj se meriton ti hiqet edhe asistenca sociale.
Çfarë duhet të presim më që të na bëjë ky njeri?
Preken 70 nene të Kushtetutës, e kjo na shitet si Reformë në Drejtësi. Jo or jo. Kjo nuk është Reformë në Drejtësi, kjo është ribërje e Shtetit.
Ne qytetarët që kemi mëkatin të mendojmë, duhet ta ngremë zërin lart, e të mos lejojmë askënd që sipas lojës së tij private a partiake politike, të na ndryshojë çdo 10 vjet Kushtetutën.
Është bërë Kushtetuta e Shqipërisë si të brendshmet e çifteve. Në varësi të çiftëzimit apo tripletës që bën ndër vite politika shqiptare, ndryshohen të brendshmet e përdorura, pra ndryshohet Kushtetuta.
Kur u dashurua Berisha me Ramën, e ndryshuan radikalisht brenda 1 nate në prillin e 2008. Të njëjtën gjë kanë bërë sa herë kanë shtënë dashuri për njëri tjetrin apo sa herë kanë ndërruar a shtuar partner, ndër vite.
Kjo nuk mund të tolerohet më. Me Venezia, pa Venezia, këta zotërinjtë e politikës duhet të mësohen që të na japin llogari neve qytetarëve.
Kur prekin 70 nene të Kushtetutës, këta duhet të na thonë qartazi se mbi ç’parime, cila do të jetë fryma e këtij produkti të ri Kushtetues që do të kemi. Sa të ndërthurrura e të harmonizuara janë gjithë këto ndërhyrje Kushtetuese, me ndërhyrjet ligjore dhe ngrehinat e reja institucionale? A mos vallë rrezikojmë të prodhojmë një frankeshtajn Kushtetues, ligjor e institucional me këto suigenerisma ala shqiptarçe?
E të mos mbivlerësojmë kaq shumë, as Venezian, as OPDATE e as EURALIUS.
Më vjen keq, por e vërteta duhet thënë se në këto 25 vite, çdo ligj e ndryshim kushtetues që është bërë në Shqipëri, gjithmonë është bërë me asistencën ligjore e shpesh edhe financiare të këtyre institucioneve ndërkombëtare.
Vetë proçesi i Integrimit Europian të Shqipërisë, është një proçes i përputhshmërisë së ligjeve tona me ligjet europiane. Nuk është se ne kemi çaluar tek cilësia e gërmës së ligjeve që kemi bërë, përshtatur apo përkthyer. Gjithmonë, na është thënë se ligjet i kemi shumë të mira, por nuk kemi të mirë zbatueshmërinë e ligjeve. Dreqi e mori, këto institucione të nderuara ndërkombëtare si Venezia, OPDATE apo EURALIUS, a mundet të na kërkojnë më së pari të falur që kanë qenë bashkëuatorë për këtë dështim të derisotëm të ligjeve, kushtetutës dhe drejtësisë që kemi? Këta kanë trajnuar Gjykatës, Prokurorë, Policë, Punonjës të Sigurisë, në një numër të konsiderueshëm. A kanë përgjegjësi sado të vogël, sado indirekte, për këtë dështim edhe këto institucione ndërkombëtare?
Pse duhet tu besojmë ne verbërisht këtyre e tu lëmë fatet e të nesërmes sonë, të fëmijëve tanë, një grupi të ngushtë ekspertësh të huaj, që vijnë me kontratë, përmbushin kontratën, e kthehen në shtëpitë e tyre të lumtur?
Sidoqoftë, ndërkombëtarëve nuk u kërkoj llogari sepse nuk i paguaj me taksat e mia e as i votoj.
Ndërkombëtarëve u jam mirënjohës për përpjekjen, mbështetjen, qëllim-mbarësinë që kanë, por nuk mund tua lë plotësisht në dorë mirëbesimin e mbarëvajtjes së proçeseve që zhvillohen në vendin tim ku jetoj e do të jetoj unë dhe fëmijët e mij.
Baballarët e Kombit tim, këta që unë kam votuar e që i paguaj me taksat e mia, duhet të na japin llogari për vizionin, konceptet, frymën, parimet që kanë kur vendosin të prekin Kushtetutën. Ne nuk jemi as Republika e Ekspertëve dhe as e Partive. Jemi Republikë Parlamentare e në Parlament përfaqësohen qytetarët.
Kjo që po bëjnë këta është Reformë për Shtetin, e nuk është thjeshtë Reformë për Drejtësinë.
Ndaj askush prej Krerëve të Shtetit apo të Partive Politike shqiptare, nuk është i përjashtuar nga llogaridhënia për çka po bëjnë me Shtetin tonë dhe të atyre që do të vijnë pas nesh.
Askush nuk ka sesi të fshihet pas ekspertëve të nivelit të lartë apo të partisë.
Sepse ndërhyrja në Kushtetutë është thelbësisht koncept e vizion për Shtetin.
Dhe politikanët kanë detyrimin që të na e shpalosin konceptet dhe vizionin që ata kanë për Shtetin, që ne të kuptojmë se ku po e do ta çojnë këtë vend e këtë shoqëri.