Ramiz Alia dhe Sigurimi i Shtetit
DOSSIER Nga Skifter Këlliçi
Të ndalemi në disa paragrafë të tjerë të hyrjes së këtij libri me kujtime të Ramiz Alisë “Jeta ime”. “Duke kthyer kokën prapa, shkruan ai, -pa dyshim ka arsye të bëjmë autokritikë dhe t’i kërkojmë ndjesë popullit tonë, kryesisht për dy gjëra:
-Së pari, për arsye të ndryshme por edhe për gabimet tona, nuk arritëm të çonim më përpara zhvillimin e vendit, pra që në Shqipëri të realizoheshin transformime edhe më të mëdha ekonomike, sociale, kulturore, në mënyrë që jeta e njerëzve të ishte edhe më e mirë. Në këtë pohim të çiltër, Ramiz Alia, përderisa shkruan në shumës: “… i kërkojmë ndjesë popullit…” , është e logjikshme që ai ka parasysh edhe Enver Hoxhën, të cilin, që e cilëson përsëri “arkitektin e ndërtimit të socializmit në Shqipëri”. Përcaktim kontradiktor që nënkupton të kundërtën: “arkitektin e shkatërrimit të Shqipërisë. Dhe pas 45 vjetësh të regjimit komunist!?. .
“-Së dyti, -vazhdon Ramiz Alia, -për vuajtjet që padrejtësisht u janë shkaktuar disa njerëzve të veçantë, si pasojë e zhvillimit të luftës së klasave, apo shkeljes së ligjeve nga ana e organeve represive dhe organizmave të tjerë të partisë-shtet. ’ Siç do të shohim edhe në kapitujt e tjerë të këtij libri, Ramiz Alia do të ndalet edhe herë të tjera të këto organe që, ndonëse shumë-shumë vonë, me të drejtë i cilëson represive, të cilat kanë qenë organet e Sigurimit të Shtetit dhe të vetë partisë që ishte tamam shtet. (Faqe 9 e veprës “Jeta ime”).
Tjetër pohimi i çiltër, por jo i saktë, sepse ata që vuajtën padrejtësisht nuk ishin “disa” , por më mijëra e mijëra: Të vrarë:5537 burra dhe 450 gra; Të burgosur: 26 mijë burra, nga të cilët 998 të vdekur , burra dhe gra; Të çmendur nga torturat dhe kushtet e rënda në burgje dhe kampe përqendrimi:308 burra dhe gra; Të internuar:48 mijë burra dhe 10792 gra;
Familje të dëbuara në zona të largëta:11. 136.
Sigurisht që edhe ai vetë, si kreu i PPSH-së, ka qenë i njohur me shifrat e mësipërme, por nuk ka dashur t’i përmendë në këtë libër, ashtu siç nuk ka dashur të përmendë një krim të cilin e mori me vete në botën tjetër, pa kërkuar falje. Është fjala për dënimin me varje të poetit Havzi Nela, i si armik i partisë dhe popullit, dënim që u miratua nga vetë ai , atëherë edhe president i Republikës . Ky akt gjakatar, që rëndon mbi Ramiz Alinë, ndodhi në Kukës, më 10 gusht të vitit 1988, pra kur kishte tre vjet që ishte vdekur tirani Enver Hoxha dhe kur pritej që ai të ndërmerrte disa masa, mbi të gjitha zbutjen e luftës së klasave dhe pasojat e saj, persekutimet burgimet dhe internimet. Jo vetëm kaq, por Ramiz Alia duhej të kërkonte të falur për vrasjet në kufi të sa e sa të rinjve, sidomos në verë të vitit 1990, para dhe pas hapjes së dyerve të ambasadave, kufomat e të cilëve, si edhe ajo e Havzi Nelës, mbetën të ekspozuara në sheshe, që t’u kallnin tmerr qytetarëve dhe t’u kujtonin atyre se kështu do ta pësonin të tërë ata që do të kërkonin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.
“Krimet e Sigurimit të Shtetit-vepër e Enver Hoxhës”, pohon tërthor Ramiz Alia
Në kapitullin “Kongresi i Parë i Partisë” të librit të tij me kujtime “Jeta ime”, Ramiz Alia ndalet te masat që mori Partia ndaj metodave të paligjshme të cilat ishin përdorur nga organet e Sigurimit të Shtetit nën drejtimin e Koçi Xoxes. Pasi nënvizon se pas këtij kongresi, (nëntor 1948), Byroja Politike nëpërmjet një platforme përcaktonte qartë edhe kompetencat e organeve të ndryshme të Sigurimit të Shtetit dhe të oficerëve të tij, ai vë në dukje: “Platforma synonte të vinte punën e Sigurimit të Shtetit në kornizat e ligjit. Sigurisht gjendja ndryshoi krejtësisht në krahasim me atë që ishte para kongresit. Por është e njohur se edhe më pas shkeljet e ligjit dhe e të drejtave të qytetarëve nuk qenë të pakta. ”(“Jeta ime”, faqe 151).
Përsëri pohim i saktë, por edhe kundërtor: Pas arrestimit dhe dënimit me pushkatim të Koçi Xoxes, ish-ministër i Brendshëm, si armik i popullit dhe agjent i titistëve jugosllavë, të gjitha mëkatet iu vunë në ngarkim atij dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Mirëpo, në librin e tij ‘10300 ditë e net në burgjet komuniste”, që cituam më sipër, Pjetër Arbnori vë në dukje: “Koçi Xoxe deklaron në gjyq: “Unë kam dhënë urdhër t’u pakësohen ushqimet, uji dhe rrobat deri në torturën e vdekjes. Për Veriun në shkurt 1945 i kam dhënë urdhër Vaskë Kolecit që të vriste pa gjyq. Për vrasjet pa gjyq kam qenë këshilluar dhe ato janë bërë me urdhrin e shokut komandant , Enver Hoxhës. Kam pasur edhe vendim byroje për këtë. ”, (faqe 31 e veprës së mësipërme. )
Ja pra, del e qartë se në vendimet për pushkatime pa gjyq paska pasur përgjegjësi edhe Enver Hoxha , “udhëheqësi i dashur për popullin, sepse të gjithë veprimtarinë e tij revolucionare e vuri në shërbim të lumturisë së masave …”, siç shkruan Ramiz Alia në librin e tij, që vura në dukje më sipër. Kurrë nuk mund të jetë i dashur për popullin një udhëheqës si Enver Hoxha, aq më tepër që 22 shkurt të vitit 1951, pas një mbledhjeje formale të Byrosë Politike do të miratonte që të arrestoheshin 22 qytetarë. Të tërë ishin intelektualë të nderuar, që u dyshuan se gjoja kishin vënë bombë në Ambasadën Sovjetike, veprim që edhe sot nuk është vërtetuar historikisht dhe siç del nga dokumente të reja, është kryer me siguri nga vetë Sigurimi i Shtetit për larje hesapesh, i cili nuk u mjaftua me kaq, por me urdhër të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, i internoi familjarët e viktimave të terrorit të egër komunist. Dhe për këtë “veprimtari armiqësore”, këta njerëz, krejtësisht të pafajshëm, u pushkatuan pa asnjë proces gjyqësor, fakt, i cili solli që Manol Konomi, ministri i atëhershëm i Drejtësisë, të mos pranonte “të nënshkruante dënimet me vdekje të personave tashmë të pushkatuar, pa u gjykuar, në zbatim të “terrorit të kuq”dhe për këtë veprim u shkarkua nga funksionet e ministrit, u përjashtua nga partia dhe funksionet e tij honorifike. ”(Fjalori Encikopedik Shqiptar, botim i ri, 2008, faqe 1266. )
Dhe, duke përfituar nga ky rast, për të dëshmuar besnikërinë e pakufishme ndaj Bashkimit Sovjetik, Enver Hoxha, i dërgonte po atë ditë një letër Stalinit, “udhëheqësit gjenial të proletariatit botëror”, ku si kriminel e puthador i pështirë, midis të tjerash, i shkruante:
“Ne, shoku Stalin, ju betohemi juve dhe partisë bolshevike të lavdishme se do t’ia lajmë edhe partisë dhe popullit këtë gjë te keqe kaq të rëndë që u shkaktua nga mungesa e vigjilencës sonë. Ky akt i poshtër na ka egërsuar pa masë dhe na ka bërë të dhjetëfishojmë luftën dhe vigjilencën tonë…”. ( Botuar më 22 shkurt 2011, në shumë gazeta shqiptare).
E pra, nuk ishte më gjallë Koçi Xoxe që të merrte vendime për pushkatime të tilla. Ai kishte gati tre vjet që kalbej në një varr, që akoma nuk dihet se ku është, si shumë e shumë e shumë varre të të burgosurve të vrarë, a të vdekur në burgje gjatë regjimit komunist. Por tashmë ishte Mehmet Shehu, zv. kryeministër dhe ministër i Brendshëm, (1948-1954), pra edhe i Sigurimit të Shtetit, ishte Byroja Politike me Enver Hoxhën në krye që vendosën të merrej një masë e tillë makabre. (Për këtë krim të përbindshëm të Enver Hoxhës, Ramiz Alia, atëherë sekretar i Bashkimit të Rinisë së Shqipërisë, nuk gjen rast të shkruajë qoftë edhe një resht në librin e tij…).
Edhe më pas asgjë nuk ndryshoi në metodat që përdorte Sigurimi i Shtetit sipas direktivave të Byrosë Politike, të drejtuar nga Enver Hoxha, i cili ngarkoi Hysni Kapon, dorën e tij të djathtë në Byro Byrosë, veç të tjerash, që të kishte në kontroll këtë Sigurim të mbiquajtur “arma e dashur vigjiluese për popullin dhe partinë”, siç e përcaktonte vetë Enver Hoxha, i cili i mbronte ata nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm të Shqipërisë.
Pra, nuk ishte Sigurimi Shtetit, por vetë Partia me Enver Hoxhën në krye, që e urdhëroi atë të ndërmerrte këtë masakër të llahtarshme, e cila u krye me zell kriminal nga xhelati Mehmet Shehu dhe vartësit e tij më Ministrinë e Brendshme. Por këtë nuk e vë në dukje Ramiz Alia në librin e tij me kujtime që po citoj.
Ramiz Alia dhe Sigurimi i Shtetit!
Pra, nga sa thamë, ashtu siç shkruan Ramiz Alia: “Vetë udhëheqja e Partisë, (kuptohet më së pari vetë Enver Hoxha, S. K. ), kishte besim më tepër te fjala e Sigurimit, tek informacionet që jepnin ato organe, se sa tek ajo që thoshte me gjysmë zëri ndonjë prokuror, a gjykatës, (“Jeta ime”, faqe 152), dëshmohet qartë se qoftë prokuroritë dhe gjykatat gjatë periudhës së regjimit komunist, që vareshin nga Kuvendi Popullor, s’kishin guxim të ndërhynin në punët e hetuesive, kur ishte fjala për proceset gjyqësore të dënuarve politikë, të kurdisura nga Hetuesia e cila varej nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Kjo dëshmon se Enver Hoxha miratonte këto metoda, pranonte që burimi i informacioneve për të ditur se ç’pëshpëritet në popull rreth Partisë dhe pushtetit, ç’ankesa kishin, nxirreshin nga të ashtuquajturit “bashkëpunëtorë” shumica dërmuese e të cilëve ishin, siç është shkruar dendur në shtyp pas vitit 1990, ishin të detyruar të bënin një punë të tillë, se ndryshe burgoseshin si armiq të popullit dhe familjet e tyre internoheshin.
Por, pasi është njohur me këto praktika të neveritshme të Sigurimit të Shtetit, për të cilin, siç thekson ai udhëheqja e Partisë, pra edhe vetë Enver Hoxha kishte tepër besim dhe “kjo ndikonte që punonjësit e Sigurimit të ishin “më të lire” në punën e tyre, pra që edhe shkeljet të ishin më të shumta’, (faqe 152 e librit “Jeta ime’), kur u bë koka e shtetit shqiptar, a ka organizuar Ramiz Alia, ndonjë mbledhje të Byrosë Politike në të cilën të dënoheshin këto metoda brutale të Sigurimit të Shtetit, a janë dënuar drejtues të tjerë pas ministrave të pushkatuar të kësaj ministrie për shkeljet e mësipërme që vë në dukje ai?
Ramiz Alia për këto nuk shkruan as një fjalë në librin e tij. Por e vërteta është se pas asgjësimit të Kadri Hazbiut dhe Fecorr Shehut, si armiq të partisë dhe popullit, në nëntor të vitit 1982, pra kur ende ishte gjallë Enver Hoxha, Presidiumi i Kuvendit Popullor, sigurisht me urdhër të tij, pas një dekreti të posaçëm, liroi me amnisti të burgosur politikë që ishin dënuar pas vitit 1977 me heqje lirie nga 7-8 vjet për agjitacion dhe propagandë, duke lënë të kuptohej së ata ‘kishin qenë viktima’ të Sigurimit të drejtuar nga armiqtë e mësipërm.
Mirëpo mbeten nëpër burgje tërë të burgosurit politikë, madje, edhe ata që ishin dënuar në gjyqet e viteve ‘45 e më pas, midis të cilëve intelektualë, klerikë të nderuar, si dhe Pjetër Arbnori që deri atëherë kishte mbushur plot 21 vjet burgim dhe do të mbetej në qelitë komuniste deri më 1989, pra edhe 6 vjet të tjera.
Dy anët e një medaljeje të Enver Hoxhës sipas Ramiz Alisë
Në librin e tij “Jeta ime, (kujtime), Ramiz Alia i kushton, gjithashtu, një kapitull të veçantë Enver Hoxhës në të cilin përshkruan disa nga takimet që ka pasur me të gjatë viteve të Luftës dhe pastaj ndalet kryesisht në karakterizimin e portretit të tij politiko-shoqëror. Në këto faqe autori e përcakton Enver Hoxhën, siç e kam vënë në dukje edhe në fillim të këtij dosjer, me këto perifrazime: “Enver Hoxha ka qenë udhëheqësi më i shquar i popullit shqiptar gjatë gjysmës së fundit të shekullit të shekullit XX’, se ‘nën udhëheqjen e Enver Hoxhës Shqipëria fitoi në sytë e botës nderin dhe krenarinë që i takonte duke respektuar miqësinë për të tjerët dhe duke ruajtur me vendosmëri të paprekur lirinë dhe pavarësinë e atdheut” etj., etj., (faqe 163, 164… të librit).
Shumë nga këto vlerësime bien katërcipërisht poshtë, po të kemi parasysh se ky ‘”udhëheqës i dashur për popullin” e mbajti pushtetin me diktaturë duke u mbështetur te organe të tilla të dhunës, siç ishte Sigurimi i Shtetit për të cilin, siç vë në dukje Ramiz Alia më sipër: “Vetë udhëheqja e partisë kishte besim”dhe se punonjësit e Sigurimit, duke u nisur nga ky “besim…ishin më të lirë në punën e tyre, pra që edhe shkeljet e tyre të ishin më të shumta”, (faqe 152).
Nuk dua të zgjatem në përshkrimin që i bën Ramiz Alia figurës së Enver Hoxhës, përmendorja e të cilit do të rrëzohej më 20 shkurt 1991 edhe në Tiranë, por do të citoj fragmente nga “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, botim i ri i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që është botuar më 2008 dhe është hartuar nga akademikë, profesorë e doktorë të nderuar në shkencat politike, historike, me prirje qoftë të djathta dhe të majta:
“Nën udhëheqjen e Enver Hoxhës u vendos një diktaturë staliniste , u zbatua një luftë e ashpër klasash, e shoqëruar me shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut, me përndjekje e dënime deri kapitale të kundërshtarëve politikë…Veprimtaria e PPSH-së që udhëhiqej nga Enver Hoxha, u karakterizua nga goditje të vazhdueshme të grupeve të cilësuara armiqësore, pasojë e luftës së klasave që u shtri edhe në radhët e saj. Enver Hoxha kundërshtoi çdo orvatje për ndryshime dhe liberalizim të sistemit. Gjatë viteve që drejtoi shtetin, ekonomia në përgjithësi, energjetika, arsimi, kultura, shëndetësia, njohën ritme të larta zhvillimi, por masat radikale që u zbatuan në ekonomi, çuan në likuidimin e plotë të pronës private e të nismës private dhe në krijimin e sistemit të ekonomisë së centralizuar, që rezultoi i paefektshëm dhe në fund dështoi duke e përfshirë vendin në krizë të përgjithshme”. (FESH, vëllimi 2, faqe 958).
Këto përcaktime hedhin thuajse poshtë tërë portretin e Enver Hoxhës që gjejmë në këtë kapitull, ndonëse siç do të shohim herë pas herë në faqet e këtij libri, Ramiz Alia ka përsëri guximin që krahas vlerësimeve të bëjë më së fundi edhe kritika të ashpra, siç e pamë, ndaj figurës së tij dhe vetë sistemit komunist shqiptar.
Për shembull, po në këtë kapitull që po analizojmë me titull “Enver Hoxha”, ai shkruan: “…Dëshiroj të nënvizoj se unë kam qenë dhe jam i mendimit që, sipër sukseset dhe gabimet, përgjegjësi ka jo vetëm Enver Hoxha, por e gjithë udhëheqja e partisë. Kjo për arsye se, përgjithësisht, siç kam thënë disa herë, vendimet parimore dhe kryesore janë marrë në mënyrë kolegjiale, ose, sidoqoftë, për to kanë qenë në dijeni të gjitha anëtarët e udhëheqjes. Asnjeri prej tyre, në asnjë rast nuk ka ngritur zërin dhe nuk ka kundërshtuar”. (faqe 168).
Pak më sipër, në faqet e po këtij kapitulli Ramiz Alia shkruan:”Njerëz të ndryshëm më kamë bërë pyetje :”Ai dëgjonte Enveri shokët dhe a i pyeste ata, apo vepronte në kokë të vet’. Dhe e jep po vetë përgjigjen: “Po, Enveri i dëgjonte shokët, këshillohej me ta për probleme të ndryshme dhe vepronte sipas vendimeve që merreshin kolegjialisht”. (faqe 166).
Pak më poshtë ai vazhdon: “Enveri këshillohej veçanërisht me M. Shehun dhe H. Kapon, por për probleme të veçanta këshillohej edhe më shokë të tjerë, sipas sektorëve që ata drejtonin”. (po aty).
Ky pohim, duke përjashtuar ngjarjet tragjike që ndodhën në Konferencën e Tiranës, më 1956, mund të jetë deri diku i besueshëm, deri në fillim të viteve ‘70-të, pra, ”para se të pësonte atakun e parë në zemër…”, siç vë në dukje ai në libër, (po aty), sepse më pas Enver Hoxha shumë nga vendimet me rëndësi jetike i ka marrë, ashtu si gjykonte ai vetë, ose duke u këshilluar me njeriun e tij më të ngushtë dhe më të afërm, që nuk ishte veçse Nexhmia, e cila në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar është cilësuar, jo pa qëllim, “bashkëshorte dhe bashkëpunëtore e Enver Hoxhës”. (Vëllimi 2, faqe 962).
(Vijon në numrat e ardhshëm)