Ramiz Alia dhe vrasja e Kadri Hazbiut, me urdhër të Enver Hoxhës
Nga Skifter Këlliçi
(Vijon nga numrat e kaluar)
Pasi kishte gllabëruar si lubi plot kuadro të lartë në fushën e kulturës, ekonomisë, ushtrisë, një pjesë e mirë e të cilëve shokë lufte, dhe më 1981 edhe Mehmet Shehun, atë që ishte “ i palodhur dhe një nga udhëheqësit më produktivë në luftën për socializmin …nga të paktët udhëheqës që e kishte shok të ngushtë librin, qoftë për probleme teorike, qoftë edhe për zhvillimin e shkencës e të kulturës në botë”, -siç e përcakton atë Ramiz Alia në librin e tij, (faqe 294), Enver Hoxha e pa të udhës të qëronte nga rruga edhe një ‘gjemb të mprehtë’, që mund t’i shponte këmbën duke shkelur në rrugën e tij që prej kohësh e kishte mbushur me rrëke gjaku. Ky ishte Kadri Hazbiu, të cilit disa ditë pas eliminimit të M. Shehut, në bisedë me katër-pesë anëtarë të Byrosë Politike i kishte thënë:
“-Mendoj t’i propozoj Byrosë Politike që Kryeministër i ardhshëm të jesh ti, Kadri!’
Kadriu, i cili nuk e priste një gjë të tillë, pasi tha se kjo ishte përgjegjësi e madhe për të, propozoi që në këtë rast do të ishte mirë të bëhej Kryeministër A. Çarçani, i cili ka përvojë në drejtimin e qeverisë. ‘Dhe kështu mbeti’. (faqe 298).
Më poshtë Ramiz Alia shkruan se ai nuk besonte se Enver Hoxha me këtë propozim donte të provokonte Kadriun, por kishte parasysh krahinën e Vlorës, “… sepse dy kuadro kryesorë të asaj zone, M. Shehu dhe H. Kapo, tashmë nuk jetonin”. (po aty).
Dhe pikërisht Kadri Hazbiut i erdhi radha t’i pritej koka. Enver Hoxha, që tashmë ishte shndërruar në paranojak të skajshëm, me sa duket, gjykoi kështu: “Kadriu ka qenë zëvendësministër dhe Mehmeti, zv. Kryeministër dhe ministër i Brendshëm që më 1949-ën dhe kur ky u bë Kryeministër, Kadriu e zëvendësoi në këtë ministri. Pra, s’do mend që edhe Kadriu “ka ngrënë në një çanak me të”, pra të dy janë një”. Dhe kësisoj, që të tregonte në popull përmasat e jashtëzakonshme të këtij të ashtuquajturi komplot kundër Partisë, popullit që kishin përgatitur armiqtë e mësipërm, e pa të udhës që krahas atyre të rendiste edhe këtë besnik për kokë të tij…
Siç e kam vënë në dukje pak më sipër, po të kishte dashur, Kadri Hazbiu së bashku me Mehmet Shehun, ia kishin ngritur këmbët përpjetë diktatorit, jo më dekada më parë, kur të dy drejtonin organet e Sigurimit kundër diversantëve shqiptarë të dërguar nga anglo-amerikanët që binin pre e tyre, sipas informatave që u jepte Kim Filbi, në të vërtetë poliagjent, por edhe në vitet ‘80-të, sikur të kishin dashur, e kishin mbytur as më shumë dhe as më pak, por me duar në fyt Enver Hoxhën, që ishte katandisur kufomë.
“Hetimi për ngjarjet që lidheshin me “tablonë sinoptike”, –shkruan Ramiz Alia, – çoi edhe tek K. Hazbiu. Edhe ky u quajt fajtor dhe bashkëpunëtor i M. Shehut, u cilësua agjent i vjetër i jugosllavëve…. “. (faqe 303-304).
Ramiz Alia i bie shkurt këtij kapitulli që i kushton Kadri Hazbiut, sepse edhe atij i vjen me siguri për të qeshur që ta akuzojë “armik’’, atë, që, siç thonë të afërmit, kur këndonte në raste festash këngë për partinë dhe Enver Hoxhën, qante nga dashuria që ndiente për të.
Dhe, pasi përshkruan se krahas Kadri Hazbiut, që më 1982-in, ishte ministër i Mbrojtjes, u dënua edhe Feçor Shehu, ministri i Brendshëm i asaj periudhe, ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti dhe të tjerë, vazhdon:
“Me këtë ngjarje, u mbyll edhe “lufta e klasave” në parti. Që nga ajo kohë dhe deri në vitin 1990, kur ndodhi përmbysja e monizmit, i cili u zëvendësua me pluralizmin demokratik, nuk ka pasur më asnjë anëtar partie dhe udhëheqës të saj që të jetë dënuar si armik i Partisë. ”(Po aty).
Kështu Ramiz Alia dëshmon se në të tëra krimet monstruoze që ishin kryer deri atëherë, një pjesë e të të cilave është përmendur nga ai vetë në libër, kishte dorë, së pari vetë Enver Hoxha, pastaj Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu e pas tyre lukunia e Sigurimit të Shtetit, të cilin ai e ka kritikuar aq shumë në libër, dhe aspak ai vetë që erdhi në pushtet pas vdekjes së tij.
Ramiz Alia për vdekjen e Enver- diktatorit dhe pasojat e rënda ekonomike që ai la pas
Nuk po zgjatem në kapitullin “Vdekja e Enver Hoxhës”, të cilin si në kapitullin “Enver Hoxha” e ngre në “piedestalin e perëndive”, në një kohë kur, siç ka shkruar vetë, tërthorazi dhe hapur e ka kritikuar ashpër, siç ka kritikuar shtrembërimet e tmerrshme të komunizmit shqiptar, të krijuar prej tij.
Për këtë mjafton të përmendim se këtë kapitull Ramiz Alia nënvizon përsëri se vitet ‘80-të “Shteti shqiptar hyri në këtë dekadë me duar të lidhura. Që nga viti1976 ai trashëgonte një Kushtetutë, e cila mbyllte çdo shteg për të marrë kredi nga bota dhe për të thithur investime të kapitalit të huaj. Përditë e më shumë bëhej qartë se nuk mund të ecej përpara vetëm me “forcat tona”. Ishte e domosdoshme që të gjendeshin rrugët e daljes nga kjo situate”… (faqe 313).
Kështu që perifrazimet në kapitullin kushtuar përsëri këtij tirani, se “…vdekja e Enver Hoxhës sigurish shkaktoi tronditje të thellë psikologjike në popull, duke pasur parasysh se E. Hoxha gëzonte një respekt e dashuri të veçantë dhe se masat e gjera të popullit tek ai kishin besim të patundur…thonin se ai ishte “i pavdekshëm” etj., etj., që mbushin faqet 314, 315, . . deri 318 të veprës “Jeta ime”, -tingëllojnë kaq të shtira dhe të neveritshme dhe bien kryekëput në kundërshtim me paragrafët e pakmësipërm, të cilëve u duhen shtuar edhe përcaktimet tjetër e Ramiz Alisë pak më lart se: “Shteti e ndiente se po i konsumoheshin energjitë, por edhe njerëzit nuk jetonin si më parë, bile filloi “shtrëngimi i rripit”. (Po aty). Dhe burimi i këtyre nuk ishte askush tjetër, veç Enver Hoxhës.
Kur shqiptarët kishin arritur në këtë “derexhe” që e përcakton vetë Ramiz Alia, ata nuk mund ushqenin as dashuri, as respekt pikërisht për shkaktarin e kësaj gjendjeje kaq të mjerueshme, për atë që vdiq atë ditë të 15 prillit të vitit 1985, dita kur i gjithë populli shpëtoi nga ky tiran gjakësor, dita kur njerëzit putheshin e përqafoheshin nëpër shtëpi me njëri-tjetrin, paçka se kur dilnin nëpër rrugë, ose atë ditë kur u bë varrimi i tij, ata bënin sikur lotonin.
Po të mos ishte kështu, më 20 shkurt të vitit 1991, po në atë shesh, ku u shemb dhe u bë copë e thërime përmendorja e tij, si në çdo kënd të Shqipërisë, me rastin e 10-të, a 20-vjetorit të kësaj ngjarjeje, nuk do të organizoheshin festime, por do të ndizeshin qirinj në varrin e diktatorit, ku tashëm në ditëlindjen tij mund të shkojnë një tufë nostalgjikësh të regjur.
Madje, në këtë kapitull gjejmë shprehje, të cilat tregojnë të metat e diktatorit, kur Ramiz Alia shkruan: “Vetëm me data e shifrat nuk ishte mirë, i ngatërronte duket se për to nuk e lodhte mendjen”. (faqe 315).
Doemos, atij i duheshin shifra të rrumbullakosura sepse: “Që nga kooperativat bujqësore, te komitetet ekzekutive dhe ato të Partisë në rrethe, -siç shkruan Ramiz Alia, – në më të shumtën e rasteve raportohej jo ajo që ishte realizuar, por ajo që sipas planit duhej arritur. Në veçanti E. Hoxhës i thuheshin gjërat edhe më të rrumbullakosura. Bile në këtë mënyrë mjaft herë i raportonin Enverit edhe kryeministri edhe sekretarët e KQ, si Hysni Kapo e H. Toska, të cilët merreshin me ekonominë”. (faqe 321).
Pra, del qartë se edhe miqtë e tij e “dehnin” dhe për më tepër e gënjenin atë për këto …”suksese të jashtëzakonshme” në fushën e ekonomisë, sepse e dinin që ai “për shifrat . . nuk e lodhte shumë mendjen…”, ai, “personaliteti i madh historik”, që “për pesë dekada ka qenë udhëheqësi kryesor i Shqipërisë dhe i dashur nga njerëzit, duke filluar nga ish-partizanët, të punëtorët e fshatarët dhe deri tek njerëzit e dijes dhe kulturës”. Dhe, si pasojë, shtetit shqiptar doemos “i konsumoheshin energjitë, por edhe njerëzit nuk jetonin si më parë”.
Duke vazhduar të mbajë qëndrim kundërtor ndaj Enver Hoxhës, Ramiz Aia shkruan:
“Duhet pasur parasysh se E. Hoxha u rrit bashkë me sistemin që u vendos pas Çlirimit. Dhe këtë sistem nuk e krijoi ai, sipas dëshirës, megjithëse ka vënë edhe vulën e personalitetit të tij, (nënkuptoni si diktator, S. K.). Gjysma e Europës gjatë pesëdhjetë vjetëve është qeverisur nga liderë të këtij lloji”. (faqe 316).
Kurrsesi! Dhe kjo për arsyen e thjeshtë se asnjë nga këta liderë nuk e izoloi dhe katandisi vendin e vet në atë gjendje që e pohon çiltërisht edhe vetë Ramiz Alia, kur thekson se, “nuk po u vinte fundi radhëve për të siguruar qumështin, vezët, për të mos folur pastaj për mungesat që kishte në treg për mallra industriale”, se “Shteti e ndiente se po i konsumoheshin energjitë…Filloi shtrëngimi i rripit”.
Epilog
Në kapitujt e fundit të librit Ramiz Alia hedh në libër kujtime më të freskëta që lidhen me periudhën, kur me fjalë të tjera ishte i pari i vendit. Por harron të vërë në dukje qëndrimin e tij stalinist ndaj qeverisë italiane, në dhjetor të vitit 1985, pra disa muaj pas vdekjes së Enver Hoxhës. Atëherë ajo mori vendim që të mos u kthejë autoriteteve shqiptare pjesëtarë të familjes Popa, të përndjekur nga regjimi komunist, të cilët u futën në Ambasadën Italianë dhe kërkuan strehim politik. Kjo solli si pasojë që për disa muaj marrëdhëniet midis dy vendeve tona të arrinin një pikë të ngrirë, aq më tepër që kjo ambasadë u rrethua ditë natë nga punonjës të Sigurimit të Shtetit. Më së fundi nga presioni i jashtëm, Ramiz Alia u detyrua të dorëzohej. Si pasojë, pjesëtarët e kësaj familjeje u vendosën në Itali.
Ne, intelektualë shqiptarë, populli, të gjithë kemi pritur që Ramiz Alia “të gjente rrugët e daljes nga kjo situatë” pra nga gjendja shumë e vështirë ekonomike në të cilën e kishte katandisur vendin Enver Hoxha. Të bënte minimumin e asaj që bëri Hrushovi në Kongresin e 20-të të PK të Bashkimit Sovjetik, ku ai dënoi kultin vetjak të Stalinit, krimet e tij të përbindshme, (që i zbatoi me besnikëri edhe Enver Hoxha) dhe dha orientime te reja në politikën e brendshme, për përmirësimin e gjendjes ekonomike të vendit, si dhe në politikën e jashtme për uljen e tensionit ndërkombëtar, bashkekzistencën paqësore me vende të tjera me sisteme të ndryshme politike, pra hapjen e vendit të tij nga izolimi i gjatë dhe i egër stalinist.
Priteshin që të paktën disa nga këto probleme jetike për Shqipërinë të shtroheshin në Kongresin e 10-të të Partisë që u mbajt në nëntor të viti 1986, pritej kështu që Ramiz Alia të bëhej një “Hrushov i vogël”.
Por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. “Kongresi, -shkruan Ramiz Alia, – në libër, -hapi rrugën edhe për çështjen e marrëdhënieve me botën, por duhet thënë se nuk zgjidhi çështjen e lidhjeve ekonomike financiare me jashtë, lidhje që pengoheshin nga neni 28 i kushtetutës së atëhershme, i cili ndalonte shprehimisht ‘marrjen e kredive dhe krijimin e shoqërive të përbashkëta me vendet imperialisto-revizioniste”. (faqe 331). E megjithatë, siç vë në dukje më pas ai “përpjekja për të rishikuar Kushtetutën, sidomos çështjen që quhej parimore, pra çështjen e mësipërme, nuk u bë sepse “përbënte sakrilegj në sytë e botës”. (po aty).
Absurditet! Sakrilegj ndaj një të vdekuri që kishte kryer këtë krim ndaj shqiptarëve dhe tani në varr vazhdonte të urdhëronte?! Pra, le të vazhdonte “populli të hante bar, por parimet të mos i shkelte”, siç kishte deklaruar që më 1961, kur u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, por pa e pyetur këtë popull të mjerë në emër të të cilit fliste, sepse duhej t’i qëndronte besnik mësimeve të shtrenjta dhe të vyera të Enver Hoxhës edhe pas vdekjes së tij. (!?).
Si rrjedhim, po përsëris ato fraza që kam përdorur në fillim të këtij shkrimi, të cituara nga libri i Ramiz Alisë “Jeta ime”:
“Në vitin 1990 ne hymë me mungesa të mëdha që ndiheshin në të gjitha fushat. Industrisë i mungonte lënda e parë, gjë që detyroi qeverinë të ndalojë punën në disa fabrika…Valuta që dispononte Banka Kombëtare, kishte mbaruar, ndërsa për të kërkuar kredi, as që mund të flitej, askush nuk i jepte Shqipërisë…’(faqe 332).
Ramiz Alia harron të shtojë se në këtë gjendje kur “thika kishte arritur të asht”, siç thotë populli, me qindra e mijëra të rinj morën rrugën e arratisë për një jete të lumtur në perëndim dhe shumë prej tyre u vranë pas shpine nga rojat kufitare, me urdhër të atij vetë. Madje kufoma të këtyre “armiqve” u ekspozuan dhe u shëtitën mbi karroceri makinash, siç ndodhi në Sarandë në verë të vitit 1990.
E tëra kjo pas gjendjes katastrofike të vendit të udhëhequr nga një diktator paranojak si Enver Hoxha, synimi kryesor i të cilit ka qenë të jetë i parë në Shqipërinë, që e shtypi e varfëroi dhe e izoloi nga bota, kryesisht për të ruajtur pushtetin e tij faronik.
Sidoqoftë, nga sa u pa, libri “Jeta ime”, (kujtime) i Ramiz Alisë, është një rrëfimi i hapur, bile vende-vende realist, i çiltër, kritik i ashpër, ndonëse me vonesë ndaj Enver Hoxhës, mësuesit të tij, rrëfim i një njeriu që e nisi jetën politike si nxënës gjimnazi, si partizan, i frymëzuar nga lufta për çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazifashistë dhe për t’i shërbyer atij pas Çlirimit, në fillim si udhëheqës i rinisë, si pushtetar, pastaj si ideolog i partisë, deri sa, gjithnjë i mbështetur nga Enver Hoxha dhe duke pasur besimin e tij për aftësitë dhe besnikërinë ndaj idealeve komuniste, arriti pas vdekjes së tij të merrte në dorë në dorë fatet e Shqipërisë, ku ideali për të ndërtuar një shoqëri socialiste mbeti vetëm ëndërr, aq sa ai t’i kërkojë falje popullit për:
“-Së pari, për arsye të ndryshme, por edhe për gabime tona, nuk arritëm çonim më përpara zhvillimin e vendit, pra që në Shqipëri të realizoheshin transformime dhe më të mëdha ekonomike sociale e kulturore, në mënyrë që këta e njerëzve në vendin tonë të ishte edhe më e mirë.
-Së dyti, për vuajtjet që padrejtësisht u janë shkaktuar disa njerëzve të veçantë, (në të vërtetë mijëra e mijëra e njerëzve dhe e të afërmve të tyre, S. K.), si pasojë e zhvillimit të ashpër të luftës së klasave, apo shkeljes së ligjeve nga ana e organeve represive dhe organizmave të tjerë të partisë-shtet”. (faqe 9).
Dhe të tëra këto, të nënvizuara nga figura e katërt e komunizmit shqiptar, të paktën pas vitit 1961, (Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo), përftojnë fakte ngjarje, pohime që duhen vlerësuar në studimin e historisë së periudhës komuniste në Shqipëri.
Çuditërisht, në faqet e fundit të librit “Jeta ime”, (kujtime), Ramiz Alia vërteton edhe një herë që është kundërtor me veten dhe madje, kthehet në origjinën e tij, sepse shkruan:
“Nga pikëpamja e bindjeve të mia, kam deklaruar dhe ripohoj se i kam takuar dhe i përkas së majtës, idealeve të socializmit marksist. Bindjet e mia janë formuar të tilla që në kohën e Luftës NÇL dhe gjatë dekadave që pasuan atë”. (faqe 506).
Është për të ardhur keq, sepse, siç e pohon vetë po në këtë libër, marksizëm-leninizmi, ashtu si u zbatua në Bashkimin Sovjetik, në botë dhe veçanërisht në Shqipërinë e udhëhequr mbrapa nga Enver Hoxha dhe të trashëguar prej tij, pra me diktaturën e proletariatit, të mbështetur në armën e saj të fuqishme, Sigurimin e Shtetit, të cilin, siç e pamë, e dënon ai vetë aq shumë në libër, UDB-në jugosllave, Sekuritatean rumune, STAS-in gjermano-lindor…për të arritur pastaj te “nëna” e tyre- CEKA dhe më pas KGB-ja sovjetike, të shoqëruara me mjete të tilla të tilla si-luftën kundër pronës private, shpronësimet, shtetëzimet, kooperativizmin e bujqësisë dhe të mbështetura në luftën e klasave e thellimin e vazhdueshëm të saj, përndjekjet, burgimet, internimet, biografitë e atyre me cene politike, që morën më qafë sa e sa familje, të rinj të reja, të cilët mbetën pa shkollë, pa të ardhme…, pra, ky sistem është varrosur dhe nuk ngjallet më kurrë, ose, që të shprehemi ironikisht me një sentencë latine:
“Sit sibi terra levis”, që në shqip do të thotë: “Qoftë i lehtë dheu mbi varrin e tij…”…
Fund