Ramiz Alia, Enver Hoxha dhe vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut
(Vijon nga numrat e kaluar)
Nga Skifter Këlliçi
“Pa dyshim, prishja e marrëdhënieve midis dy vendeve tona (Shqipëri-Kinë), -shkruan me të drejtë Ramiz Alia në librin e tij “Jeta ime”, -më tepër dëmtoi Shqipërinë se sa Kinën. Shqipëria humbi një mbështetje të rëndësishme, kryesisht për zhvillimin e saj ekonomik, por edhe një aleate me peshë në fushën politike… Ne, udhëheqja shqiptare, gabuam, sidomos kur i dhamë vetes të drejtën të ndërhynim në zgjedhjen politike që bënë kinezët në rastin e vendosjes së marrëdhënieve të tyre me SHBA-në”, (faqe 273-274). Tjetër konkluzion shumë i drejtë i Ramiz Alisë, tjetër kritikë e ashpër ndaj Enver Hoxhës, aq më tepër që më poshtë thekson: “E. Hoxha dhe e gjithë udhëheqja shqiptare, e panë çështjen vetëm nga një këndvështrim, atë të luftës antiimperialiste dhe nuk patën parasysh arsyet e kinezëve, të cilat lidheshin me interesat e tyre kombëtare”. (po aty). Përfundimi i kësaj aventure të re të paranojakut Enver Hoxha shpjegohet në radhët e mëposhtme të librit “Jeta ime”, ku Ramiz Alia jo pa trishtim thekson: “Prishja me Kinën krijoi vështirësi , sidomos për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Mund të thuhet se në gjysmën e dytë të viteve ‘70-të , por në mënyrë të dukshme me fillimin e viteve ’80-të, ekonomia shqiptare ishte në stanjacion… Në vazhdim, shkallë-shkallë, ekonomia nga stanjacioni kaloi në krizë. Vështirësitë , edhe lidhur me furnizimin e njerëzve me ushqime të dorës së parë , u shtuan. Natyrisht, kjo gjendje u pasqyrua edhe në situatën politike brenda vendit, e cila erdhi duke u përkeqësuar vazhdimisht”. (po aty).
Ramiz Alia nuk e thotë hapur, por ai nënkupton se fajtori kryesor që ‘vendi i vetëm që ndërtonte socializmin në botë’, siç vazhdonte ta cilësonte me mburravecëri Enver Hoxha Shqipërinë, e cila po katandisej në këtë gjendje, nuk ishte veçse ai vetë. Ja përse kapitullin që pason të librit të tij ai e titullon: “Vetizolimi dhe përpjekjet për lidhje me botën”. Titull kundërtor, siç është edhe vetë kundërtor ky kapitull, aq më tepër kur Ramiz Alia që në rreshtat e parë shkruan: “Pas prishjes me Kinën përpara udhëheqjes shqiptare, (pra, gjithnjë duhet të kuptojmë para Enver Hoxhës, S. K. ), doli çështja e kërkimit të rrugëve për vendosjen e lidhjeve të gjëra me botën e jashtme…. por gjithsesi një hapje e kujdesshme duke u përpjekur që të mos shkeleshin nenet e ndryshme të Kushtetutës”. (faqe 274). Ç’lojë fjalësh!?Me një krenari të një qeros-fodulli në Kongresin e 7-të të PPSH-së nëntor të vitit 1976, Enver Hoxha deklaronte se, Shqipëria nuk do të merrte kredi nga asnjë vend i botës, pra për ndërtimin e socializmit do të mbështetej tërësisht në burimet e brendshme dhe forcat e veta, që sanksionohej edhe në Kushtetutë, thua se Shqipëria ishte…Zvicër e dytë!
Tani kur kishte izoluar Shqipërinë si krimbi i mëndafshit në lëvozhgën e tij, kërkonte “hapje”. “Megjithatë, shkruan Ramiz Alia, -kjo hapje ishte e vogël. Udhëheqja e partisë, (pra, si gjithnjë Enver Hoxha, S. K. ), hezitonte të hidhte hapa të shpejtë dhe më të vendosur. Por duhet thënë se edhe nga ana e Perëndimit nuk është ndërmarrë asnjë iniciativë për të nxitur këto lidhje”. (faqe 275). Arsyetim jo i drejtë. Propaganda enveriste prej vitesh villte vetëm vrer kundër imperializmit -amerikan dhe satelitëve të tij dhe tani kur litari u kishte ardhur në fyt, udhëheqësit fodullë shqiptarë prisnin që ata t’ vinin në ndihmë Shqipërisë që ishte vetizoluar?!. . . .
Kur lexoj këto reshta të librit, më kujtohet biseda e Enver Hoxhës me Stalinin, zhvilluar në Kremlin, më 23 mars të vitit 1949, (cituar sipas dokumenteve të Arkivave Ruse, në librin “ Letër e panjohur e Enver Hoxhës mbi Kosovën”, Tiranë 2002), ku Stalini i tërheq vëmendjen atij me këto fjalë: “Në qoftë se shqiptarët do të mbajmë qëndrim të drejtë, nuk do t’i shajnë shumë imperialistët, nuk do t’i cytin ata, por do të sillen më modestë , Shqipërinë askush s’ka për ta prekur”.
Mjerisht, Enver Hoxha nuk veproi kurrë kështu. Dhe madje “kërreu” edhe vepra, si “Imperializmi dhe revolucioni”, “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” dhe të tjera si këto, ku vendet perëndimore me Amerikën në krye i shau, siç thotë populli, “me nënë e me babë’. “Nga ky qëndrim, -vazhdon Ramiz Alia, -marrëdhëniet me botën e jashtme, nuk përparuan për disa kohë. Por ajo që e pësoi ishte ekonomia shqiptare, e cila përditë e më shumë kishte nevojë për investime të reja , siç kishte nevojë për import lëndësh të para. Bankat e ndryshme filluan të venë kushte. Ato arritën deri atje sa të ndalonin kreditë tregtare, duke kërkuar që çdo mall të blihet ‘cash’, me valutë në dorë. Kuptohet që për një vend si Shqipëria , rezervat e të cilit ishin të kufizuara në të gjitha drejtimet, këto kushte ishin të rënda dhe vështirësonin më tej përparimin e vendit. ’(faqe 276).
Falimentim, kapitullim, mjerim, ja çfarë nënkupton Ramiz Alia në fragmentin e mësipërm i librit me kujtime “Jeta ime”. Dhe të tëra këto si pasojë e politikës së diktatorit Enver Hoxha, që ishte izoluar vendin, pa marrë parasysh këto pasoja katastrofike. Dhe kur në Pjesën e 6-të të këtij libri Ramiz Alia nënvizon se dënimet e njëpasnjëshme të kuadrove kryesorë në fushën e kulturës, të ekonomisë e të ushtrisë, “…natyrshëm ngjallën shqetësime tek njerëzit , jashtë e brenda partisë, por edhe frikë e dyshime”, (faqe 277), dënime me të cilat besoj se Ramiz Alia dhe udhëheqës të tjerë të Partisë dhe shtetit, nuk pajtoheshin, del qartë se në ç’greminë po e rrokulliste Shqipërinë Enver Hoxha me politikën e tij paranojake.
Tani, me sa duket, për veprime të tilla ai nuk pyeste as për Byronë Politike, as për drejtues të tjerë, qofshin shokë të vjetër armësh. Ishte ai që në raportin e mbajtur në Kongresin e 7-të të PPSH-së, nëntor të vitit 1976, kritikoi botërisht teorinë kineze të ‘Tri Botëve “dhe zgjeroi edhe më shumë frontin e luftës kundër revizionizmit vetëm ai, ashtu siç pohon Ramiz Alia në libër dhe se “…me këtë front merrej drejtpërdrejt E. Hoxha. ’(faqe 278). Ramiz Alinë, si teoricien që mbulonte, siç e kemi thënë, edhe sektorin e Kulturës Propagandës, as ai as që e përfillte.
Vitet iknin. Vinte edhe Kongresi VIII, në nëntor të vitit 1981. Enver Hoxha nuk kishte më në krahun e djathtë Hysni Kapon, që ndërronte jetë më 1979 nga kanceri, i cili kishte mbuluar veç të tjerash edhe Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Brendshme, pra edhe Sigurimin, aq të kritikuar nga Ramiz Alia në librin e tij. Dhe në këtë kongres, në vend që Enver Hoxha të rishikonte gabimet trashanike që kishte bërë, të paktën që nga koha kur kishte prishur me Kinën, në vend që të ndryshonte në Kushtetutë nenet që pengonin marrjen e kredive, çuditërisht miratonte planin e “mbështetur plotësisht me forcat tona”, (faqe 284), një aventurë shumë e rrezikshme për fatet e popullit shqiptar, për të cilin Ramiz Alia shkruan në libër “. . se megjithë përpjekjet për të bërë një plan sa më real, përsëri jeta tregoi se ai nuk u përgjigjej kushteve që ishin krijuar”, se: “Shumë shpejt industria filloi të vuajë për lëndët e para sepse shtetit i mungonte valuta e nevojshme për t’i blerë ato në tregun kapitalist”, se: “… bankat tregtare të vendeve të ndryshme, duke njohur vështirësitë tona, ndërprenë kreditë tregtare për mallrat që nevojitshin nga jashtë”. (Po aty).
Shkurt, siç filluam të talleshim ne nëpër shtëpitë tona, që andej e tutje ne do të fillonim të zienim veprat gjeniale të Enver Hoxhës, këtij strategu të marksizëm-leninizmit dhe të ushqeheshim me to… “Në atë kohë dhe më pas, –vazhdon Ramiz Alia, -vetëm mendimi që mund të shfaqte me gjysmë zëri ndonjë ekonomist për nevojën e thithjes së kredive nga jashtë, pra për ndryshimin e këtij neni të Kushtetutë, quhej herezi dhe dënohej nga partia në pushtet. ”(pra, Enver Hoxha dora vetë, faqe 285).
Ç’tragjedi-komedi që po luante ky diktator i çmendur në kurriz të popullit!. . . Dhe Ramiz Alia vazhdon të kundërinterpretojë në librin e tij simfoninë “Shqipëria e mjerë socialiste”, të “kompozitorit” Enver Hoxha , ndaj shkruan edhe më ashpër dhe me sinqeritet kundër tij, sidoqë si ashtu si herët e tjera pa e cituar me emër: “Kështu, nga viti në vit, shfaqeshin dhe rriteshin vështirësitë. Mungesat në furnizimin e njerëzve me mallra të konsumit të gjerë, shtoheshin për ditë e më shumë. Gjithnjë e më shpesh mungonin në treg edhe gjërat më të nevojshme ushqimore, si qumështi e vezët, ndërsa mishi filloi të shpërndahet me tollonë. Për pasojë , jo vetëm që nuk u pakësuan, por filluan të shtohen radhët përpara dyqaneve shtetërore, gjë që sillte rritjen e pakënaqësive tek njerëzit. Ekonomia shqiptare, nga faza e stanjacionit gradualisht po kalonte në atë të krizës”. (po aty). Kur lexoja këto radhë, më kujtoheshin disa artikuj të botuar në gazetën “Shqiptari i Amerikës” të vitet 1920, që botohej Korçë, kur ky qytet kërcënohej nga zija e bukës. Pra, në Shqipërinë që sapo kishte nisur të kishte shtetin e vet , fill pas Luftës së Parë Botërore….
Ramiz Alia edhe kundër Mehmet Shehut dhe vetëvrasja ose vrasja e këtij të fundit
Dhe pikërisht në këtë periudhë kaq të rëndë që po kalonte populli ynë, siç e pamë ta pohonte vetë Ramiz Alia, i shtypur dhe i varfëruar skajësisht nga diktatura komuniste, Mehmet Shehu, kërkonte që në Kongresin e VII, që do të mbahej në nëntor të vitit 1976, siç shkruhet në libër, të shtrohej teza: “Sa më përpara shkon ndërtimi i socializmit, aq më tepër ashpërsohet lufta e klasave”, (faqe 293). “E nxirrte këtë konkluzion, -vazhdon Ramiz Alia, -duke u nisur nga ngjarjet gjatë viteve ‘70-të, pra të dënimeve që u dhanë ndaj grupeve ‘armiqësore’ në gjirin e Partisë, ndaj atyre të kulturës, ushtrisë dhe të ekonomisë… ”. ( po aty).
Ndonëse Enver Hoxha ishte mjeshtër i shtypjes, dhunës, krimit, po aq çiraku Mehmet Shehu, ai e nuk pranoi këtë tezë të formuluar kështu dhe, siç shkruan Ramiz Alia, në kongres e “zbuti” në këtë mënyrë: “Lufta e klasave herë rritet herë ulet, në raport me zhvillimin e gjendjes së brendshme dhe asaj ndërkombëtare”, ( faqe 293), që me fjalë të tjera, donte të thoshte se, sa herë që do të zbuloheshin “armiq” në parti dhe qeveri, ose sa herë do të kishte kriza në botë, ne, udhëheqja dhe, mbi të gjithë, edhe ju të Sigurimit, popullit, që e kemi katandisur keq e mos më keq, duhet t’ia futim këmbët në një këpucë, që të rrijë, siç ka ndenjur sus e bile edhe më sus.
Dhe ja e papritura më e paparashikuar! Ky Mehmet Shehu, “…që kishte fituar në sytë e të gjithë popullit besimin dhe respektin si pasardhësi i padiskutueshëm i E. Hoxhës, bindje që e kishim edhe të gjithë ne, anëtarët e Byrosë, -siç shkruan Ramiz Alia në librin e tij, -…pati një fund tragjik. Tragjedia e tij…filloi një ditë shtatori të vitit 1981, kur ai dha pëlqimin për fejesën e djalit të tij me një vajzë nga familja e Turdive që, sipas normave politike të kohës konsiderohej me qëndrim të dyshimtë politik”. (faqe 294). Në librin e tij Ramiz Alia shkruan se Enveri pas mbledhjeve në Byronë Politike, për këtë gabim të rëndë do të propozonte që Mehmet Shehut t’i jepej vetëm “vërejtje në kartën e regjistrimit”, (faqe 301). Por nuk është kështu. Fejesa ndodhi në shtator të vitit 1981, pra dy muaj para Kongresit të 8-të dhe Enver Hoxha, nga sa shihet, nuk ka dashur që ta sulmonte atë para kësaj ngjarjeje kaq të rëndësishme të partisë që bëhej çdo pesë vjet. Ndaj “viktima e tij e ardhshme” mbajti raportin e tij në kongres për problemet ekonomike, u zgjodh përsëri anëtar i Byrosë Politike dhe mbeti përsëri Kryeministër. Hesapet e tjera me të Enver Hoxha, si zakonisht edhe me viktima të tjera të tij, i la më vonë, pra pas kongresit.
Nuk dua të zgjatem në përshkrimet që i bën Ramiz Alia kësaj ngjarjeje që mori, pra përmasa të paparashikuara dhe që përfundoi me vetëvrasjen, ose vrasjen e Mehmet Shehut, shkaktuar nga trysnia paranojake e Enver Hoxhës, i cili në fillim e miratoi këtë fejesë, mori pjesë edhe në ceremoninë e saj, bëri edhe foto me të fejuarën nga klasa ‘armike’, por që babanë e kishte profesor të nderuar i Universitetit të Tiranës dhe që e ëma kishte qenë në fund të viteve ‘30-të dhe fillim të viteve ‘40-të shoqe e Nexhmijes në Institutin Femëror në Tiranë dhe pastaj pasi e thirri personalisht në zyrë e kritikoi dhe ktheu gjithçka përmbys.
Pra, Mehmet Shehu u detyrua ta prishte këtë “fejesë të mallkuar”, që u bë objekt i mbledhjeve të Byrosë Politike, ku iu nënshtrua një kritike të fortë dhe, ndonëse bëri autokritikë prej shumë faqesh, ajo nuk e kënaqi diktatorin. Si pasojë, ky burrë i hekurt, por mizor dhe i pamëshirshëm, u thye. Mendimi i përgjithshëm që u krijua pas kësaj tragjedie, është se Enver Hoxha mënjanoi një rival që mund t’i rrëmbente pushtetin, ndaj në të ashtuquajturën “tablo sinoptike” ai e ka karakterizuar Mehmetin si “poliagjent, si njeri në shërbim të sistemeve të ndryshme, që ka punuar për të përgatitur përmbysjen e pushtetit popullor”, (faqe 298), dhe përralla të tilla fantazmagorike që mund të pillte vetëm mendja e sëmurë e Enver Hoxhës.
“Nuk jam në gjendje të them asgjë lidhur me mendimet që ka pasur M. Shehu, -detyrohet të shkruajë Ramiz Alia në libër, -a ka ëndërruar dhe në veçanti a ka vepruar që të marrë pushtetin. Nga zhvillimi i ngjarjeve, por edhe duke pasur parasysh mentalitetin dhe qëndrimet e tij, jam i prirur të besoj se M. Shehu vazhdimisht ka pritur rastin për t’u bërë njeriu i parë i Shqipërisë. Por, a synonte ta bënte këtë gjë duke projektuar përmbysjen e vrasjen vetë Enver Hoxhës, këtë gjë nuk mund ta them siguri”, (faqe 302). Përfundim i pathemeltë, me të cilin Ramiz Alia përpiqet të mbështesë “tablonë sinoptike” të Enver Hoxhës. “Po të kishte qenë kështu, -gjykoja atëherë unë me shokë, -përse duhet të priste kaq gjatë Mehmet Shehu, të cilin në libër e përcakton si”…personalitet i njohur dhe i nderuar si në luftën e tij për çlirimin e vendit nga fashizmi, (kush nuk e njihte komandantin legjendar të Brigadës së Parë), ashtu si edhe si kryeministër të vendit për gati 28 vjet. Nuk kishte krahinë e zonë të Shqipërisë ku nuk ishte shkelur këmba e tij…Nuk kishte krahinë që në festën e saj të mos ketë pasur pjesëmarrës Mehmet Shehun!”. (po aty).
Në qoftë se Mehmet Shehu do të kishte pasur synim të mënjanonte Enver Hoxhën, përse duhej të priste kaq gjatë, kur edhe ai po mplakej, kur këtë synim mund ta kishte realizuar që nga vitet e Luftës, kur sipas Enver Hoxhës, “u rekrutua si agjent anglo-amerikan’, në tetor të vitit 1944 në Mbledhjen e Beratit, kur u vu në shënjestër, aq sa u detyrua të bënte një autokritikë qaramane, në të cilën dëshmonte se gjatë luftës kishte qenë i paaftë për të kryer detyrat si komandant?!….
Dhe kjo vrasje, a vetëvrasje, ndodhte, siç vë në dukje edhe një herë Ramiz Alia, kur: “Situatën në përgjithësi e rëndonte edhe fakti se vështirësitë ekonomike kishin filluar të shfaqeshin gjithnjë e më shumë. Sidomos nuk po u vinte fundi radhëve për të siguruar qumështin e vezët, për të mos folur pastaj për mungesat që kishte në treg për mallra industriale. Kuptohet së këto vështirësi ndikonin negativisht në gjendjen moralo-politike të njerëzve. Por lufta e brendshme nuk kishte të pushuar. ”(po aty). Dhe, siç do të shohim, nuk do të pushonte…
(vijon në numrat e ardhshëm)