Ramiz Alia, kritik i ashpër i Enver Hoxhës!
Një analizë e librit të Ramiz Alisë, “Jeta ime”
Nga Skifter Këlliçi
Prolog
Një buzëmbrëmje, fundmarsi të vitit 1991, pesë ditë para zgjedhjeve të para pluraliste 31 marsit të atij viti, pranë një shtëpie tiranase, aty nga fillimi i rrugës “Dervish Hekali”, u ndal një veturë. Prej saj zbriti një burrë disi moshuar, i veshur me një pardesy të hirtë dhe i shoqëruar nga një burrë tjetër, më i ri, që priste para derës së kësaj shtëpie, u fut brenda në oborrin e saj, ku prisnin dhe burra të tjerë.
Ky ishte Ramiz Alia, sekretari i Parë i PPSH-së, pra trashëgimtari i Enver Hoxhës, që ishte njëherësh dhe Presidenti i Shqipërisë. Kishte ardhur fshehurazi për t’u takuar me komunistë veteranë të kësaj zone, ku ai ishte kandidat për t’u zgjedhur deputet (?!). Po në atë zonë ku banorët e saj kishin votuar gjithnjë dhe një zëri për shokun Enver…Natyrisht që, ishin të pranishëm, u foli sërishmi për këtë bir të madh të partisë dhe popullit tonë që ia kishte ndritur faqen vendit duke i dhënë lirinë dhe lumturinë që nuk kishte pasur kurrë. Dhe, mbi të gjitha, i porositi, ose më shkoqur, thuajse iu përgjërua, që ata të bënin ç’ishte e mundur që tërë banorët e asaj zone t’i bindnin të votonin për të, ndonëse disa ditë më parë ishte takuar dhe kishte folur me shumë e shumë prej tyre edhe në një mbledhje të disa ditëve të mëparshme të mbajtur në një shkollë të madhe të asaj zone.
Për të tëra këto që ndodhën në atë shtëpi, më rrëfeu të nesërmen njeri prej atyre që u ndodhën në atë mbledhje, i cili ishte një i afërmi im familjar. Dihet që PPSH-ja me dhunë dhe manipulime fitoi në ato zgjedhje, por jo Ramiz Alia. Koka e partisë dhe e popullit nuk u zgjodh deputet!. Edhe pse si zakonisht ngriti në qiell në atë takim figurën e Enver Hoxhës. Kjo ka ndodhur pothuajse 25 vjet të shkuara. Dhe deri në vitin 2010, para se të botonte librin e tij të fundit “Jeta ime”, Ramiz Alia nuk kishte shqiptuar dhe shkruar qoftë dhe një fjalë kundër Enver Hoxhës. Kurse në librin e mësipërm, siç do të shohim, në këtë cikël shkrimesh, ai, njëmend bën vlerësime nga ato që ishim mësuar t’i dëgjonim e lexonim në fjalimet, a në veprën e tij “Enveri ynë”, botuar më 1986-n një vit pas vdekjes së tij, por edhe merr zemër edhe ta kritikojë. Ndaj lexuesi i zakonshëm mbetet i habitur, kur titulli i këtij dosjeri është “Ramiz Alia kritik i ashpër i Enver Hoxhës”. Shprehem kështu, sepse në librin e tij jo vetëm e kritikon, por në një mënyrë ose në një tjetër, hedh poshtë veprën dhe sistemin komunist, që ky “Stalin shqiptar” ngriti gjatë më shumë se 40 vjet bë të sundimit të tij gjakësor, pavarësisht se hera-herës e lartëson figurën e tij… Madje, ka edhe guximin që t’i kërkojë edhe falje popullit shqiptar, për të gjitha pasojat që ranë në kurrizin e tij gjatë regjimit komunist të drejtuar nga Enver Hoxha.
Kështu Ramiz Alia në faqet e librit të tij vërteton se si rezultat i kësaj rruge marksiste-leniniste, kinse origjinale, “të krijuar” nga Enver Hoxha, veçanërisht pas vitit 1961, kur u ndanë vendet revizioniste me Bashkimin Sovjetik në krye dhe të ndjekur prej tij, në vitin 1990, Shqipëria ishte katandisur në këtë gjendje: “Industrisë i mungonte lënda e parë, gjë që e detyroi qeverinë të ndalojë punën në disa fabrika. Të ardhurat nga eksporti nuk mjaftonin për të sjellë mallrat më të domosdoshme, për të cilat kishte nevojë vendi. Thatësira e një viti më parë kishte krijuar deficite të ndjeshme, sidomos për sigurimin e bukës për popullsinë. Papunësia shtohej, veçanërisht në disa qytete të mëdha, si: në Tiranë, në Durrës, Shkodër, Elbasan, Vlorë etj.. Valuta e lirë që dispononte Banka Kombëtare kishte mbaruar, ndërsa për të kërkuar kredi, as që mund të bëhej fjalë, askush nuk i jepte Shqipërisë’, (faqe 332 e librit “Jeta ime”, kujtime, 2010).
Përse Ramiz Alia u kujtua kaq vonë, pra në moshën 85-vjeçare të kritikonte Enver Hoxhën dhe sistemin stalinist që ai ndërtoi? Sepse e ndiente se së shpejti do të ndahej nga kjo botë dhe do të merrte kështu me vete një peng kaq të madh? Ta kritikonte Enver Hoxhën më 1985-n, pra menjëherë pas vdekjes së tij, ashtu, siç bëri Hrushovi në Kongresin e 20-të të PK të BS, që kritikoi hapur dhe ashpër Stalinin për krimet mizore që ai kishte kryer gjatë sundimit të tij diktatorial, ai kurrë nuk pati guxim.
Lind pyetja: I njohu që në vitet e para të vendosjes së regjimit diktatorial të Enver Hoxhës këto gabime dhe faje, me pasoja shumë të rënda për popullin shqiptar, apo nisi të kuptonte më vonë?
Siç dëshmon në faqet e librit të tij jetëshkrimor, një pjesë të tyre Ramiz Alia i kuptoi që atëherë dhe një pjesë më vonë…Të mos harrojmë se ai gjatë LANÇ-it, nuk qe ndonjë figurë e njohur dhe nuk pati ndonjë pozitë të rëndësishme në parti, po të marrim parasysh se qe kryesisht në udhëheqje të organizate së rinisë komuniste të Brigadës VII dhe Divizionit V. Më 1948 në Kongresin e Parë të PPSH-së u zgjodh anëtar i KQ të PPSH-së dhe Sekretar i Parë i KQ të Bashkimit të Rinisë së Punës. Pastaj gjatë viteve 1951-‘54 kreu studimet në Shkollën e Lartë të Partisë në Moskë dhe në vitet 1955-‘58 qe ministër i Arsimit. Dhe vetëm më 1961, në Kongresin e IV të PPSH-së u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe u caktua shefi i sektorit ideologjik, në vend të Liri Belishovës që dënua dhe internua për gabime të mëdha ideologjike dhe u ndodh kështu pranë Enver Hoxhës. Dhe u bë trashëgimtari i Enver Hoxhës krejt papritur, pas vdekjes së Hysni Kapos më 1979 dhe pas vetëvrasjes, a vrasjes së Mehmet Shehut, dy vjet më pas, më 1981, për më tepër, sepse u lidh dhe krushqi me diktatorin gjakatar, pasi një mbesë e tij u martua me djalin e parë të këtij të fundit.
Duke kuptuar një pjesë të gabimeve që ishin bërë deri atëherë e më pas, siç i përshkruan ai në librin e tij, a pati Ramiz Alia kurajë t’ia shtronte ato udhëheqësit të madh?…Kurrë!. . Ai e dinte se si e kishin pësuar Sejfulla Malëshova, Bedri Spahiu, Tuk Jakova ose dhe Liri Belishova që përmenda pak më parë, dhe të tjerë. Jo vetëm kaq, por ai, edhe pa vdekjes së Enver Hoxhës, nuk bëri gjë tjetër, veçse u betua dhe u stërbetua se do të vazhdonte rrugën e udhëheqësit më të madh që kishte pasur historia e popullit shqiptar, ndonëse ishte i ndërgjegjshëm se ajo ishte rrugë pa krye.
Por le të ndalemi më mirë në këto përcaktime, të cituara nga libri i tij “Jeta ime”, (Kujtime),
Ramiz Alia, pohon krimet e Enver Hoxhës që në vitet e para të regjimit komunist
“Dëshira për të kapërcyer sa më shpejt prapambetjen që trashëguam, -shkruan Ramiz Alia në hyrjen e librit të tij “Jeta ime”, (faqe 8), -si dhe nevoja për të përballuar prapambetjen, presionet e rrethimit kapitalist, ka ndikuar që në disa drejtime të shpejtoheshin ritmet e zhvillimit , të nxitohej për reformimin e shoqërisë, sidomos në drejtim të shtetëzimeve dhe shoqërizimit në përgjithësi, të shtoheshin investimet në fushën e mbrojtjes etj.”. Duke lexuar këto radhë, na kujtohet menjëherë veprimtari politik, poeti dhe publicisti i shquar, Sejfulla Malëshova. (1900-1971) , i cili menjëherë pas çlirimit u shpreh për garantimin e pronës private dhe të iniciativës private”, (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, faqe 1606, botimi ri, 2008).
Por Malëshova, për këto ide të shprehura në Byronë Politike, sekretar i parë i së cilës ishte Enver Hoxha, në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist, u kritikua ashpër nga diktatori që e shkarkoi nga çdo detyrë ë parti dhe qeveri, pastaj edhe internoi në një fshat të Fieri, ku edhe vdiq i vetmuar më 1970. Dhe të mos harrojmë se kur Stalini në një bisedë me Enver Hoxhën, më 23 mars 1949, e pyet atë nëse brenda Shqipërisë ka borgjezi tregtare dhe kur Enver Hoxha përgjigjet se, “…në Shqipëri ka borgjezi tregtare, por ajo s’ka as fabrika, as dyqane, as shtëpi, se të gjitha ia janë marrë’” , tirani i tmerrshëm sovjetik ia kthen: “…Kjo nuk është gjë e mirë. Borgjezia kombëtare do të mund të ndihmonte për të prodhuar disa mallra për të bërë një farë tregtie deri sa të forcohet shteti”. (“Shënime nga biseda e J. V. Stalinit me Enver Hoxhën mbi marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave , politikën e jashtme dhe të brendshme të Shqipërisë”, Moskë, 3 mars 1949, ora 22. 00, tepër sekret, sipas dokumenteve të Arkivave Ruse, faqe 69 e librit “Letër e panjohur e Enver Hoxhës mbi Kosovën”, përgatitur nga Ymer Minxhozi, Tiranë 2002) .
Vlen të theksojnë me këtë rast se Enver Hoxha në librin e tij “Kujtime me Stalinin” nuk i ka përfshirë këto vërejtje që, ashtu si Sejfulla Malëshova, ia bënte atij edhe Stalini.
Ramiz Alia e quan gabim dhe shtimin e investimeve në fushën e mbrojtjes. Doemos, po të kujtojmë të paktën fortifikimet, tunelet dhe sidomos bunkerët që mbinë anekënd vendit, deri në kodrat më të skajshme, ”për të përballuar sulmet nga armiqtë borgjezo-revizionistë”, që rrethonin Shqipërinë, të cilat ekzistonin në trurin e tij të ndezur, që kushtuan me miliona e miliona, lekë me të cilat mund të ndërtoheshin lagje dhe qytete të reja. As për këto Ramiz Alia nuk e quan të arsyeshme ndalet të shkruajë në librin e tij.
Më poshtë ai vazhdon:
“Nuk po flas pastaj për prirjen drejt një barazitizmi në shpërblim, i cili cënonte interesin indvidual. Natyrshëm, për pasojë, u frenuan ose u prekën në një masë të caktuar kushtet e jetesës dhe interesat e individit…”.
Vetëkritikë e saktë, të cilën duhej ta bënte edhe Enver Hoxha, po të kishte qenë gjallë, në fillim të viteve ‘90-të, kur u shemb regjimi komunist. Mirëpo, kur Kadareja nënvizonte në romanin e tij ‘Dimri i vetmisë së madh’, (1973), se “…në socializëm vazhdon lufta midis të aftëve dhe të paaftëve dhe të parët që rrëzohen janë të aftit”, emisarët e ideologjisë enveriste, ndër të cilët edhe vetë Ramia Alia, e kritikonin këtë shprehje si shtrembërim të realitetit socialist në vendin tonë dhe si pasojë, romani edhe për shtrembërime të tjera ideologjike, i nënshtrohej një rishikimi të ashpër dhe të imtë dhe autori, veç të tjerash, në variantin e dytë të ripunuar dhe të botuar me 1977, detyrohej të hiqte këtë pohim kaq përvëlues dhe kaq të saktë, që trondiste regjimin komunist.
Vazhdojmë më poshtë:
“…në emër të interesave të përgjithshme …iu hap rrugë në një masë ose në një tjetër deformimeve dhe veprimeve të pajustifikuara në emër të luftës së klasave, kufizimit të lirive të individit.
Jo rrallë organet e diktaturës, veçanërisht ato të Sigurimit të Shtetit i kapërcenin kompetencat e caktuara me ligj. Kështu, si pasojë e deformimeve të ndryshme kanë vuajtur padrejtësisht edhe njerëz të pafajshëm, bile edhe familjet e tyre, , duke u djegur kështu në disa raste edhe ‘njomi me të thatin”.
Tjetër pohim i saktë, sadoqë i vonshëm, me të cilin do të hasemi edhe në faqe të tjera të këtyre kujtimeve .
Në librin e tij “10300 ditë e net në burgjet komuniste” Pjetër Arbnori , i dënuar me vdekje që iu shndërrua në më tepër se 28 vjet burgim politik, (maj 1961-gusht 1989), veprimtar i shquar antikomunist, shkrimtar, publicist, të cilin Ramiz Alia, pasi zëvendësoi më 1895, diktatorin, nuk “u kujtua” me ndonjë amnisti që ta lironte nga qelitë dhe kampet e përqendrimit’, shkruan:
“Kur nuk ekzistonte armiku, krijoje- ky ishte parimi i komunizmit. Sipas dëshmive, Enver Hoxha i kërkoi Koci Xoxes një listë ‘armiqsh’, që duheshin goditur. Koci paraqiti tridhjetë emra.
“Ç’është kjo pusullë? Po tallesh?”-i tha diktatori kryexhelatit. Shkoi Koci, bëri një listë tjetër prej 300 emrash. “Ti s’ke kuptuar asgjë nga lufta e klasave” , -i tha ai duke e kthyer mbrapsht. Hartoi Koci një listë prej 3000 ‘armiqsh’. “Tani ke nisur të kuptosh diçka”, -i tha Enver Hoxha, (faqe 11 e veprës së mësipërme, 2003).
Sidoqë në këtë të vërtetë, duke kaluar gojë më gojë, mund të ketë ndonjë teprim, thelbi i saj nuk ndryshon. A nuk ishte vetë Enver Hoxha që ende pa vënë këmbë në Tiranë, që nga Berati, në fund të tetorit të vitit 1944, dha urdhër që të pushkatoheshin pa gjyq 34 intelektualë dhe ushtarakë?
Lidhur më këto krime makabre, ja si i mburrej Enver Hoxha që ato ditë së bashku me qeverinë, pritej të vinte në Tiranën e çlirohej, emisarit serb Stojanic:
“Po vriten në Tiranë me duzina njerëz dhe oficerë të dorës së dytë , të cilët, duke pasur besimin e plotë edhe në shpalljen tonë, dorëzohen. Një punë e tillë nuk është okazionale, por është tërë tona, që i është dhënë punës organizative të partisë dhe ushtrisë. Shokët mendojnë vetëm të zhdukin, bile edhe një njeri që nuk është me ne, që s’mendon si ne, të zhdukin bile edhe njerëz të thjeshtë të popullit …”, (Bedri Alimehmeti, “Tirana e përgjakur”, (AQSH, Fondi 14, Dosja 2/a).
Ja kështu veproi Enver Hoxja dhe banda e tij sapo vunë këmbë në Tiranën e çliruar prej tyre. Mirëpo, çuditërisht këto fakte kaq të lemerishme Ramiz Alia nuk ka guxim t’i përmendë në librin e tij “Jeta ime”.
Sidoqoftë, në kapitujt e tjerë të këtij libri ai vazhdon të mbajë qëndrim kritik ndaj Enver Hoxhës. (vijon..)