Raport-vlerësimi për programet elektorale të partive: S’kanë instrumente për rritje ekonomike të mjaftueshme
Instituti Europian Pashko ka prezantuar sot për mediat një raport-vlerësim mbi Programet Elektorale të Partive Politike për zgjedhjet e përgjithshme, 2017.
Ai vlerësoi se është pozitive fakti që në programet elektorale është tendenca e uljes së taksave tek tre partitë, ku del në pah nevoja për kthim tek taksa e sheshtë.
“IEP e konsideron si një qasje të drejtë vlerësimin që të tre partitë e mëdha politike, PS, PD dhe LSI kanë në raport me politikat e taksimit, posaçërisht me tatimin mbi punën dhe kapitalin. Rritja e tatimit mbi punën dhe kapitalin ka ndikuar negativisht si në zgjerimin e punësimit ashtu dhe në mosshfrytëzimin e kapaciteteve që ka ekonomia për më shumë invetsime private, vendase dhe të huaja.
Duke shprehur preferencën tonë të qartë për rikthimin e modernizuar të taksës së sheshtë, ne mbështesim edhe nismat e dy forcave të tjera politike që ruajnë tatimin progresiv por duke arritur në një reduktim të ndjeshëm të barrës fiskale”- thuhet në raportin me 8 pika të Institutit Europian Pashko.
Por Xhepa thekson se programet elektorale ofrojnë premtime të pajustifikuara me burime financiare, gjë që është me rreziqe nga pikëpamja e stabilitetit financiar.
Ai theksoi se qeverisja e ardhshme duhet t’i kushtojë një vëmendje më të madhe investimeve publike në arsim dhe shëndetësi dhe liberalizimin e këtyre tregjeve.
Aktiviteti u zhvillua në bashkëpunim me televizionin Scan. Drejtori i Informacionit të këtij televizioni, Enio Civici, propozoi një pakt 10-vjeçar mes partive kryesore për një stabilitet makro-ekonomik të Shqipërisë.
“SCAN propozon hartimin e një pakti kombëtar 10 vjeçar me qëllim qëndrueshmërinë e financave publike dhe ofertës ekonomike të Shqipërisë. Prezantimi i Shqipërisë duhet të jetë i zgjatur dhe i qëndrueshëm në kohë pavarësisht partisë në pushtet”- tha Civici i cili argumentoi se ky pakt duhet të përfshijë stabilitetin e politikave fiskale, investimet, punësimin, etj.