Raportet ekonomike të Shqipërisë me sistemin shumëpalësh

Nga Riva Goga/Megjithëse vend anëtar në OKB (Organizata e Kombeve të Bashkuara) që në vitin 1955 dhe në OBT (Organizata Botërore e Tregtisë) që në vitin 2000, Shqipëria ka mundur të gëzojë frytet e bashkëpunimit me to shumë vonë, sidomos me OKB. Shkaqet sigurisht lidhen me politikën komuniste të izolimit, që zgjati deri në fillim të viteve `90. Pas vendosjes së sistemit të demokracisë në Shqipëri, qeveritë shqiptare kanë përpunuar politika të bashkëpunimit ekonomik me OKB dhe atë tregtar me OBT, në dy drejtime: E para, për të mundësuar zbatimin në ekonominë shqiptare të projekteve të ndryshme zhvillimi (infrastrukturë, biznes, sistemin financiare, bujqësi dhe pyje, mbrojtjen e ambientit, kuadri ligjor dhe standartizimi, dogana dhe sistemi tatimor etj) dhe, e dyta, në drejtim të forcimit të pjesëmarrjes së Shqipërisë në sistemin shumëpalësh të marrëdhënieve, për të dhënë kështu kontributin e saj në ndërtimin e strategjive dhe platformave të aktivitetit të organizatave në fjalë.

Në kuadër të OKB, ka qenë dhe mbetet Gjeneva si selia e OKB ku organizatat  saj ekonomike ushtrojnë aktivitet ekonomik shumëpalësh (selia qendrore në Nju Jork mbetet gjithmonë qendra politike dhe vendimmarrjes së OKB) dhe ku bashkëpunimi i Shqipërisë me to është rritur nga viti në vit. Ndër to, Komisioni Ekonomik Europian (ECE), zë një vend të privilegjuar nëpërmjet një seri projektesh, të cilët implementohen prej vitesh si ato në fushën e infrastrukturës rrugore (sigurisë dhe sinjalistikës), urbanizimit, çështje të menaxhimit të ujërave dhe masat për ndotjen e ajrit, menaxhimin e territorit dhe strehimi, përshi barrierat në tregti sipas standardeve europiane. Mbështetur të Axhenda 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG), Shqipëria bashkëpunon dhe merr ekspertizë nga ky Komision për ndërtimin e Strategjisë së saj kombëtare në këtë sektorë të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik.

Organizata tjetër- Konferenca për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD), fokusohet në përpunimin e politikave ekonomike ndërkombëtare dhe rajonale të zhvillimit ekonomik-social, ku ekspertët ndërtojnë dhe ofrojnë platforma orientuese dhe rekomanduese për qeveritë e vendeve anëtare. Nisur nga pesha ekonomike e vendit tonë, kontributi në sistemin e politikave të kësaj organizate është modest. Por, ne drejtimin dypalësh, bashkëpunimi është rritur nëpërmjet implementimit të disa projekteve si p.sh në sistemin doganor, ku UNCTAD ka ofruar asistencë teknike e financiare nëpërmjet programit ASYCUDA, apo atë të menaxhimin e borxheve dhe analizën financiare, DMFAS.

Si një organizatë që ofron opsione të politikave të zhvillimit nëpërmjet negociatave, në fokus të aktivitetit të UNCTAD aktualisht është Konferenca e tij ministeriale, qe do te mbahet ne korrik 2016 në Kenia, e cila do të ofrojë një platformë zhvillimi ndërkombëtare për 4 vitet e ardhshme. Delegacionet e vendeve anëtare – përfshi dhe delegacionin shqiptar (Misioni i RSH ne Gjeneve), janë duke zhvilluar negociata mbi këtë dokument, që prej dhjetorit 2015. Por, ndërmjet këtij intervali 4-vjeçar, segmente të UNCTAD zhvillojnë rregullisht mbledhje të Komisioneve dhe Gupeve të Punës, ku analizohen dhe jepen rekomandime konkrete për politikat ekonomike në nivel kombëtar dhe rajonal. Kështu p.sh, Shqipëria ka qenë pjesëmarrëse në panelin e korrikut 2015, për Shqyrtimin e Politikave të Konkurrencës, dhe aktualisht është duke u përgatitur në këtë format, por në nivel rajonal. Gjithashtu, Shqipëria ka shprehur interesin e saj për Shqyrtimin e Politikës së Investimeve, një format tjetër ky i cili mund të realizohet së shpejti edhe në nivel rajonal, duke ndihmuar shumë ne integrimin ekonomik e tregtar të rajonit.

Ndër organizatat ekonomike-tregtare jo të sistemit të OKB, por që është shumë e lidhur me të, është Organizata Botërore e Tregtisë, më 163 vende anëtare. Anëtarësuar në vitin 2000, Shqipëria po rrit gjithmonë e më shumë pjesëmarrjen aktive të saj në negociatat që zhvillohen sidomos për regjimin tregtar tarifor të produkteve të bujqësisë, tregtisë në shërbime, dhe ato industriale. Së fundi, Shqipëria konkludoi pjesëmarrjen e saj në negociatat për marrëveshjen ITA (Information Technology Agreement) të përbërë nga 29 vende, si dhe ka ratifikuar marrëvshjen e shkëmbimeve të lira të tregtisë (TFA) ndër të tjera.

Ngjarja më e madhe dhe suksesi më i dukshëm i Shqipërisë në marrëdhëniet e saj me OBT ka qenë mbyllja me sukses e Shqyrtimit të Politikës së saj Tregtare (TPR), në mes të muajit maj 2016. Në këtë aktivitet dy-ditor, qeveria shqiptare ka marrë vlerësime për stabilitetin makro-ekonomik, politikën tregtare rajonale, reformat strukturore dhe institucionale, respektimin e rregullave dhe normave të OBT në sistemin doganor, tatimor, investimet dhe shërbimet, si të marrëveshjes anti-dumping. Por, vendet anëtare dhe raporti i Sekretariati ka bërë edhe një seri rekomandimesh, si p.sh në fushën e punësimit apo pjesëmarrjes në marrëveshjen e prokurimeve qeveritare.

Dimensioni ekonomik i pjesëmarrjes së Shqipërisë në Gjenevë nuk mbaron këtu. Organizatat që trajtuam janë ndër më kryesoret por, aktivizimi me delegacione dhe grupe pune nga Tirana është zgjeruar së fundmi edhe me të tjera organizata p.sh ajo mbi Patentat dhe Drejtën e Autorit (ËIPO), Qendrën Ndërkombëtare të Tregtisë (ITC), apo Programin Europian të Mbrojtjes së Ambientit (UNEP) në një seri konventash të saj, duke e shndërruar Gjenevën në një destinacion të rëndësishëm të bashkëpunimit të Shqipërisë, por gjithashtu edhe si destinacion, ku vendi ynë përpiqet të japë kontributin e tij në sistemin shumëpalësh ekonomik-tregtar.

SHKARKO APP