Reforma e strehimit, Rama: 4000 kredi të buta në 2027 për çiftet e reja, aplikimi nis në nëntor 2026
Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të enjte Programin e ri Kombëtar të Strehimit, duke theksuar se nisma synon të ndryshojë qasjen ndaj strehimit, veçanërisht për familjet e reja dhe të rinjtë. ”Nuk është një program i ri kombëtar thjesht dhe vetëm financiar, por është një program i ri kombëtar si mishërim i një reforme strukturore shumë të thellë”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se programi parashikon 2 mijë kredi me interes 0% për apartamente me vlerë deri në 60 mijë euro, si dhe 2 mijë kredi me interes 3% për apartamente me vlerë mbi 60 mijë euro. Rama njoftoi gjithashtu se tavani i të ardhurave për përfituesit do të rritet në 280 mijë lekë neto në muaj, ndërsa kredia maksimale që mund të përfitohet do të rritet nga 12.5 milionë lekë në 17-20 milionë lekë. Aplikimi do të nisë në nëntor të këtij viti.
Sipas kryeministrit, reforma përfshin gjashtë programe të reja, ndërsa i pari lidhet me banesat sociale me qira. Skema do të zgjerohet përtej ndërtimit të banesave të reja, duke përfshirë edhe blerjen e banesave në treg, përshtatjen e objekteve shtetërore ose të konfiskuara, bonusin e qirasë dhe partneritetin publik-privat.
”Do të përdorim të gjitha instrumentat për të garantuar një ofertë të gjerë për ata që duhet dhe do të mund të marrin banesë sociale me qera”, tha Rama. Kryeministri theksoi se programi vjen në një kohë kur vështirësitë për sigurimin e një banese janë shtuar, duke e cilësuar strehimin si një problem jo vetëm shqiptar, por edhe europian. Drafti i ligjit për reformën e strehimit pritet të kalojë fillimisht në konsultim publik dhe më pas në Kuvend.
KOHA JONË SONDAZH

