Reforma në Drejtësi, ambasadorët dhe i kujt është turpi?
Nga Ardit Rada/ Ndërkohë që pak orë na ndajnë nga ‘qoka’ e ambasadorëve Lu dhe Vlahutin parti më parti, pikëpyetjet se çfarë do të ndodhë shtohen oraorës. Në fakt, është e kotë të presësh diçka prej dy emisarëve politikë të Amerikës dhe Evropës përveçse mesazheve të koduara diplomatike. Ka qenë dhe mbetet e tillë Shqipëria, vendi ku çdo i huaj që përfaqëson kancelarinë respektive, ta shohë si një kavalishencë pse jo për të kaluar edhe pleqërinë.
Shembujt janë të shumtë, por rasti nuk na e lejon t’i përmendim me emra ambasadorët që kanë marrë dhjetëra dynym tokë, apo ish-gjeneralë që drejtuan NATO-n në çlirimin e Kosovës dhe morën nga Shqipëria kontrata kazinosh. Apo ishsekretarë shteti, që në Kosovë mprehën kthetrat për HEC-e etj.
Ditët e miratimit të Reformës në Drejtës numërohen tashmë me gishtat e dorës. Shqipëria ditët, apo orët e fundit, po i ngjan gjithmonë e më shumë një vendi që po i nënshtrohet një protektorati euroatlantik. Ka qenë një dëshirë e heshtur e shqiptarëve kjo, e nisur ndoshta pra viteve 90, kur here me zë e herë pa zë shprehnin duke shfryrë togfjalëshin ‘si nuk na mori gjermani’, referuar luftës së dytë botërore. E pra, dëshira po bëhet realitet.
EULEX po vjen dhe në Shqipëri, ndërsa ata që dridhen më shumë prej këtij fakti mbeten ata që çirren e çjerrin më tepër për drejtësinë e munguar prej kohësh. E bërë tashmë fakt, skena politike po kërkon të gjejë kompromisin mes vetes nën telefonatat dhe takimet që mes palëve që ne nuk mund t’i shohim, por i marrim me mend,,, Ndërsa mazhoranca e ka dhënë ‘OK’ e saj që prej vitit 2013 duke e përfshirë Reformën në Drejtësi si një premtim elektoral, opozita e mbetur ngushtë po kërkon që Lu dhe Vlahutin t’i thotë një fjalë të mirë publikisht sonte në tavolinë qoftë dhe sa për sy e faqe, por që ta përdorë si bashkëautorësi në suksesin e ardhshëm. Damkosjen me turpin e artikuluar para shqiptarëve edhe mund ta pranojnë, sepse me popullin e saj lëkura është regjur me kohë. Por një turp i paraljmëruar me SHBAtë, zor se kapërdihet. E gjithë atmosfera të jep përshtypjen se llogaritë çalojnë diku, ose janë bërë aq mirë saqë Strasburgu nuk do t’i sjellë sërish letra shtetit.
I zhgënjyer nga situata politike, që do të shënonte më pas ngjarje të dhimshme për fatin e shqiptarëve, At Gjergj Fishta lëshonte dëshpërimisht vargjet ‘Uh Evropë, ti kurva e motit, Qi i rae mohit bese t’Zotit’… Sot, asaj pjese të Evropës dhe të botës që i ka mbetur një fije shpresë te Shqipëria, i rrotullohet në mendje një pikëpyetje të madhe mbi ne. Kush do ta tradhtojë kauzën e madhe të bashkimit të Shqipërisë me Perëndimin? Uroj që shkaktarët të mos jemi ne. Sepse në të kundërt bota dashamirëse apo hileqare, nuk ka nge të na thurë qoftë edhe 4 vargje. (Javanews.al)