Reforma në transport, 326 linja autobusësh në gjithë vendin

Në të gjithë vendin do të operojnë gjithësej 326 linja ndërqytetase nga 588 që ishin më parë. Në kuadër të reformimit të transportit ndërqytetas, ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka publikuar rrjetin e linjave ndërqytetëse, stacionet e qëndrimit dhe oraret për secilën linjë, që do te fillojë të zbatohet në 1 Janar 2017.

“Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës në zbatim të ligjit nr. 10/2016, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8308, datë 18.03.1998 “Për transportet rrugore”, të ndryshuar, publikon Rrjetin e linjave ndërqytetëse, stacionet e qëndrimit dhe oraret për secilën linjë, që do te fillojë të zbatohet në 1 Janar 2017. Në kuadër te reformës në transportin ndërqytetës, rrjeti i ri i linjave është përcaktuar pasi ka kaluar procedurat e modelimit dhe të konsultimit me përfaqësuesit e bashkive respektive dhe shoqëritë që shërbejnë sot në transportin ndërqytetës. Konsultime që u zhvilluan për 6 muaj.

Po ashtu, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës në zbatim të ligjit të mësipërm, ka hartuar Udhëzimin “Pёr kriteret, rregullat dhe dokumentacioni për lëshimin e liçencave dhe çertifikatave për ushtrimin e veprimtarisë në transportin rrugor të udhëtarëve me autobus brenda vendit”. Me udhëzimin e ri, është përcaktuar që gjithsej në gjithë vendin do të operojnë 326 linja ndërqytetëse, nga 588 që ishin më parë”, sqaron ministria.

Po ashtu ministria sqaron se operatorët duhet të përfundojnë procedurat ligjore e financiare të bashkimit në një shoqëri të vetme, për t’u licencuar pa konkurrim.

“Nëse operatoret/shoqëritë ekzistuese të transportit, nuk arrijnë me vullnetin e tyre të lirë të krijojnë shoqërinë e re, do të humbasin të drejtën e licencimit, dhe procesi i përzgjedhjes së shoqërisë që do të operojë në grupin e linjave të bashkisë përkatëse, do të përzgjidhet nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, nëpërmjet një procesi ankandi të hapur”, deklaron ministria.

SHKARKO APP