Reforma/ Nis së shpejti aksioni për kontrollin e lidhjeve të paligjshme të ujit
Në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste, Kryeministri Rama ka njoftuar nisjen së shpejti e reformës së ujit.
Konkretisht ai ka deklaruar se gjatë kësaj jave me kryetaret e bashkive, por edhe me ndërmarrjet e ujit do të zhvillojnë një takim për të lançuar projektin e reformës se ujit.
“Do të bëjmë thirrje publike mirëkuptimi për të gjithë qytetarët duke iu dhënë një afat që të rregullojnë gjendjen e paligjshmërisë. Do të ketë një afat disa mujorë për ata që shkelin Kodin Penal në raport me furnizimin me ujë. Do të ketë afat për ata që vjedhin këtë mall që njësoj si energjia nuk është një mall Zot. Sot ne kemi një situatë, ku në Tiranë ndërmarrja e ujësjellësit del me fitim, ndërkohë që fitimi garantohet nga ata që paguajnë. Një pjesë e konsiderueshme e konsumatorëve nuk e paguajnë ujit, është koha për të bërë shtet në sektorin e ujit”, u shpreh Rama.
Kryeministri ka njoftuar nisjen e aksionit për prerjet e lidhjeve të paligjshme të ujit, ndërkohë nga ana tjetër ka njoftuar edhe krijimin një pakete sociale për të mbrojtur familje në ndihmë ekonomike për pagesat e ujit
“Do të fillojmë prerjen e masive për lidhjet e paligjshme të ujit, ne po përgatisim në bashkëpunim me MF paketën e mbrojtjes sociale për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike, që ata të mos e ndjejnë barrën për tarifat e ujit”, u shpreh Rama.