Regjistrimi i bizneseve në QKR, si ndryshon ligji?

Procesi i regjistrimit, por edhe ai i çregjistrimit të bizneseve pranë QKR-së, do të shoqërohet tani e tutje me disa ndryshime. Dhe kjo, falë disa të tillave që i janë realizuar ligjit ekzistues për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Tashmë i zyrtarizuar në Fletoren Zyrtare, ligji i ri përcakton edhe disa shtesa në lidhje me dy proceset e lartpërmendura që kanë të bëjnë me biznesin. Ja cilat janë disa prej tyre …

Detyrimi për regjistrim

1.Subjektet që detyrohen të regjistrohen janë:

a)subjektet tregtare;

b)shoqëritë e thjeshta, sipas dispozitave të Kodit Civil;

c)personat fizikë, sipas kuptimit të Kodit Civil, që nuk kanë cilësinë e tregtarit, që ushtrojnë veprimtari ekonomike apo një profesion të pavarur;

ç)zyrat e përfaqësimit të shoqërive shqiptare dhe të shoqërive të huaja;

d)shoqëritë dhe unionet e kursim-kreditit;

dh)shoqëritë e bashkëpunimit të ndërsjellë;

e)çdo subjekt tjetër, i cili me ligj detyrohet të regjistrohet pranë QKR-së.

2.Përveçse kur një ligj i posaçëm parashikon ndryshe, nuk detyrohen të regjistrohen në regjistër personat fizikë, në kuptimin e Kodit Civil, të përcaktuar me urdhër të përbashkët të ministrit dhe të Ministrit të Financave, që eprojnë si punëdhënës apo të vetëpunësuar në fusha të posaçme apo që ushtrojnë një veprimtari me vëllim të vogël qarkullimi.

3.Subjektet, përveç kur parashikohet ndryshe nga ligje të posaçme, aplikojnë për regjistrim fillestar si më poshtë:

a)personat fizikë, shoqëritë e thjeshta dhe degët apo zyrat e përfaqësimit, përpara datës së nisjes efektive të veprimtarisë;

b)personat juridikë, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e themelimit, por, në çdo rast, përpara datës së nisjes efektive të veprimtarisë.

4.Aplikimi për ndryshimin e selisë dhe hapja e vendeve të tjera të ushtrimit të veprimtarisë bëhen brenda 30 ditëve kalendarike nga data e vendimit përkatës, por, në çdo rast, përpara nisjes efektive të veprimtarisë në atë vend.

5.Për regjistrimet e tjera të detyrueshme, përveç rasteve kur ky ligj përcakton ndryshe, aplikimi bëhet brenda 30ditëve kalendarike nga data e ngjarjes së rrethanës faktike dhe/ose e hartimit të aktit të detyrueshëm për t’u regjistruar”.

 

 

Dokumentacioni që duhet

– Dokumentet shoqëruese duhet të dorëzohen në origjinal ose në kopje të panjësuara me origjinalin dhe të jenë hartuar sipas formaliteteve të përcaktuara nga legjislacioni përkatës apo nga dispozitat e këtij ligji. Dokumentet shoqëruese mund të dorëzohen edhe në format elektronik.

– Dorëzimi i dokumentit shoqërues pranë sporteleve të shërbimit në kopje të panjësuar apo në format elektronik bëhet nën përgjegjësinë e plotë të personit që e paraqet atë, i cili, nëpërmjet aktit të dorëzimit, konfirmon njësinë e kopjes apo të dokumentit në format elektronik me origjinalin.

– Për regjistrimin fillestar të shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar, përveç sa parashikohet në nenin 32, të këtij ligji, është i detyrueshëm edhe njoftimi i vlerës së përgjithshme të kapitalit të nënshkruar, ndarja e kapitalit në një numër kuotash të barabartë me numrin e ortakëve, vlera dhe lloji i kontributit të secilit ortak, pjesa që kuota e secilit ortak zë në kapital, si dhe informacioni nëse kontributet e nënshkruara të kapitalit janë paguar ose jo”.

 

Subjektet e tjera

Nëse një subjekt ka detyrimin e regjistrimit, atëherë mënyra e aplikimit për regjistrimin fillestar dhe të dhënat e detyrueshme për t’u regjistruar nga këto subjekte, përcaktohen nga ligji i posaçëm.

 

Regjistrimet me vendim gjyqësor

1.QKR-ja regjistron në regjistër dhe publikon, kryesisht ose me kërkesë nga çdo person i interesuar, vendimet gjyqësore për të dhënat e regjistruara ose veprimtarinë e subjektit.

2.Kërkesës për regjistrime nga personat e interesuar i bashkëlidhet vendimi përkatës. Regjistrimi kryhet brenda afatit njëditor nga dita kur QKR-së i njoftohet vendimi përkatës ose nga data e paraqitjes së kërkesës së palës së interesuar.

 

Regjistrimi i pasqyrave financiare

1.Subjektet, që kanë detyrimin e hartimit të dokumenteve dhe që nuk i kanë depozituar më parë, detyrohen në çdo rast t’i depozitojnë këto dokumente jo më vonë se 7 muaj nga data e mbylljes së çdo viti financiar.

2.Nëse një subjekt nuk përmbush detyrimin, sipas këtij neni, atëherë QKR-ja, së bashku me zbatimin e sanksionit, vepron në përputhje me parashikimet.

 

Çregjistrimi

– Për personat fizikë dhe për subjektet e tjera, në rastet kur ligji nuk parashikon procedura likuidimi në lidhje me to, çregjistrimi në mënyrë vullnetare kryhet nëpërmjet aplikimit për çregjistrim.

 

– Subjekti mund të çregjistrohet në bazë të një vendimi gjyqësor të formës së prerë që vendos se subjekti prishet, mbaron apo nuk mund të ushtrojë më veprimtari.

 

– QKR-ja çregjistron kryesisht subjektin në bazë të vendimit gjyqësor përkatës, me anë të të cilit vendoset çregjistrimi i subjektit në vijim të ndjekjes së procedurave të likuidimit në rrugë gjyqësore, në rastet kur ligji parashikon procedura likuidimi për këto subjekte, ose në vijim të ndjekjes së procedurave të falimentimit apo të procedurave të tjera që mund të kërkohen sipas ligjit.

 

ORGANIZIMI

Si funksionon QKR-ja?

– QKR-ja ka juridiksion në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe është institucioni i vetëm që ofron shërbim ndaj publikut, sipas parashikimeve të këtij ligji, nëpërmjet sportelit të saj qendror, sporteleve të shërbimit pranë njësive të qeverisjes vendore apo organizatave të tjera, me të cilat lidh marrëveshje bashkëpunimi, si dhe sporteleve të shërbimit në territor, në kuadër të strukturës së saj.

 

– QKR-ja ofron shërbim në territor, nëpërmjet sporteleve të shërbimit pranë njësive të qeverisjes vendore, si funksion i deleguar, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të ligjit për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore. 

 

– QKR-ja lidh marrëveshje bashkëpunimi me njësinë e qeverisjes vendore, ku përcaktohen kushtet e ofrimit të shërbimit dhe treguesit kryesorë të performancës, kualifikimet dhe kriteret e posaçme profesionale të nëpunësve të sportelit, si dhe trajnimet e detyrueshme për nëpunësit.

 

– QKR-ja mund të kryejë funksionet e saj, sipas këtij ligji, edhe nëpërmjet hapjes së sporteleve të shërbimit, në bashkëpunim dhe pranë Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe/ose dhomave të tregtisë, rregulluar sipas legjislacionit përkatës. Hapja e këtyre sporteleve bëhet në marrëveshje me këto organizata, të cilave u delegohen funksionet e sportelit të QKR-së, në përputhje me kushtet e këtij ligji dhe të marrëveshjes së bashkëpunimit.

 

– Numri dhe vendndodhja e sporteleve të shërbimit pranë njësive të qeverisjes vendore apo organizatave të tjera, miratohet nga ministri me propozim të titullarit të QKR-së, në bazë të planifikimit të nevojës për hapjen e sporteleve të shërbimit në territor dhe ngarkesës së mjaftueshme të veprimeve në sportele.

 

– Në rast se njësia përkatëse e qeverisjes vendore apo organizata, me të cilat QKR-ja ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi, sipas këtij neni, nuk ofrojnë shërbimin e sportelit në përputhje me parashikimet e këtij ligji apo me parashikimet e marrëveshjes së lidhur me QKR, titullari i QKR-së ka të drejtë t’i propozojë ministrit mbylljen e sportelit përkatës.

 

PENALIZIMET

“Në rastet kur pas verifikimeve të parashikuara në nenin 54, të këtij ligji, rezulton se nuk janë përmbushur kushtet për regjistrim, nuk janë paguar tarifat përkatëse të regjistrimit, ka sanksione administrative të papaguara apo nuk janë kryer regjistrimet e kërkuara, QKR-ja pezullon aplikimin dhe e njofton aplikuesin me shkrim për shkakun e saktë të pezullimit, duke i dhënë një afat prej 21ditësh kalendarike për plotësimin ose ndreqjen e elementeve që pengojnë regjistrimin. Njoftimi i shkakut të pezullimit bëhet nëpërmjet një formulari standard të QKR-së”

 

TË DHËNAT

“QKR-ja konfirmon të dhënat e regjistruara nga subjektet, sipas këtij ligji, nëpërmjet lëshimit të ekstrakteve në format shkresor apo elektronik, sipas këtij ligji. Çdo person, kundrejt pagesës së tarifës përkatëse, ka të drejtë të marrë pa pengesa, në format shkresor apo elektronik, sipas dëshirës, ekstrakte për të dhënat e regjistruara të çdo subjekti, si dhe kopje të dokumenteve shoqëruese, të depozituara në regjistër”

 

EKSTRAKTET

“Ekstraktet dhe kopjet e dokumenteve shoqëruese në format shkresor, si rregull, lëshohen nga QKR-ja, si kopje e vërtetuar e të dhënave të regjistruara apo të dokumenteve shoqëruese përkatëse, përveç rastit kur personi i interesuar heq dorë nga marrja e këtij vërtetimi.Ekstraktet dhe kopjet e dokumenteve shoqëruese në format elektronik, si rregull, lëshohen nga QKR-ja si kopje e pavërtetuar e të dhënave të regjistruara apo të dokumenteve shoqëruese përkatëse, përveç rastit kur personi i interesuar shprehimisht kërkon ta marrë këtë vërtetim”

 

Neni 15

Emri i subjekteve tregtare regjistrohet së bashku me shtojcat që kërkohen, sipas legjislacionit në fuqi për tregtarët dhe shoqëritë tregtare.

 

Neni 16

Verifikimi paraprak nëse një emër mund të regjistrohet ose jo, si dhe rezervimi paraprak i emrit nuk përbën kusht për regjistrimin fillestar apo për ndryshimin e emrit të regjistruar.

 

Neni 17

Aplikimi për regjistrimin fillestar të shoqërive tregtare bëhet bashkërisht nga të gjithë themeluesit apo nga çdo person i autorizuar prej tyre.

 

SHKARKO APP