Rekord historik. Euro në pikiatë! Shkëmbehet vetëm me 1.13$
Rekord historik. Euro në pikiatë! Shkëmbehet vetëm me 1.13$
Dita e enjte ka shënuar rekordin historik të shkëmbimit të një euroje ndaj dollarit amerikan në 11 vitet e fundit. Në tregjet ndërkombëtare ajo shkëmbehej me më pak se 1.13 dollarë. Kjo rënie e monedhës së përbashkët evropiane vjen në momentin kur Banka Qendrore Evropiane ka njoftuar se do të derdhë miliarda euro në ekonominë e rënduar të Eurozonës. Ky institucion tha se do të blejë letra me vlerë, prej 60 miliardë eurosh në muaj, deri në fund të shtatorit 2016. Blerja e letrave me vlerë do të çojë në shtypjen e 1 trilion eurove. “Është një rënie shumë e fortë që mund të shpjegohet nga natyra ofensive e masave të shpallura nga BQE-ja, dhe për nga niveli i tyre i lartë në raport me pritshmërinë e tregjeve”- shpjegoi Nick Bennenbreok i agjencisë Wells Fargo.
Kursi i këmbimit në Shqipëri
Edhe Shqipëria nuk ka mbetur jashtë këtyre luhatjeve të monedhës europiane. Sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë një Euro blihet për 140.17 lekë duke shënuar një rënie me 0.03 lekë. Rënie në Shqipëri ka pësuar edhe dollari amerikan që këmbehet me 120.7 lekë duke pasur parasysh që pak ditë më parë ky këmbim ishte në shifra edhe më të larta. Përsa i përket shkëmbimit të drejtpërdrejtë euro/dollar edhe tregu shqiptar ka reflektuar atë që ndodh në tregjet evropiane, madje edhe më thellë. Kështu të enjten një 1 euro këmbehej me 1.1256 dollarë amerikanë.