Remitancat reduktojnë varfërinë, por nuk përdoren mjaftueshëm për zhvillimin ekonomik të rajonit

PRISHTINË/TIRANË/SHKUP – Remitancat nga diaspora që marrin qytetarët e vendeve të rajonit luajnë një rol të rëndësishëm në gjendjen ekonomike dhe sociale të qytetarëve. Në disa familje remitancat janë burimi i vetëm i të ardhurave të tyre dhe ndikojnë dukshëm në standardin e jetesës, ndërsa pa këto të ardhura për disa familje do të ishte shumë më vështirë se sa tani.

Sipas të dhënave të marra nga Anadolu Agency (AA), Kosova është vendi i cili fiton më shumë remitanca nga mërgimtarët e diasporës, me një shumë prej 700 milion euro në vit, pastaj vijon Shqipëria me mbi 500 milion euro dhe Maqedonia me të paktën 400 milion dollarë. Këto informacione tregojnë se qytetarët të ardhurat nga diaspora, kryesisht i përdorin për nevojat themelore për jetesë.

Edhe pse duket se deri më tani është vështirë që këto të ardhura të përdoren për diçka tjetër, analistët e ekonomisë rekomandojnë se fondet nga remitancat mund të përdoren për fillimin e programeve për mikro-ndërmarrjet apo përdorimin e tyre për ndonjë program për punësim ose vetëpunësim.

Diaspora është fuqia më e madhe ekonomike në Kosovë 

Këshilltari i lartë politik në Ministrinë e Diasporës, Kushtrim Sheremeti, për AA bëri të ditur se diaspora e përbën fuqinë më të madhe ekonomike të Kosovës. Ai duke vënë në dukje se të ardhurat nga diaspora janë rreth 700 milion euro në vit, theksoi se, “Një prej të hyrave kryesore që shteti i Kosovës merr janë remitancat nga diaspora që jetojnë gjithandej botës.”

Ai shtoi se këto shuma janë sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës dhe nënvizoi se një shumë tjetër e madhe vjen në mënyra jo formale tek familjarët e diasporës, të cilat nuk i monitoron Banka Qendrore.

“Gati secila familje kosovare pranon remitanca nga diaspora. Nëse llogariten edhe këto mund të themi që të ardhurat nga diaspora për një vit janë rreth 1 miliardë euro”, tha Sheremeti.

Ai gjithashtu bëri të ditur se përveç remitancave, diaspora kontribuon edhe nëpërmjet asaj që quhen investime të huaja direkte. “Një pjesë e madhe e këtyre investimeve janë investime pikërisht të diasporës sonë, por trajtohen si investime të huaja për shkak se pjesëtarët e diasporës tonë janë njëkohësisht edhe shtetas të huaj”, tha ai.

Sa i përket shfrytëzimit të këtyre remitancave, Sheremeti theksoi se ekzistojnë disa programe, nëpërmjet të cilave që nga viti i ardhshëm këto të ardhura do të kanalizohen në zhvillimin ekonomik të vendit, sidomos në fushën e bujqësisë dhe në atë të teknologjisë informative.

Në Shqipëri remitancat përdoren kryesisht si mjet konsumi dhe mbijetese ekonomike

Ashtu si në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor edhe në Shqipëri remitancat kanë një rol të rëndësishëm për zhvillimin ekonomiko-social të vendit. Gjatë viteve të tranzicionit në Shqipëri dërgesat e parave të emigranteve kanë patur një ndër kontributet kryesore në gjallërimin e ekonomive familjare, por edhe në sektorë të ndryshëm të jetës së vendit.

Shumica e emigrantëve shqiptarë ndodhen në Greqi, Itali, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Zvicër, Francë, SHBA dhe Kanada, ndërkohë dhe dërgesat në para të tyre vijnë kryesisht nga këto shtete. Sipas dokumentit të “Profilit Kombëtar të Zgjeruar të Migracionit”, Shqipëria vazhdon të ketë një varësi të lartë nga dërgesat në para të mërgimtarëve.

Prej vitit 2007, kur dërgesat arritën nivelin më të lartë, 952 milionë euro, dhe deri në vitin 2013 dërgesat erdhën në rënie, duke arritur në pikën më të ulët 544 milionë euro. Gjatë vitit 2014 ndodhi një rritje e lehtë në 592 milionë euro. Ndërsa në raportin e Bankës së Shqipërisë publikuar në vitin 2016 thuhet se flukset hyrëse të remitancave vazhduan rënien në terma vjetorë për të tretin tremujor radhazi duke u pakësuar me 10 për qind.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e parë të vitit 2016 vlerësohet me rritje prej 2,96 për qind kundrejt tremujorit të parë të vitit 2015. Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë si tregti dhe hotele, si dhe restorante dhe transporti.

Nga ana tjetër, sa i përket kontributit të remitancave llogaritjet e fundit i përkasin vitit 2015, ku sipas Bankës Botërore remitancat për vitin 2015 përbëjnë 9,1 për qind të PBB-së. Në Shqipëri, dërgesat e parave të emigrantëve janë përdorur kryesisht si mjet konsumi dhe mbijetese ekonomike.

Pjesa më e madhe e tyre i dërgojnë paratë nga vendet ku qëndrojnë për të plotësuar nevojat e familjeve të tyre kryesisht për konsum, investime në ekonomitë familjare, investime në vendlindje apo edhe ndërtimin apo blerjen e shtëpive, blerje pasurish të patundshme, duke patur kështu një ndikim të drejtpërdrejtë për zhvillimin social.

Remitancat nga diaspora reduktojnë varfërinë në Maqedoni 

Maqedonia në vit fiton të paktën 400 milion dollarë në formë të remitancave në para të gatshme të cilat paraqesin rreth 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Shuma mesatare e remitancave të pranuara për një familje arrin në 12.903 denarë ose pak më tepër se 200 euro, ndërsa pjesëmarrja e remitancave në konsum është më shumë se gjysma.

Këto janë të dhëna nga ana e pjesëmarrësve në Forumin e fundit ekonomik të mbajtur në Shkup “Paratë e mërgimtarëve janë të rëndësishme për zhvillimin social të Ballkanit Perëndimor”. Ekonomiste dhe drejtore ekzekutivë në “Finance Think-Shkup”, Bllagica Petreski, theksoi se familjet mesatarisht marrin remitanca nga 2.500 euro në vit, megjithatë ajo që është me rëndësi është se remitancat kanë rolin e mbrojtjes sociale të pranuesve të ndihmës sociale.

“Këtë e dëshmon fakti se familjet që marrin remitanca kanë më pak probabilitet që të jenë të varfër për 27 për qind. Remitancat ndikojnë përmes indikatorit financiar, konkretisht pakësimi i varfërisë është indikatori më i rëndësishëm që ulë ndjeshmërinë e pranuesve të remitancave”, tha Petreska.

Petreska rekomandoi deri tek bartësit e politikave që politikat e remitancave të përshtaten në një politikë përkatëse ku do të shfrytëzohen në mënyrë adekuate. Ajo shoi se remitancat në Maqedoni në të shumtën e rasteve vijnë nga vendet e zhvilluara, vendet e BE-së, megjithatë edhe nga vendet tejoqeanike si Amerika dhe Australia. -AA

SHKARKO APP