Replikat e mjekut Tritan Kalo dhe kandidates se LSI, Rea Kotani
Kandidatja e LSI-së për qarkun e Tiranës, Rea Kotani, gjatë fushatës elektorale ka trokitur edhe në derën e mjekut Tritan Kalo.
Por, mjeku, përmes një postimi në profilin e tij në ‘Facebook, këtë vizitë e ka marrë si tallje, duke parë moshën që kandidatja e LSI-së ka.
“Lërini të rriten….Mbrëmë tre të rinj, dy vajza dhe një djalë trokitën në derën time…Vajza e parë mu prezantua si “Kandidatja e LSI-së për Deputete e Njësisë Administrative nr. 7”, dhe dy të tjerët si shoqëruesit e saj, të kësaj fushate portë më portë…Deri këtu asgjë e keqe, sepse një prezantim i thjeshtë dhe pa bujë shpesh mua si individ, më len shije shumë më të mirë se ato prezantimet e zhurmëshme e plot bujë nëpër tubimet elektorale…AJO që mua më shqetsoj ishte fakti se, vajza e cila pretendonte të hyne në Parlamentin e Ardhshëm nuk e kishte kapërcyer me siguri pragun e 20 viteve…Ende një e re pothuajse fëmijë e cila duhet të formohet, të edukohet, të profesionalizohet përpara se të përdoret, si një “front-runner” në fushën e politik-bërjes.”, -shkruan mjeku.
Në lidhje me këtë deklaratë, ka reaguar vetë Kotani, e cila është shkrehur e habitur nga perceptimi që doktori ka pasur për vizitën e saj.
“Ne erdhëm për të të respektuar doktor Tritan Kalo!… Me keqardhje dhe zhgënjim lexova shkrimin tuaj Doktor Tritan Kalo, teksa vizitën tonë miqësore e me shumë edukatë në shtëpinë tuaj, ju e paskeni perceptuar e përjetuar për fat të keq si tallje! Në kuadër të fushatës zgjedhore kemi trokitur e shkuar në qindra shtëpi; në shtëpi njerëzish të thjeshtë e me plot halle e vështirësi, në shtëpi të papunësh, por edhe në shtëpi njerëzish të shquar, të përkëdhelurish prej fatit apo edhe në shtëpi njerëzish që nuk e duan LSI-në, por gjithkund, e përsëris gjithkund na kanë pritur si vajzat e tyre; më kanë dëgjuar e më kanë pyetur, edhe më kanë kundërshtuar e kritikuar, por askund nuk ma kanë mbyllur derën. Përkundrazi, më kanë përcjellë me mirësi prindi. Po ju doktor përse jeni ndjerë i tallur? Ngaqë unë jam një vajzë e re njësoj si tre vajzat e tua që megjithëse jetojnë në Kanada bashkë me nënën e tyre, jam e bindur që e duan vendin e tyre po kaq sa e dua edhe unë që jetoj e shkollohem këtu? Apo ngaqë unë jam me LSI-në jeni ndjerë ju i tallur? Kjo është një zgjedhje krejt personale dhe unë e kam bërë me bindje dhe punoj për LSI-në me shumë përkushtim, sepse LSI më ka dhënë mua dhe brezit tim shansin për të vendosur vetë e për të përfaqësuar brezin tim! Unë dhe miqtë e mi të rinj erdhëm tek ju si miq, pa menduar se do të na përgojoje e do të ndjeheshe i tallur! Erdhëm edhe me kënaqësinë që do të takonim një mjek të njohur, që të të mund të të jepnim edhe ndjesinë e respektit për një brez që nuk pranon, madje refuzon të qëndrojë indiferent! Mikpritja është virtyt, është edhe fisnikëri. Është qytetari! Por ja që nuk qenka e thënë që të jesh mjek, doktor a profesor e domosdo je edhe bartës i këtij virtyti! Ndërsa përgojimi i mikut është poshtërsi, edhe nëse miku është një fëmijë, siç më quani ju! Nejse, punë për ju e gjitha kjo! Por nuk e di se si do të ndjehen vajzat tuaja që ju, babai i tyre mjek, u ndjetë kaq i tallur pa asnjë të drejtë vetëm e vetëm që unë në shenjë respekti për ju dhe me dëshirën për të takuar doktorin që për të qenë i tillë duhet të ketë vlerë të parë humanizmin, erdha e trokita në derën tuaj?!”, -shkruan Kotani.