Ramën dhe Kurtin i bashkon Londra
Pas debateve të ndezura në distancë lidhur me tubimin pro UÇK-së dhe qëndrimet mbi Gjykatën Speciale në Hagë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Kosovës Albin Kurti do të përballen sërish në një skenë ndërkombëtare – këtë herë në Samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet më 22 tetor në Londër.
Kryeministri në detyrë i Kosovës ka udhëtuar drejt kryeqytetit britanik për të marrë pjesë në këtë samit, ku do të jenë të pranishëm edhe liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian dhe qeverisë britanike.
Ky do të jetë takimi i parë mes Ramës dhe Kurtit pas replikave publike që pasuan protestën mbarëkombëtare në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, ngjarje që solli tensione politike mes dy qeverive shqiptare.
Ndërkohë, në samitin e Londrës, pritet që të dy të ndajnë të njëjtën tryezë pune, në prani të kancelarëve dhe liderëve evropianë.
Në fokus të Samitit të Procesit të Berlinit do të jenë siguria, zhvillimi ekonomik dhe menaxhimi i migracionit në rajon.
Liderët e gjashtë vendeve – Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia – pritet të nënshkruajnë deklarata të përbashkëta për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimin në fushën e energjisë.
Procesi i Berlinit, i nisur nga Gjermania në vitin 2014, synon të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe të përshpejtojë integrimin europian të Ballkanit Perëndimor.
Samiti i këtij viti në Londër shihet si një moment kyç për të matur vullnetin politik të vendeve të rajonit, në një periudhë të ndjeshme gjeopolitike, ku ndikimet e jashtme dhe tensionet ndërkufitare janë rikthyer në qendër të vëmendjes.
Pjesëmarrja e njëkohshme e Ramës dhe Kurtit në këtë samit pritet të tërheqë vëmendje të veçantë diplomatike dhe mediatike, duke parë prishjen e qetësisë mes dy kryeqyteteve shqiptare.
Në Londër, sytë e diplomacisë perëndimore do të jenë sërish te raportet Tiranë–Prishtinë, nëse do të ruajnë tensionin, apo do të sinjalizojnë një afrimi të ri.
KOHA JONË SONDAZH

