Restaurimet në parlamentin austriak zbulojnë buste të Hitlerit dhe piktura të nazistëve
Një ndërtesë që ka parë rënien e një perandorie, dy luftëra botërore dhe epokën moderne mban shumë sekrete.
Punëtorët në Vjenë zbuluan pjesë të historisë së fshehtë të ndërtesës së Parlamentit Austriak gjatë restaurimeve të strukturës neoklasike, thanë zyrtarët e parlamentit të premten.
Dy buste të Hitlerit, katër piktura të epokës naziste dhe një reliev u zbuluan në një kuti në bodrumin e ndërtesës 134-vjeçare.
“Nuk është me të vërtetë një surprizë kur pastron një ndërtesë pas 130 vjetësh”, tha një zëdhënëse e parlamentit për AFP. “E prisnim të bënim zbulime si ky”.
Ndërtesa u shndërrua në një “Gauhaus” ose selinë lokale të Partisë Naziste, që nga aneksimi i Austrisë (Anschluss) në vitin 1938, deri në rënien e Rajhut të Tretë në vitin 1945.
Veprat e artit të zbuluara rishtazi u janë dorëzuar historianëve Bertrand Perz dhe Verena Pavlovsky nga Universiteti i Vjenës, të cilët po studiojnë historinë e epokës naziste të ndërtesës.
Pas përfundimit të studimeve të tyre, Perz dhe Pavlovsky do t’i rekomandojnë parlamentit se si të ruajnë më mirë reliket naziste për të ardhmen, njoftoi gazeta austriake Der Standard./Bota.al/