Revanshi i krimit
Nga Artur Ajazi
Krimi ka marrë një revansh të paparë. Po vret kudo, në rrugë, lokale, hyrje pallatesh, makina, dhe brënda banesave. Revanshi i krimit nuk ndalet as me propogandën e policisë dhe statistikat e saj si 9-mujor, duke renditur si “arritje” të saj, rritjen e forcës goditëse dhe zbuluese nga 40 në 55 per qind, as edhe me deklarata pompoze drejtuesish të lartë të Policisë Shtetit se “krimin e kemi bërë zap, çdo akt kriminal do të ketë ndëshkim”. Kjo demagogji e dalë boje dhe kjo metodë e vjetëruar, ka sjellë situata të favorshme për krimin.
Edhe kriminelët tashmë e dinë dhe janë mësuar me recitimet standarde. Ata e dine se, pas “aksioneve” të tyre, do të shohin në ekrane zyrtarë të lartë të Ministrisë Brëndshme dhe Policisë Shtetit, duke paralajmëruar “identifikimin dhe kapjen e kriminelëve”. Qytetarët tmerrohen nga atentatet, nga vrasjet, nga tritoli dhe aktet e tjera kriminale, nga Shkodra deri në Sarandë, dhe policia sërish reciton versionet e trashëguara në komunikimin me mediat dhe qytetarin. Revanshin e krimit pranojnë edhe drejtuesit e uniformave blu, edhe ata nën zë thonë se “situata ka marrë për keq”. Dhe jo vetëm kaq.
Vetëm për vitin 2017, numri dhe fuqia e krimeve është rritur ndjeshëm. Plagosjet nuk janë në evidencë fare. Më të shqetësuarit, më të frikësuarit dhe më të tmerruarit nga këto akte kriminale që nuk po ndalen as në qendrat e qyteteve tona, janë qytetarët e thjeshtë. Qytetarët shprehen se “ kemi frikë të afrohemi dhe ulemi edhe në lokale , nuk dihet çfarë ndodh, ecim me frikë rrugëve, krimi mund të godasë objektivin e tij, por mund ta pësojmë edhe ne”.
Qytetarët nuk ndjehen të sigurtë për jetën, pronën e tyre, ata nuk ndjehen të sigurtë në banesat e tyre në lokale dhe tregje, madje as në qendra qytetesh. Dhe si për ironi të fatit, sa herë ndodhin krime të tilla makabre, policia ose nuk gjendet fare në patrullim, ose gjendet e strukur diku pas rrugicave me pretendimin “jemi me shërbim”. Duket sikur krimi ka organizim më perfekt, ndërlidhje më perfekte, dhe transport më perfekt. Krimi ndodh në qendra qytetesh, kriminelët arrijnë të largohen qetësisht përmes bulevardeve dhe rrugëve dalëse me mjetet e tyre, i braktisin ato, dhe policia gjen vetëm gëzhojat dhe makinat e braktisura. Specialistët e kriminalistikës thonë se “revanshi i krimit lidhet me dobësimin e forcës goditëse të policisë, gjithmonë që ajo bie, krimi ngre krye dhe godet pa mëshirë”. Revanshi i krimit nuk ndalet, dhe as ka shanse të ndalet. Sot krimi dirigjohet nga specialistë të krimit, ata kanë struktura të mirëfillta, kanë sistemin e tyre të ndërlidhjes, bizneset e tyre, shefat e tyre, bazat e tyre. Gjithçka e ngritur në sistem, ndaj dhe revanshin e tyre nuk e ndal as policia.
Ajo për të cilën sot shqiptarët duhet të kërkojnë me ngulm nga kjo qeveri duhet të jetë rendi dhe siguria e munguar. Shqipëria çdo vit regjistron qindra të vrarë nga aktet kriminale, kurse policia krahasimet i bën me “uljen e numrit të vrasjeve nga ky vit, në këtë vit”. Vrasjet sot nuk përbëjnë më alamin për policinë, pasi ato janë kthyer si vjedhjet e xhepave dikur në trena dhe autobuzë, dhe kjo është e tmerrshme. Një punonjës policie u shpreh se “çdo ditë që marrim turnin, plagosjet dhe vrasjet po i regjistrojmë si ngjarje ordinere, aq të zakonshme janë bërë”.
Po deri kur vendi do të mbetet peng i krimit, deri kur qytetarët do të mbeten peng i pasigurisë për jetën e tyre dhe fëmijëve në rrugë e kudo, deri kur policia do të rrijë strukur rrugicave dhe periferisë ? Gjendja e rënduar e rendit dhe sigurisë është e jashtëzakonshme, ndaj ajo kërkon masa të jashtëzakonshme dhe jo demagogji kryeministrore.