Revolucioni hungarez dhe Shqipëria
Nga Skifter Këlliçi –
(Vijon nga numrat e kaluar)
…Revolucioni hungarez u shtyp nga tanket ruse. U shtyp përpjekja e Hungarisë për të thyer vargonjtë e zgjedhës komuniste. Pra edhe të tutelës sovjetike. Mos ndoshta ashtu siç dëshironte Enver Hoxha?Aspak! Hungaria kërkonte të shkëputej nga Bashkimi Sovjetik, pra edhe nga Traktati i Varshavës, jo sepse Hrushovi nuk po mbronte parimet e marksizëm-leninizmit, por përkundrazi, sepse ajo kërkonte të shkonte shumë më larg se Hrushovi edhe se Jugosllavia, pra, jo të kishte të lidhje me vendet perëndimore, por të hidhej drejt e në perëndim, të bëhej, siç kishte qenë, vend perëndimor, të ikte kështu nga një herë e përgjithmonë nga kampi socialist. Këtë natyrisht nuk mund ta lejonte kurrë Hrushovi. Ja përse dërgoi tanket. Kështu revolucioni hungarez u shtyp me dhunë dhe gjak. Kështu Hungaria mbeti përsëri në kampin socialist, çuditërisht nën vështrimin… indiferent të SHBA-së dhe vendeve të tjera perëndimore.
Është për të ardhur keq që Ramiz Alia ngjarjet tragjike në Hungari i kalon aq përciptas në librin e tij, ose mban ndaj tij të njëjtin qëndrim që ka mbajtur Enver Hoxha asokohe, duke i cilësuar ato “kundërrevolucion”, kur ai ishte plotësisht revolucion popullor që kërkonte të rrëzonte diktaturën komuniste. Të paktën sot pas më shumë se gjysmëshekulli nga këto ngjarje shumë tragjike që sollën mijëra të viktima qytetarësh të thjeshtë, të cilët u ngritën kundër tiranisë së kuqe, ai duhej të dënonte shprehjet e Enver Hoxhës në bisedë me një delegacion të ardhur nga Hungaria, kur atje kishin nisur revoltat popullore:
“Ç’bëni kështu, pse rrini duarkryq përpara këtij kundërevolucioni që po ngrihet? Pse bëni sehir dhe nuk merrni masa të mbyllni klubin “Petëf”, të arrestoni krerët turbullues; të nxirrni klasën punëtore të armatosur në bulevarde…. Pushkaktoni disa nga krerët kundërevolucionarë, që të marrin vesh se ç’është diktatura e proletariatit…”. (“Hrushovianët, 1980, faqe 185)
Po të kishin qenë gjallë, edhe Hitleri, edhe Stalini do t’ia kishin pasur pasur zili Enver Hoxhës, këtij pasardhësi të denjë të tyre, që shprehej kështu me krenari dhe megallomani kaq të përbindshme.
“Po krijohej bindja, -shkruan më poshtë Ramiz Alia në librin e tij , -se Hrushovi me qëndrimet e veta, nuk ishte “leninist” konsekuent, siç thoshte dhe vetë vazhdimisht. Ai po pajtohej me revizionistët titistë dhe po mburrte “vetadministrimin” si metodë socialiste të organizimit të shoqërisë. Ai në emër të bashkekzistencës paqësore me fuqitë perëndimore po braktiste Luftën Nacional-Çlirimtare të popujve të shtypur etj. ”(faqe 201).
Sa qesharake tingëllojnë këto fjalë pas këtyre ngjarjeve të kaq dekadave të shkuara!. . .
Sipas Enver Hoxhës Bashkimi Sovjetik nuk duhej të “tradhtonte parimet marksiste…staliniste”, duhej të bënte Luftën e Tretë Botërore me Perëndimin, duhej të shkatërrohej, të humbte përsëri 22 milionë banorë e ndoshta edhe më shumë… Pikërisht kjo duhej mënjanuar, prandaj duhej të vihej në jetë bashkekzistenca e vendeve me sisteme të ndryshme politike, prandaj duhej riparë, pra revizionuar edhe teoria leniniste mbi luftërat, revolucionet, prandaj duhej jetuar në një botë pa luftëra, pa armë të shfarosjes në masë, sepse që nga koha e Marksit kishin ndodhur shumë ndryshime…Rruzulli tokësor kërcënohej të zhdukej nga bomba atomike dhe me hidrogjen, raketat… të cilat në shekullin e 19-të nuk i kishte parashikuar as fantazia e Zhyl Vernit…
“Megjithatë, -vazhdon Ramiz Alia, -nuk u shmang keqësimi i marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Hrushovi dhe udhëheqësit e tjerë sovjetikë në dukje bënin sikur i dëgjonin me qetësi “vërejtjet shoqërore” të udhëheqjes shqiptare, por shpejt, si papandehur, ndodhi një ndryshim i theksuar në qëndrimin e palës sovjetike ndaj vendit tonë, sidomos në fushën e marrëdhenieve ekonomike. Organizmat shtetërorë të Moskës filluan të nxirrnin gjithfarë pengesash për dërgimin e mallrave, ose pajisjeve industriale për të cilat ishin nënshkruar marrëveshje dhe ishin bërë kontrata të rregullta…. Ishte e qartë se kishim të bënim me një presion të hapur për ta detyruar Shqipërinë të ecte me “hapin e Moskës. ”(“Jeta ime”, faqe, 201-202)
Enver Hoxha mbron Stalinin, kur Hrushovi e sulmon… Vazhdojmë më tutje me librin e Ramiz Alisë:
“Ju kërkoni të na ktheni te Stalini, prandaj ne nuk kemi ç’të bisedojmë më tej”.
Kështu sipas Ramiz Alisë i ka thënë Hrushovi, Enver Hoxhës, gjatë bisedimeve të zhvilluara në Kremlin në prill të vitit 1957, -shkruan Ramiz Alia. (faqe 207)
Ja, ky është thelbi i kontradiktave që thelluan mosmarrëveshjet midis dy vendeve. Dhe këtu Hrushovi dhe udhëheqësit e tjerë të Bashkimit Sovjetik kishin të drejtë. Ata kishin punuar prej vitesh me Stalinin, kishin njohur këtë diktator gjakësor, ndaj askush prej tyre nuk e mbronte atë dhe politikën e tij, veçanërisht politikën e jashtme, që ishte politikë e izolimit, ose më saktë, e vetizolimit të Bashkimit Sovjetik nga arena ndërkombëtare. Për shumë e shumë arsye, një pjesë e cilave u shpjegua më lart dhe do t’i shpjegoj më poshtë.
Nuk dua kurrsesi të mbroj as Hrushovin dhe as Bashkimin Sovjetik, që si koka e kampit socialist kërkonte t’i kishte të gjitha vendet e tjera socialiste, sidomos në Evropë, satelitë të bindur të tij . I tillë ishte edhe fati i Shqipërisë, siç u është shpjeguar më sipër, pas Konferencës së Jaltës, (shkurt 1945), mbeti në sferën komuniste, së pari nën tutelën jugosllave dhe pastaj sovjetike, të Stalinit dhe më pas të Hrushovit. Por ky i fundit, nga sa pamë më lart, e demaskoi Stalinin, dënoi krimet e tij të përbindshme ndaj popujve të BS. Kështu ndodhi edhe në vendet e tjera komuniste të Europës. Enver Hoxha, ndërkohë, u detyrua të bënte edhe ai disa kritika ndaj Stalinit. Por sa për të shkuar radhën.
Që Enver Hoxha ishte stalinist, madje i tërbuar, këtë, siç dihet, e dëshmoi edhe Konferenca e Tiranës që përmenda pak më sipër, e zhvilluar nën ndikimin e Kongresit të të 20-të të PK të B. S. Mbi 200 komunistë u përjashtuan nga partia, u dënuan dhe u internuan. Veç të tjerash, se kërkuan të dënohej kulti i Stalinit, që nënkuptonte kultin e Enverit.
Është e habitshme se si Hrushovi pas kësaj ngjarjeje tronditëse nuk mbajti qëndrim. Të paktën deri tani nga arkivat sovjetike nuk kanë dalë dokumente që të vërtetojnë një dukuri të tillë. Siç duket, sovjetikët këtë e quajtën çështje të brendshme të PPSH-së. Dhe përsëri gabuan, ndonëse disa muaj më parë Tito i kishte paralajmëruar se edhe me Enver Hoxhën duhet t’i lanin hesapet. E kishin të vështirë? Po edhe jo. Por, gjithsesi, ato që ndodhën në Konferencën e Tiranës, kishin treguar se ç’urrejtje ndrydhej te komunistët e si pasojë edhe te populli ndaj diktaturës komuniste në Shqipëri. Ashtu si në Hungari, Poloni, Çekosllovaki…
…Por edhe Enver Hoxha sulmon Hrushovin!
Por të kthehemi te takimi midis delegacioneve tona në prill të vitit 1957 në Kremlin.
“Duhet pasur parasysh, -shkruan Ramiz Alia, – se në vitin 1957 në Shqipëri ende ishte në fuqi sistemim i triskëtimit, pra i furnizimit të popullsisë në mënyrë të kufizuar, me tollona si për ushqimet ashtu edhe për disa mallra industriale. Një situate e tillë nuk mund të vazhdonte më tej. Për kapërcimin e saj ndihma sovjetike ishte vendimtare!”(faqe 205).
Më këtë rast, duhet vënë në dukje se ishte turp për një vend të madh dhe aleat i ngushtë yni, si Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera socialiste, të linin që një vend kaq i vogël dhe kaq i vuajtur si Shqipëria të ndodhej në këtë gjendje të mjerueshme ekonomike.
Pas shkëputjes nga Jugosllavia Stalini, që, siç e pamë, me përçmimin dhe indiferencën më të madhe ndaj Shqipërisë e kishte lënë atë në “kujdestarinë” e kushërinjve sllavë të jugut dhe pastaj Hrushovi, nuk e kishin aspak të vështirë që ta ndihmonin shumë me tepër Shqipërinë, madje ta bënin atë një vend që të ishte shembull për Jugosllavinë revizioniste dhe Greqinë monarko-fashiste…Por sovjetikët treguan se ndiqnin politikën e carëve të Rusisë, që kishin përbuzje për popujt e vegjël, aq më tepër jo sllavë.
Mirëpo, për çudi të çudive, pasi i parashtroi udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, “mikut më të shtrenjtë dhe më të madh të Shqipërisë” dhe të tërë popujve të botës, këtë gjendje të përvajshme të shqiptarëve pas 12 vjetësh nën regjimin e tij gjakësor, stalinisti Enver Hoxha me një kryeneçësi të habitshme bëri një ekspoze me të cilën “…nuk pajtohej me vijën që ndiqte Hrushovi dhe me vlerësimet e tij për imperializmin që gjoja “ka ndryshuar natyrën e vet agresive etj. ”, (faqe 205)
Pastaj Ramiz Alia vazhdon:
“Udhëheqësit sovjetikë e dëgjuan ekspozenë e Hoxhës, duke i pëshpëritur herë pas here diçka në vesh njëri-tjetrit dhe duke shprehur shenja nervozizmi…Dhe me të vërtetë, sapo E. Hoxha mbaroi fjalën e tij, ndërhyri Hrushovi. Ai nuk e përmbante veten. (“Jeta ime” faqe 205)
E natyrshme. Enver Hoxha, siç e pamë më sipër, kur gjendja ekonomike ishte aq e vështirë nga një anë kërkonte ndihmë se popullit i kishte ardhur “thika në asht”, ose, ashtu siç shprehej ushtaraku Ismail Ahmeti para tij në Konferencën e Tiranës pikërisht një vit më parë, në prill 1956, se populli “po hante zorrët bagëtive” se nuk kishte ç’të hante tjetër, kur udhëheqësit mbyteshin në privilegje e të mira materiale, dhe tani pikërisht atij që po i vinte në ndihmë në çast shumë të vështirë, i bënte vërejtje se po ndiqte rrugë të gabuar… në politikën e jashtme.
Sigurisht, ishte e drejta e një partie të vogël të shfaqte opinionet e saj, që mund të mos përputheshin, dhe në të vërtetë, nuk përputheshin me opinionet e udhëheqësve, qoftë edhe të shtetit më të fuqishëm të kampit socialist. Por, për mendimin tim, në atë takim nuk ishte rasti i duhur.
Si e përshkruan gjithnjë me krenari këtë takim duke “hyjnizuar” Enver Hoxhën, Ramiz Alia shpjegon më poshtë se pas debateve që u zhvilluan dhe “pas këshillave” . . ”për të provuar se ishte “i çiltër” në ato që thoshte dhe se mosmarrëveshjet me partinë tonë ishin një “incident”që nuk ndikon në marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike , Hrushovi përshëndeti sukseset e arritura në vendin tonë, bile vuri në dukje:
“Është detyrë e Bashkimit Sovjetik dhe edhe vendeve të tjera të demokracisë popullore që ta ndihmojnë Shqipërinë që kjo të zhvillohet më hapa të shpejtë. Aty për aty tha se triskëtimi duhet të marrë fund në Shqipëri, prandaj pala sovjetike do të japë ndihmat e nevojshme. Po kështu, për të lehtësuar gjendjen ekonomike të vendit, na njoftoi se udhëheqja sovjetike ka vendosur t’i falë Shqipërisë rreth 420 milionë rubla të vjetra, (afro 40 milionë dollarë me kursin e asaj kohe), që përbënin sasinë e kredive që Bashkimi Sovjetik i kishte akorduar deri në atë kohë vendit tonë. ” (faqe 208)
(Ja pra se si Shqipëria , që siç theksonte Enver Hoxha e pas tij edhe kryeministri Mehmet Shehu, më 18 qershor të vitit 1956 në mbledhjen e Byrosë Politike, për të cilën bëmë fjalë më lart, ishte në gjendje të vështirë, sepse kishte 900 milionë rubla borxhe, dilte nga kjo gjendje falë ndihmave të Bashkimit Sovjetik, ndaj të cilit ai i shprehte me hipokrizi mirënjohje botërisht në këtë miting).
Pastaj Ramiz Alia thekson se Hrushovi “…vazhdoi me “këshilla” sipas të cilave vija sovjetike duhej të zbatohej se ndryshe…” nuk do të keni përkrahjen e pa rezerva të Bashkimit Sovjetik”, (po aty)
Enver Hoxha pasi kthehet nga Moska…
Më kujtohet fare mirë ajo ditë prilli e vitit 1957, kur, me t’u kthyer në atdhe, Enver Hoxha organizoi një miting madhështor në sheshin ku ndodhet ngrehina qendrore e Universitetit të Tiranës, në të cilin morën pjesë mijëra qytetarë dhe studentë midis të cilëve edhe unë.
Enver Hoxha foli plot entuziazëm dhe falënderoi Bashkimin Sovjetik dhe qeverinë sovjetike me Hrushovin në krye për këtë ndihmë të paçmueshme që ata po i jepnin Shqipërisë. Dhe shprehte një të vërtetë. Atëherë unë dhe shokë të mi, nuk e donim Bashkimin Sovjetik, por përpjekjet e Hrushovit për të krijuar raporte të reja me Perëndimin, që ne e njihnim vetëm nëpërmjet emisioneve të Zërit të Amerikës, BBC-së, ose programeve të RAI-t, na dukeshin të mira.
Por Perëndimin ne, studentët shqiptarë, që kishim mësuar rusisht dhe, natyrisht, ata intelektualë që kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik, filluam ta njihnim më mirë nga shtypi sovjetik që vinte rregullisht dy herë në javë me avion nga Moska.
Ajo që mua dhe shokëve të mi na bënte përshtypje atëherë, ishte se në gazetat sovjetike kishte shumë lajme dhe artikuj mbi zhvillimet politike në B. Sovjetik dhe në botë, mbi shkëmbimet e delegacioneve midis vendeve të Lindjes dhe Perëndimit, sidomos në fushën kulturore, artistike dhe sportive, veçanërisht midis B. Sovjetik dhe SHBA-së, që neve studentëve dhe intelektualëve na interesonin shumë. Veçanërisht reportazhe të gazetarëve sovjetike që botonin nga vizitat e tyre në Amerikë, pavarësisht se kishte edhe vështrime kritike nga sistemi kapitalist amerikan. Por rëndësi kishte fakti se ne po njihnim kështu se cila ishte Amerika dhe vendet perëndimore , që na ishin dukur më parë gogol. Pale pastaj kur nga fillimi i viteve ‘60-të nisëm të ndiqnim edhe programet televizive italiane…
Të gjitha këto, për mendimin tonë, ishin pasojë e vendimeve të Kongresit të 20-të të PK të BS. Atëherë më kujtohet se u bë edhe një reformë në ushtri, nga e cila mijëra ushtarakë dolën në lirim duke lehtësuar kështu buxhetin ushtarak që rëndonte mbi ekonominë. Meqë Hrushovi në këtë kongres kishte ngritur edhe problemin e zbutjes së luftës së klasave dhe rehabilitimit të mijëra kuadrove dhe qytetarëve të thjeshtë që ishin dënuar nga represionet staliniste, edhe në Shqipëri të rinj që kishin “biografi të keqe”, siç quhej atëherë, patën mundësi të ndiqnin shkollat e larta dhe të pastaj të emëroheshin në punë. (Por kjo nuk zgjati shumë se edhe ushtarakët e liruar u kthyen në detyrat që kishin pasur, edhe lufta e klasave u ndez nga Enver Hoxha edhe më e ashpër.)
Gjithashtu, punimet e Kongresit të 20-të edhe në plan ndërkombëtar, duke përfshirë këtu edhe tezat mbi bashkekzistencën paqësore midis dy sistemeve, socialist dhe kapitalist, studioheshin në lëndët e historisë e PK të BS dhe të materializmit historik .
Shkurt, siç do të vë në dukje dhe më pas, na dukej se edhe në vendin tonë po fillonte një periudhë tjetër. Dhe as që na shkonte ndërmend se pas këtij “sihariqi” që solli Enver Hoxha, pas jehonës që i bëhej Bashkimit Sovjetik, sidomos pas lëshimit të satelitit të parë në kozmos, disa muaj në vonë, në tetor të vitit 1957, fshihej një gjendje e tensionuar, shkaktuar nga marksist-stalinisti Enver Hoxha në marrëdhëniet midis dy partive, sidomos për problemin e “bashkekzistencës paqësore” dhe luftës nacional-çlirimtare të popujve të shtypur”, që si pasojë e saj po braktisej, si dhe për probleme të tjera ideologjike për të cilat do të shkruaj më pas duke u bazuar në kujtimet e Ramiz Alisë.
Aq më tepër, siç shkruan Ramiz Alia, pas takimit të mësipërm me Hrushovin dhe udhëheqës të tjerë sovjetikë, Enver Hoxha, duke dalë nga Kremlini, kishte thënë: “Sidoqoftë, pala jonë nuk do të bëhet shkaktare e acarimit të mëtejshëm. Interesat e vendit e nuk e kërkojnë një gjë të tillë ”, (faqe 208)
Më poshtë Ramiz Alia thekson bashkëpunimi midis vendeve tona pati rënie dhe ngritje sipas klimës politike që solli herë mosmarrëveshje, por edhe mbështetje që sovjetikët i jepnin Titos dhe vazhdon:
“Duhet thënë se përvoja e keqe dhe zhgënjimet që kemi pasur me fqinjët tanë të veriut na kishin bërë shumë alergjikë ndaj kujtdo që, në një mënyrë a një tjetër, merrte anën e jugosllavëve . Tek ata që simpatizonin Titon, shpesh shihnim një kundërshtar potencial të vendit tonë. ”(po aty).
Por Enver Hoxha, i kapërthyer nga paranoja, siç do të shohim në pjesën tjetër të këtij dosieri, vazhdonte të shihte e ëndrra me sy hapur, kur gjykonte kështu…
(vijon në numrat e ardhshëm)