Rezerva valutore arrin në afro tre miliardë euro

Rezerva valutore e vendit arriti në afro tre miliardë euro vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka Qendrore, në katër vitet e fundit rezerva valutore ka njohur rritje të vazhdueshme.

Vlera e saj është rritur me rreth 50% që nga viti 2013, kur kishte vlerën e rreth dy miliardë eurove. Sipas Bankës së Shqipërisë, rezerva valutore në fund të vitit 2016 mbulonte afërsisht 7.2 muaj importe.

Qëllimi kryesor i rezervës valutore është pikërisht mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj. Gjithashtu, rezerva valutore mund të përdoret në raste të luhatjeve të forta në kursin e këmbimit, të cilat mund të përbëjnë shqetësim për stabilitetin makroekonomik të vendit.

Por, Banka e Shqipërisë synon ta zmadhojë këtë rezervë, edhe në shërbim të objektivit të stabilitetit të sistemit financiar. Ky vendim ka ardhur si rezultat i euroizimit të lartë të sistemit financiar dhe, në veçanti, nga rritja e ndjeshme e depozitave në euro gjatë dy viteve të fundit.

Banka e Shqipërisë ka planifikuar të blejë deri në 56 milionë euro gjatë këtij viti, me qëllim rritjen e rezervës valutore. Janë shtatë ankande, që kanë nisur në muajin prill, me një interval të planifikuar të blerjes nga tre deri në tetë milionë euro për secilin ankand.

Në dy ankandet e tremujorit të dytë, megjithatë, shuma e blerë ka qenë edhe më e lartë se parashikimet. Vetëm në tremujorin e dytë të këtij viti, Banka e Shqipërisë ka blerë 18 milionë euro.

SHKARKO APP