Rezultate zhgënjyese, Guus Hiddink “fluturon” nga stoli i Holandës

Holanda e mbylli Botërorin “Brazil 2014” pa asnjë humbje dhe e treta në botë. Nën drejtimin e Luis van Gaal, tulipanët ishin një hap larg finales së madhe.  

Por pas Botërorit dhe me ardhjen e Guus Hiddink, Holanda ka zhgënjyer në eliminatoret e fundit, ndaj edhe trajneri i jep lamtumirën stolit pak muaj pasi mori përsipër ta udhëhiqte kombëtaren portokalli drejt “Euro 2016”.

Një vend me futbollistë të klasit botëror si Holanda, nuk mund të pajtohet kurrsesi me rezultate zhgënjyese ndaj edhe i pari “fluturoi” trajneri, dhe vendimi u mor para se të jetë vonë.   

 Lajmin e bën të ditur Federata Holandeze e Futbollit që zgjidh marrëveshjen me trajnerin, i cili i jep fund aventurës që zgjati rreth 1 vit. Trajneri 68-vjeçar e lë Holandën në duart e zëvendësit të tij, Danny Blind, i cili duhet të ndryshojë situatën pasi “tulipanët” renditen në vendin e tretë të grupit eleminator dhe rrezikojnë ndeshjen “Play off” për një biletë drejt Francë 2016.

Kjo është hera e dytë që Hiddink lë stolin e kombëtares së vendit të lindjes. Arritjen më e madhe me Holandën si trajneri ai e regjistroi në Botërorin “Francë 1998”, kur arriti deri në fazën gjysmëfinale.

SHKARKO APP