Rezultati i Bashës, një hap para drejt…degradimit
Nga Flamur Kuçi
Ka një stisje të kryetarit të PD për të paraqitur rezultatin e PD më 21 qershor si një hap para, si dhe një shenjë që opozita nën drejtimin e tij po ringrihet. Pra, sipas tij, fitorja është aty, por mesa duket, njerëzit nuk e shohin (çuditërisht njësoj si tramin). Përtej butaforisë që ngjallin ndër demokrat këto gjetje të Lulit dhe disa zërave të stonuar rreth tij që flasin për fitore, duhet pranuar hapur, që opozita ka dalë e humbur rëndë nga këto zgjedhje, madje është në një tërheqje edhe krahasuar me disfatën e dy viteve më parë.
E thënë thjesht; Në zgjedhjet e 2013, APPD (koalicioni që drejton PD) ka marrë 507,545 vota (ose vetëm diçka më pak se 34%). Po i njëjti grup partish ka marrë në 2013 606,175 vota (ose diçka më pak se 37%). Pra vetëm në 2 vjet, opozita aktuale ka lënë rrugës rreth 100,000 vota.
Ndërsa trendi i tre zgjedhjeve të fundit është i qartë; E djathta ka zbritur nga 41,3% në 2011, në vetëm 36,8% humbjen e 2013 dhe në 2015 duke zbritur në 33,9% të votuesve, duke realizuar kështu një hap ‘para’ në disfatën e radhës.
E majta ka një progres në këtë drejtim. Qartazi ajo ka një trend rritës nga 58,7% në 2011, në 63,2% në 2013 dhe 66,1% në zgjedhjet e fundit.
Ndërkohë që baza e PD-së është e qartë për këtë humbje të paralajmëruar, lidershipi emeton reagime kontradiktore. Nga njëra anë, nxirren zëra të ngjirur për të ‘argumentuar’ fitoren e PD, ndërsa nga ana tjetër flitet për shkatërrim të zgjedhjeve. Madje edhe ndonjë zë kritik në këto nivele nuk ka avancuar asnjë aksion konkret politik për të dalë nga kjo gjendje. E qartë është vetëm diçka; edhe kësaj here PD do kapërdijë një disfatë pa pasur kurajën për të bërë një analizë reale të shkaqeve të kësaj firoje politike. Kjo, jo vetëm nuk është shpresëdhënëse për elektoratin mbështetës të PD, por përkundrazi; është fyese. Po, po, është përçmuese teza e lidershipit të PD se ‘elektorati nuk ka nga vete, do mërzitet me PS dhe do vijë një ditë tek ne’. Përveçse një delenxhillëk, ky është edhe një infantilitet politik, pasi zgjedhjet e fundit janë në thelb votë kundër arrogancës, dhe arroganca e largon elektoratin.
Si mund të lexohet tjetër kjo disfatë përveçse votë kundër arrogancës? Nuk mund të mos kuptohet si e tillë humbja e thellë në Tiranë, aq sa të duket se opozita as nuk shpreson në një rikthim në këtë qytet. Opozita e sotme refuzon të nxjerrë leksionet e humbjes së para dy viteve. Me siguri po refuzon të lexojë edhe votën e këtyre zgjedhjeve.
Rrudhja në vetëm 13 bashki nga 61, zvogëlimi në kufijtë e forcës së tretë politike, tërheqja pothuaj përfundimtare nga qendrat kryesore urbane të vendit kërkojnë një analizë serioze dhe jo logjikën e Lulit; ‘Fituam, se mund të kishim humbur dhe më thellë…’. Kjo logjikë, përveçse disfatiste dhe infantile, është politikisht deficente. Këtë llogari e bën vetëm një njeri që veç përgjegjësi nuk njeh dhe që është i kënaqur me humbjen e radhës mjaft që ta lënë të hajë ‘bukë e kos’ në pushimin mes gjumit të drekës dhe atij të darkës.
Opozita nuk mund dhe nuk duhet t’ia lejojë më vetes të jetë arrogante me prioritetet e publikut. Ajo duhet të lërë mënjanë interesin personal të Lulit dhe të merret me hallet e publikut.
Opozita nuk mund dhe nuk duhet t’ia lejojë më vetes të mos marrë në shqyrtim votën e njerëzve, duke mos e analizuar si në rastin e para dy viteve. Nëse para dy vitesh, PD refuzoi të analizonte humbjen dhe të ecë vendosmërisht në gabimet që çuan në humbjen e 2013-s, nuk mund të priste rezultat tjetër veçse përsëritjen e asaj humbjeje edhe në 2015, me gjithë konsumin e qeverisjes problematike të majtë.
Opozita nuk mund dhe nuk duhet t’ia lejojë më vetes të rrijë me sytë e shpresë në konfliktin mes PS dhe LSI si të vetmin shans për t’u kthyer në pushtet, por të punojë fort për të ngjallur shpresën e mbështetësve për një rikthim si forcë kryesore politike në vend.
Opozita nuk mund dhe nuk duhet t’ia lejojë më vetes që thjesht të kundrojë kryetarin tek bën pazarin e radhës në dëm të interesave të PD dhe në funksion të pushtetit të tij personal brenda PD-së. Kryetari i PD po kthehet nga i preferuari i liderit historik të PD, në të preferuarin e kundërshtarit politik, pasi ky e ka tepër të lehtë për ta mundur. Madje ky i fundit, edhe pse në mënyrë ironike, nuk ia kurseu as falënderimet e rastit për këtë fitore kaq të lehtë.
Opozita nuk mund dhe nuk duhet t’ia lejojë më vetes të heshtë, apo të bëjë sikur kritikon, në këmbim të ekuilibrit me pushtetin e kryetarit, duke sakrifikuar kështu mbështetjen e elektoratit të djathtë.
Opozita nuk mund dhe nuk duhet t’ia lejojë më vetes të rendë kësisoj e papërgatitur në zgjedhjet e përgjithshme sepse në vend që të jetë shpresa e këtij vendi, do jetë thjesht tabela kundrejt së cilës do të vazhdojë të drejtohet vota kundër arrogancës, duke bërë kështu hapin e radhës drejt degradimit të kësaj force politike.
Përpara zgjedhjeve, të gjithë ishin të bindur se këto zgjedhje ishin basti i Lulzim Bashës. Na u tha: Kandidatët janë të tijtë, koalicioni politik është i tiji, platforma elektorale dhe imazhi i fushatës të gjitha të tijat. Edhe lideri historik e konfirmoi këtë fakt, kur tha publikisht se ai nuk kishte gisht në këto zgjedhje. Pse përgjegjësia për humbjen nuk mund të bëhet e tij? Pse kjo “inkoherencë” flagrante qëndrimesh nga një palë zgjedhje tek tjetra? Lideri historik dha dorëheqjen nga të gjitha funksionet për shkak të përgjegjësisë për humbjen, edhe pse “faji” ishte nga pak i “të gjithëve”. Po Luli pse nuk lëshohet në fatin e vet, kur është personalisht përgjegjës, por shkojmë deri atje sa të deklarojmë kolektivisht si idiotë a të pacipë se Luli ka fituar?
Të pranosh Lulin pas këtij rezultati do të thotë të bëhesh bashkëfajtor për rrënimin e PD, sepse me Lulin nuk ka të ardhme, nuk ka shpresë. Njeriu që nuk ka as aftësinë të bëjë autokritikë, nuk është i lirë as të thotë “më falni”. Ndaj unë nuk rri dot pa thënë: ju që jeni funksionarë të partisë, ju që keni obligime dhe përgjegjësi ndaj demokratëve, ju nuk lejoheni më as të justifikoni, as të kritikoni në tym! Ju duhet të merrni nisma sipas statutit! Ju duhet të prezantoni alternativa! Më e vogla prej tyre: kërkoni shpërndarjen e PD! Të paktën të mos mashtroni më demokratët dhe t’i shtyni më shumë drejt humnerës.
Shqip