Ridimensionimi i mundshëm i politikës së zgjerimit të BE-së

Nga Albana Bano/Kohët e fundit ka pasur disa deklarata në media nga dy përfaqësues të lartë të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar (UK) në lidhje me integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP) në BE. Konkretisht, Sekretarja e Shtetit për Punët e Brendshme Theresa May ka kërkuar hapur mos-anëtarësimin në Bashkimin Europian të Serbisë, Shqipërisë dhe Turqisë.  Ajo është shprehur se Shqipëria, Serbia dhe Turqia kanë “varfëri dhe probleme serioze me krimin e organizuar, korrupsionin dhe ndonjëherë dhe me terrorizmin”. Në lidhje me vendin tonë, Sekretarja e Shtetit i ka mëshuar veçanërisht nivelit të lartë të kriminalitetit dhe rrezikut që vjen nga bandat shqiptare. Referuar fjalëve të saj, 1 në 20 të burgosur në UK, është shqiptar.

Sekretarja May është përkrahëse e qëndrimit të Mbretërisë së Bashkuar në BE. Ajo është gjithashtu dhe përfaqësuese e lartë e qeverisë britanike, e cila ka qenë mbështetëse e fuqishme e zgjerimit të Bashkimit Evropian drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.

Në këtë aspekt, deklarata e znj. May është një sinjal se nëse Mbretëria e Bashkuar vendos të mbetet anëtare e BE-së, ajo mund të përballet me presione të brendshme dhe të detyrohet të ndryshojë qëndrim ndaj anëtarësimit në Union të vendeve të rajonit tonë dhe Turqisë.

Në këtë pikë ngrihen disa çështje për diskutim. Së pari, në rast se kundërshtohet integrimi i Shqipëri-Serbisë (apo i gjithë vendeve të BP-së, sipas Sekretarit Gove) dhe i Turqisë në bllok, kjo mund të sjellë konvergimin e procesit të integrimit evropian të vendeve të rajonit tonë me rrugëtimin e shtetit turk për në BE.

Ata që e njohin sadopak procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, e dinë se ai është i shkëputur nga përafrimi i Turqisë me Unionin. Si Ballkani Perëndimor, ashtu dhe Turqia, janë përfshirë në politikat zgjeruese të Bashkimit Evropian, por marrëdhëniet Turqi-BE ndjekin një trajektore të ndryshme nga procesi i integrimit të vendeve të BP-së. Që prej samitit të Zagrebit, rajoni ynë u përfshi në Procesin e Stabilizim -Asociimit. Gjatë Samitit të Selanikut të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor iu konfirmua perspektiva evropiane.

Turqia me një popullsi prej 76.7 milionë banorë, nuk është pjesë e kësaj qasjeje. Ajo paraqiti kërkesën për anëtarësim në BE në mes të viteve `80 dhe në 1996 iu dha statusi i vendit kandidat. Pavarësisht këtij statusi, procesi i anëtarësimit të Turqisë u bllokua nga një sërë arsyesh midis të cilave dhe fakti se  disa liderë politikë të BE-së, janë shprehur hapur se Turqia nuk është vend evropian, pasi ajo ose nuk ndan të njëjtat vlera dhe parime me Unionin, ose shtrihet më së shumti në kontinentin aziatik. Në të kundërt, Kryeministri i UK, David Kamerun, do të deklaronte gjatë vizitës  së tij në Ankara, mbështetjen e plotë të Mbretërisë së Bashkuar për integrimin e Turqisë në Bashkimin Europian.

Së dyti, pas anëtarësimit në Union të Sllovenisë në 2004 dhe Kroacisë në 2013, ngatërresa e mundshme e integrimit të vendeve të BP-së me çështjen e komplikuar turke, do të ngërthente rajonin tonë në dy çështje tërësisht të huaja për të: së pari, nxitja e diskutimeve mbi përkatësinë evropiane që gjer më sot nuk është vënë në dyshim për asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Së dyti, përfshirja e shtetit turk në ecurinë e vendeve tona drejt BE-s, do të rezultonte në krijimin e një grupi të ri të copëzuar gjeo-politikisht dhe të pesëfishuar nga ana numerike, që më shumë se një grup shtetesh të barabarta që gravitojnë rreth BE-së, do të ishte një grup popujsh të vegjël që gravitojnë rreth Turqisë së madhe. Për vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë krijuar një identitet të përbashkët dhe që ndjekin të njëjtën udhë drejt Unionit, kjo do të ishte sa irracionale, aq dhe zhgënjyese dhe do të godiste fuqishëm kredibilitetin e Bashkimit Europian në sytë e qytetarëve tanë.

Në fakt as Sekretarja May dhe as Sekretari Gove nuk duket se kanë pasur ndërmend konvergimin e procesit integrues të BP-së me atë të Turqisë në deklaratat e tyre. Ata thjesht kanë listuar problemet e përbashkëta të shteteve tona. Megjithatë, ky listim që bëhet në kuadër të integrimit evropian, nuk është çudi të rezultojë në një qasje të re karshi Ballkanit Perëndimor e të kthehet në një skenar real për të ardhmen.

Së fundi, dua të ndalem dhe tek deklarata e Sekretarit Gove, sipas të cilit kur vendet e BP-së të anëtarësohen në BE (përmend specifikisht Shqipërinë), vetëm do të përfitojnë nga xhepat e taksapaguesve britanikë (në këtë rast), pa dhënë asnjë kontribut në buxhetin e përbashkët të BE-së.

Është e vërtetë që vendet e rajonit tonë (me një popullsi prej 18.3 milionë banorësh) përfitojnë ndihma të rëndësishme nga BE-ja. Kur të jemi anëtarë me të drejta të plota do përfitojmë më shumë nga fondet dhe programet e përbashkëta. Por, a është e drejtë të thuhet se vendet tona, apo Shqipëria konkretisht, nuk sjell asnjë kontribut në Union? Unë mendoj se jo. Shqipëria (dhe fqinjët tanë) sjell në BE po aq vlera dhe kontribut sa i sollën Bashkimit Evropian vendet e tjera të rajonit tonë, të Evropës Lindore, apo disa shtete që u anëtarësuan para viteve `90: më shumë siguri, fuqi dhe diversitet.

SHKARKO APP