Rikthehet dhuna në Athinë, ndërpritet ndeshja AEK-Olimpiakos
Pamjet që vijnë Athina mund të shërbejnë si një gushëllim për kampionatin shqiptar apo dhe për problemet e dhunës që shfaqet në disa fusha të vendit. Futbolli grek nuk po gjen paqe, edhe pse u ndërpre për disa ditë. Pas rikthimit, Greqia njolloset nga një tjetër episod i dhunshëm gjatë derbit të Athinës mes AEK-ut dhe Olimpiakosit, në sfidën e kthimit të fazës çerekfinale të Kupës së Greqisë. Ndeshja u ndërpre për shkak të hedhjes së mjeteve të forta në fushë në momentin e shënimit të golit nga Jara i Olimpiakos, që vlente kualifikimin, pasi sfida e parë kishte përfunduar në barazim 1-1. Rreth 25 mbështetës të AEK-ut pushtuan fushën e blertë dhe tentuan të godisnin futbollistët kundërshtarë, të cilët u grumbulluan në tunel për t'u mbrojtur nga tifozët e verdhezi. Gjysmë ore më vonë, pas ndërhyrjes së policisë, arbitri vendosi ta ndërpriste përfundimisht ndeshjen. Në muajin shkurt qeveria greke kishte marrë vendimin për ndërprerjen e kampionatit për shkak të trazirave të përsëritura, sidomos në derbin tjetër të kryeqytetit mes Panathinaikos dhe Olimpiakos. Gjatë javës së kaluar, u vendos që kampionati të luhej me dyer të mbyllura, mirëpo në ndeshjen e Kupës tifozët mund të ishin në stadium. Pas ngjarjeve të dhunshme të së mërkurës, presidenti i AEK-ut, Dimitris Melissanidis u shpreh se futbolli grek ka prekur fundin.