Rikthehet në Tiranë Damir Fazlliç

 

Nga Lorenc Vangjeli*

Nuk ka kaluar shumë kohë, kur e quanin mik shtëpie dhe se mund ta sillnin në çdo moment edhe në parlament, ku do të mund të fliste e të thoshte çfarë të donte. Nuk ishte pak, përkundrazi, ishte mjaftueshmërisht shumë e më shumë që në një vend si Shqipëria, të ishe mik personal dhe mik familjar i kryeministrit. Aq më tepër kur kryeministri quhej Sali Berisha dhe ishte në kulmin e pushtetit të tij. Ajo ishte kohë e artë për Damir Fallzlliçin, biznesmenin kontravers ballkanas plot dritëhije dhe së paku, më shumë miliona të prodhuara në Shqipëri.

Si mik i Doktorit, ai ishte sipas mendësisë servile shqiptare dhe ballkanase, edhe shef absolut i gjithë vartësve të Doktorit. Shumica dërmuese e tyre i rrinin para e mbrapa dhe e ëndërronin një foto gjysëm të fshehtë, tip “paparazzi”, me të. Por kohët ndryshuan. Sot, një, qytetar i angazhuar dhe personazh i njohur, një nga udhëtarët e Lufthansa-s të nisur nga Mynihu dhe që parashikohet të zbresë në Rinas në orën 10.50, njohu biznesmenin misterioz dhe njoftoi tek” javanews.al”. “Po vjen Damiri”.

Në thelb, Fallziçi bënte lajm dikur pikërisht për panatyrshmërinë e marrëdhënies së tij publike me kryeministrin dhe panatyrshmërinë e të bërit biznes nisur nga ky fakt. Sot ai mund të vejë e të vijë në Tiranë si çdo qytetar tjetër evropian edhe pse ka probleme të shumta qoftë me pronat (një pjesë e tyre janë vënë në sekuestër në Tiranë), qoftë dhe me drejtësinë.

Dikur, nja katër vjet më parë, ai do të vinte në Rinas sa për të dhënë një intervistë televizive dhe më pas do të ikte sërish me avionin e tij privat, nën mbrojtjen e policisë së shtetit. E mbronte…nga prokuroria e shtetit e cila kishte një mandat për të. Ja një provë tjetër se Shqipëria, së paku për Fallzlliçin ka ndryshuar. Edhe pse vazhdon ende të bëjë biznes në Tiranë, kjo është një provë se gjithçka që lidhet me pushtetin është e përkohshme. Edhe lavdia. Edhe suksesi. Edhe njohja. Edhe dashuria e të tjerëve. Gjithçka, sidomos dhuratat e pushtetit janë tmerrësisht të përkohshme, sidomos kur janë të pamerituara. Edhe kur pushteti dhuron pushtet. Siç ka ndodhur rëndom në Tiranë. Si rregull dhe jo si përjashtim.

*Javanews.al

SHKARKO APP