Rikthim i ligjshmërisë në administrimin e pasurive të vendit
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në analizën e OSHEE:
Besoj që, të gjithë e keni parasysh momentin kur filloi ky operacion me rëndësi themelore për sigurinë tonë kombëtare sepse i tillë është dhe sektori energjitik, një çështje e sigurisë kombëtare. Pak kush besonte atëherë -dhe atëherë, jo shumë larg, por vetëm disa muaj më parë- se ne një kohë kaq të shkurtër do të kishim një pamje tërësisht të transformuar të situatës së sektorit dhe do të kalonim nga një perspektivë e zymtë kolapsi energjetik, në një perspektivë krejt të re, ku reforma tërësore në sektorin energjitik mund të jetësohet në të gjitha komponentët e saj pa u kërcënuar nga kolapsi i sigurt ku po e çonin vendin politikat dritëshkurtra dhe në thelb antikombëtare të së shkuarës. Sot, ne mund të themi me plot gojën se kemi kapërcyer hendekun e madh që na ndante nga e ardhmja duke garantuar në radhë të parë një kapërcim psikologjik me rëndësi të dorës së parë. Nëse deri dje, siç e keni vënë re edhe në debatin publik, vjedhja e energjisë justifikohej me gjithfarë argumentesh absurd, sot këto justifikime nuk ekzistojnë më.
Të gjithë e kanë të qartë që energjia është një mall dhe si çdo mall paguhet dhe si për çdo mall që vidhet, vjedhja ndëshkohet pa asnjë kompromis. Sot, sipas BB ajo çfarë qeveria ka bërë në këtë sektor, ka siguruar në radhë të parë sigurinë financiare të sektorit, duke çelur një perspektivë te re. E prandaj në këtë moment, kur kompanitë bëjnë këtë bilanc, besoj se është dita e duhur për t’ju shprehur mirënjohjen dhe falenderimin më të sinqertë të gjithë atyre shqiptarëve dhe shqiptareve që pavarësisht gjendjes së tyre ekonomike, iu bashkëngjitën kësaj përpjekjeje historike për të bërë këtë kapërcim historik.
Të dhënat e ekspozuara, edhe këtu, tregojnë se jo vetëm kemi një përmirësim të ndjeshëm krahasuar më një vit, dy vite apo disa vite më parë, por sektori ka nisur të marrë frymë dhe rritja e likuiditetit ka bërë të ulet niveli i borxheve që kompanitë i kanë njëra-tjetrës dhe të tretëve. Nga ana tjetër, aplikimi i skemës lehtësuese për shlyerjen e borxheve ka realizuar objektivin e vet themelor që ishte vendosja e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike. Faktikisht, kemi pasur një numër jo rekord, por përtej çdo rekordi të imagjinueshëm, të aktmarrëveshjeve të lidhura mes konsumatorëve dhe kompanisë, afro 300 mijë nga dhjetori në mars. Ndërkohë që, mesatarja e marrëveshjeve të lidhura gjatë një muaji përpara se të fillonte ky operacion rrënjësor ishte katër deri në pesë mijë. Janë 61% e konsumatorëve të lidhur në aktmarrëveshje që janë familjarë dhe kanë përfituar nga ulja 80% e kamatëvonesës, ashtu sikundër janë 31% të tjerë kanë nënshkruar për ta shlyer detyrimin e prapambetur me këste çdo muaj. Po ashtu, janë rreth 8% familjarët në këto aktmarrëveshje që figurojnë në skemën e ndihmës ekonomike dhe që janë dakordësuar për të shlyer borxhin me këste mujore 1 mijë lekë në muaj.
Vlera totale financiare e aktmarrëveshjeve të nënshkruara është 50.5 miliardë, një shifër e jashtëzakonshme dhe shumë premtuese pikërisht për arritjen e objektivit tonë strategjik që brenda tre viteve të ardhshme ky sektor të mos jetë më një gropë që thith para që mund të shkojnë gjetkë për të mbajtur në këmbë vetveten, por të jetë një sektor që të ecë me këmbët e veta dhe prodhon fitime. Diçka e paimagjinuar dhe e paimagjinueshme për 20 vjet me radhë. Nga ana tjetër, dëshiroj të theksoj se vlera e kamatëvonesës së falur, si pasojë e përfitimit nga skemat lehtësuese është 39 milionë dollarë. Pra, një shumë që ka mbetur në arkën e familjeve shqiptare, të cilat kanë pranuar të bëhen pjesë e kësaj përpjekje historike për të bërë këtë transformim rrënjësor për ekonominë dhe për jetën shoqërore të vendit. Është një histori suksesi që sot komentohet në Bankën Botërore, komentohet në FMN dhe tregohet si një histori për t’u marrë shembull edhe nga vende të tjera që vuajnë prej të njëjtës problematikë, kuptohet jo në Europë dhe aq më pak në BE, ku një histori e tillë nuk ekziston, pasi nuk ka vend europian dhe nuk ka vend në BE që të imagjinohet se dikush mund ta vjedhë ose mund të mos e paguajë energjinë elektrike.
Sigurisht që, në këtë histori suksesi ka pasur rolin e vet të pazëvendësueshëm Policia e Shtetit, e cila është anatemuar, është sulmuar, është kriminalizuar përmes një propagande të shfrenuar, që në thelb ka cenuar interesin kombëtar të vendit, pasi Policia e Shtetit, ka arritur të bëjë atë që faktikisht deri pak muaj më parë ishte e paimagjinueshme; të sigurojë zbatimin e plotë të ligjit në të gjithë territorin në funksion të mbrojtjes së këtij sektori strategjik, që është themelor për sigurinë tonë kombëtare. Bashkëpunimi i ngushtë mes OSHE dhe Policisë së Shtetit për rivendosjen e ligjshmërisë përmes një zbatimi uniform të ligjit, përpara të cilit të gjithë janë trajtuar tërësisht si të barabartë, ka sjellë që sot ne të jemi në kushte tërësisht të reja dhe të jemi të gatshëm për të bërë volumin më të madh të investimeve në sektor krahasuar më të gjithë vitet e shkuara.
Fakti është që kjo nuk është një histori që ka mbaruar. Kjo është një histori që vazhdon dhe sikundër e kemi siguruar qysh ditën e parë dua ta nënvizoj dhe tani; Nuk ka qenë dhe nuk është një aksion, as 3 ditë, as 30 ditë. Është një mënyrë e re sjelljeje e qeverisë, e shtetit dhe e kompanisë, në raport me këtë pasuri kombëtare. Kjo mënyrë e re sjelljeje synon të imponojë dhe do ta imponojë deri në fund një sjellje simetrike edhe të konsumatorëve. Kush konsumon energji duhet ta paguajë dhe kush e paguan meriton të marrë një shërbim më të mirë. Ndërkohë që, kush guxon ta vjedhë meriton atë që parashikon Kodi Penal dhe atë do të marrë.
Sigurisht që, sot janë më shumë dhe me më shumë të drejtë shqiptarët që thonë; Dakord ne po e paguajmë energjinë elektrike, por duam të kemi një shërbim cilësor. E pra, sot ne jemi në kushtet kur mund të punojmë, mund të investojmë, mund të modernizojmë dhe mund të realizojmë në kohën më të arsyeshme rritjen e cilësisë së shërbimit, sepse që të kesh një shërbim cilësor duhet ta paguash atë dhe nuk mund të ketë një shërbim cilësor nëse askush apo një pjesë shumë e madhe nuk paguajnë për këtë, siç ka ndodhur 20 e kusur vite me radhë në mekanizmin e kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike. E cila, nga ana e vet është pjesë e këtij transformimi pasi po transformohet më në fund pas shumë vitesh nga një bandë e varur në shkopin e flamurit të partisë së radhës, në një kompani me një vizion, me një strategji, me një mision dhe me një funksion, njësoj si në çdo korporatë tjetër. Asnjë korporatë nuk mund t’i lejojë vetes që të japë një mall për të cilin nuk e paguajnë dhe po njësoj kjo kompani nuk mund t’ja lejojë vetes këtë gjë dhe nuk do t’ja lejojë më vetes këtë gjë. Fakti që është një kompani publike nuk e bën kompaninë më bujare, por përkundrazi e bën kompaninë po aq të përgjegjshme sa po të ishte një kompani private, madje edhe më të përgjegjshme. Sepse, kjo kompani faktikisht administron një pasuri kombëtare të pazëvendësueshme siç është energjia.
Ne siguruam një financim vitin e shkuar prej 150 milionë eurosh për projektin e rimëkëmbjes së sistemit energjetik. E siguruam, përmes reformës rrënjësore në sektor, një reformë shumëplanëshe që shtrihet nga liberalizimi i tregut deri tek zbatimi i ligjit në raportin mes konsumatorit dhe kompanisë së shpërndarjes. Por, nga ana tjetër, të gjithë shqiptarët duhet ta dinë se sigurimi i këtij financimi dhe lehtësia e shtuar për të siguruar financime të tjera është rezultat i përgjigjes së tyre masive pozitive ndaj apelit për t’u bërë të gjithë bashkë dhe për t’u treguar patriotë, jo duke tundur flamurin kuq e zi gjatë një ndeshje futbolli, por duke paguar secili pjesën e vet të detyrimit në raport me këtë pasuri kombëtare, sepse ky është thelbi i patriotizmit të një vendi. Vetëdija për të detyrimin që ka secili ndaj vendit të vet, ndaj pasurisë së përbashkët dhe ndaj asaj që konsumon si pjesë të vetën në tërësinë e konsumit të pasurive tona të përbashkëta.
Ky vit do të jetë viti i intensifikimit të reformës në sektorin energjetik dhe i konsolidimit të kësaj baze ligjshmërie, që tanimë është shtrirë në të gjithë territorin. Për këtë arsye, edhe puna e përbashkët mes kompanisë dhe Policisë së Shtetit nuk do të reshtë dhe për këtë arsye, edhe askush nuk duhet të mendojë se mund të shpëtojë për një kohë të gjatë duke iu shmangur ligjit, në raport me detyrimin që ka ndaj kompanisë.
Lajmi tjetër i mirë është që, Korporata Elektroenergjetike ka shlyer falë kësaj përpjekjeje të përbashkët, rreth 70% të borxheve të prapambetura ndaj hidrocentraleve private. Borxhe, të cilat do të shlyhen plotësisht brenda këtij viti, duke i hequr nga qafa shqiptarëve një tjetër lak të së shkuarës, që po shkonte dhe po mbyste një pjesë të konsiderueshme të forcave të kompanisë dhe të sektorit për t’u rimëkëmbur.
Brenda viti 2018, pra, në tre vitet e ardhshme, plani ynë është që të liberalizojmë 40% të tregut dhe të nxisim investime dhe bashkëpunime rajonale në fushën e energjisë. Kemi siguruar një bazë, të cilën duhet ta forcojmë dita ditës në muajt dhe në tre vitet në vijim, për t’u kthyer nga një dele e zezë dhe absurde në mes të Europës, një vend njollë e zezë, i njohur për pasuritë e veta të mëdha hidrike dhe për potencialin e vet të madh hidroenergjetik, por njëkohësisht edhe për faktin që këto pasuri dhe ky potencial ishin kthyer në problem serioz i mbijetesës së vet, në një lojtar rajonal me një rëndësi të madhe për vetë faktin se Shqipëria disponon burime dhe potenciale natyrore të jashtëzakonshme për të qenë një lojtar i tillë.
Kjo reformë tërësore, plus kjo vendosmëri dhe kjo përgjigje e madhe pozitive e qytetarëve, përgjigje kuptimplotë e nevojës së qytetarëve për ta mbyllur kapitull e rrumpallës së 25 viteve dhe për të hyrë në një kapitull të ri si europiane, pjesë e Familjes Europiane, bën që ne të jemi me plot kuptimin e fjalës të gatshëm për të hyrë në një fazë të re, me një dinjitet, me një seriozitet dhe me një respekt edhe të të tjerëve ndaj nesh.
Dua ta mbyll duke prekur këtu, një temë tjetër dhe duke bërë një paralajmërim të qartë dhe të parë, për një tjetër operacion që do të nisë në ditët në vijim. Ashtu sikundër e kemi nisur edhe këtë operacion të madh që do të vazhdojë, ashtu sikundër kemi nisur edhe operacionin e madh për të frenuar përfundimisht shkatërrimin e pronës së përbashkët përmes ndërtimeve pa leje, ashtu do të nisim edhe një operacion tjetër, duke bërë një paralajmërim;
Kush i shet shqiptarëve naftë që nuk përmbush standardet e parashikuara të cilësisë, ka vetëm pak javë kohë për t’u kthyer një herë e përgjithmonë brenda kornizës së parashikuar nga ligji.
Operacioni antikrim në sektorin e naftës do të jetë frontal, do të shtrihet nga pikat hyrëse në dogana tek çdo pikë nxjerrjeje dhe përpunimi të naftës, deri tek çdo pikë shitjeje në territorin e Republikës së Shqipërisë. Do të jetë një operacion që nuk do të tolerojë askënd. E di mirë se çfarë fuqie kanë ata, të cilët prej shumë vitesh në këtë sektor, kudo ku kanë gjetur shesh kanë bërë një përshesh dhe e kanë ngrënë përsheshin me naftë, bashkë me ata të cilët e keqqeverisën këtë vend për vite me radhë, duke vendosur mina kudo ku vunë dorën, si ajo mina që shpërtheu ditët e fundit në Marinzë, por jo vetëm që nuk na dridhet qerpiku që t’i kemi përballë, përkundrazi do t’ju rrimë përballë dhe do t’i zmbrapsim të gjithë brenda kornizës së ligjit.
Shqipëria është e pasur në burime hidrike, është e pasur në potencial hidroenergjetik dhe nëse sot jemi ende në fazën kur duhet të dalim nga një gropë e madhe, në vend që të ishim në fazën kur duhet të bënim pasuri për të gjithë, falë kësaj pasurie të madhe që na ka falur Zoti apo natyra për kë nuk beson në Zot. Po ashtu, Shqipëria është e pasur në naftë dhe gaz. Duke folur për naftën, unë mund të them se këto 18 muaj na kanë mjaftuar për të bërë një analizë shumë të qartë të të gjitha zonave të errëta të një sistemi të korruptuar korruptorësh dhe të një sistemi zhvatësish dhe grabitësish që shtrihet në gjithë zinxhirin, për të përfunduar tek grabitësit që iu shesin naftë qytetarëve dhe në fakt, ajo që qytetarët fusin në makinë, nuk është ajo që ata paguajnë.
Bazuar në këtë analizë dhe bazuar në strategjinë e këtij operacioni që kemi disa muaj që e kemi përgatitur, në javët në vijim do të fillojmë njësoj si me energjinë. Por këtë herë, duke adresuar problematikën tek ata që bëjnë para në kurriz të shqiptarëve.
Nuk kemi asgjë kundër askujt që bën para përmes një biznesi. Përkundrazi, jemi një qeveri që e kemi treguar dhe do ta tregojmë deri në fund se jemi në krah të sipërmarrjes dhe do të mbështesim në mënyrë të paepur, çdo sipërmarrës. Jemi një qeveri, që e kemi treguar dhe do ta tregojmë deri në fund se problemi ynë nuk janë të pasurit, por problemi ynë është varfëria. E varfëria nuk luftohet me më shumë varfëri, por luftohet me më shumë të pasur, por, ama, secili pjesën që i takon. Kush bën biznes, ta marrë e ta gëzojë atë që i takon. Por, ne nuk do të lejojmë që me biznesin e naftës, shqiptarët paguajnë për të blerë naftë për makinën e tyre dhe dikush të pasurohet, ndërkohë që, makinat e shqiptarëve të shkatërrohen para çdo afati garancie, për shkak se lëngu që fut aty brenda rëndom nuk është lëngu që ata blejnë. Po ashtu, askujt nuk do t’ia lejojmë që për shkak të këtij materiali të trukuar, që rëndom futet në makinat me të cilat lëvizin shqiptarët, të kemi një superndotje të ajrit dhe të kemi një mbingarkesë të pamerituar në shëndetin e popullit tonë.
Ky është paralajmërimi im! I siguroj të gjithë ata, të cilët kanë lidhje me këtë paralajmërim, se nëse nuk do ta marrin seriozisht dhe nëse nuk do të kuptojnë edhe në këto pak javë që kanë mbetur përpara fillimit të operacionit, se historia edhe në këtë sektor do të ndryshojë një herë e përgjithmonë, do të duhet të paguajnë një çmim shumë të lartë. Ne do të ndryshojmë edhe legjislacionin, siç e ndryshuam për energjinë. Pavarësisht se kam parë shumë demokratë,- jo në kuptimin e Partisë Demokratike se ajo është histori më vete, por kam parë shumë demokratë në kuptimin e një liberalizmi “festiv”- që thonë se ç’janë këto ndëshkime, ç’janë këto dënime. Po, ja ku jemi sot dhe rezultatet i keni para syve. Këto pikat e karburantit që janë kthyer si kërpudhat në të gjithë territorin e Shqipërisë ose do të zbatojnë ligjet, ose do t’i shërbejnë me cilësinë e standardeve europiane atyre që shkojnë blejnë mall tek to, ose do të ndëshkohen sipas dispozitave të reja të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, që ne do t’i propozojmë dhe do t’i miratojmë një orë e më parë. Kjo histori nuk mund të vazhdojë më!
Nuk e anashkalova, por ne jemi qeveria, nuk jemi opozita. Opozita punë ka fjalën, ne fjalë kemi punën dhe pastaj flasim për të shpjeguar punën, ose për të lehtësuar punën. Lidhur me atë që ndodhi në Marinzë, përgjegjësia është 100% e kompanisë. Kompania duhet të dëmshpërblejë 100% të gjithë të dëmtuarit. Duhet ta bëjë këtë një orë e më parë. Duhet ta bëjë sipas standardeve ndërkombëtare, sepse, pavarësisht sesi mund t’i dukemi ne, njërit apo disave që nuk flasin shqip, në vendin tonë ne jemi po kaq ndërkombëtarë sa ndërkombëtarët dhe jo vetëm meritojmë, por do të sigurojmë që çdolloj ndërkombëtari, sado i pasur që të jetë, nëse bën biznes në Shqipëri, të mos guxojë të trajtojë asnjë shqiptar sikur të jetë një qenie e dorës së dytë. Dhe, nuk do të ndalemi aty.
Nuk diskutohet dëmshpërblimi, nuk diskutohet as që kompania do të duhet të na vërë në dispozicion një orë e më parë dhe sa më shpejt aq më mirë për kompaninë, planin afatmesëm të rehabilitimit të zonës. Por, do të kërkojmë një audit të specializuar ndërkombëtar, siç ndodh në të gjitha vendet normale demokratike, që garantojnë kontratat mes shtetit dhe privatit, duke mbrojtur interesat e kombit, të vendit dhe të qytetarëve dhe siç ndodh sa herë që kompanitë e naftës bëjnë çudirat e tyre, siç i bëjnë edhe në vende shumë më të zhvilluara dhe shumë më të sigurta sesa vendi ynë. Bazuar tek auditi ndërkombëtar, ne do të marrim falë ekspertizës më të mirë ndërkombëtare, edhe rezultatin e të gjithë problematikave që ka kompania me kontratën, me shtetin dhe me qytetarët shqiptar dhe për çdo problematikë që do të rezultojë si një problem mes kompanisë dhe shtetit, kompania do të vihet para përgjegjësisë, njësoj siç vihet para përgjegjësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada, në Francë, në Gjermani apo kudo qoftë. Ne nuk jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk jemi Kanadaja, nuk jemi Franca, nuk jemi Gjermania, ne jemi Shqipëria dhe nuk kemi luksin që të mbyllim sytë, apo që të humbasim qoftë edhe një litër naftë nga kjo pasuri që nuk na e kanë dhënë të huajt dhe nuk mund të na e marrin të huajt dhe të na e zhvatin si t’iu teket atyre. Kjo histori do mbarojë.
Ajo që është me rëndësi është që të gjithë të kuptojmë, – histori e ditur kjo, – se edhe në këtë sektor si në energji, si tek ndërtimtaria e kuturushme, si tek universitetet e kuturushme, si tek të gjitha me radhë, na kanë lënë me kontrata dhe me situata skandaloze në duar. Ky nuk është justifikim! Përkundrazi, kjo është një arsye më shumë që ne të veprojmë. Por, ne do të veprojmë qoftë në frontin që thashë, qoftë dhe në frontin tjetër; nuk do të ketë më kompani fantazmë, as kompani që vijnë në Shqipëri dhe gjejnë kushëririn e duhur për të shpuar ku të munden dhe për të marrë sa të munden nga nafta e shqiptarëve. Nën qeverinë tonë, çdo kontratë e re jo vetëm do të jetë e standardeve ndërkombëtare, por do të bëhet vetëm me emra të mëdhenj dhe të panjollosur botërisht. Emra për të cilët, qeveria e Shqipërisë do të duhet të garantohet dhe do të garantohet plotësisht dhe publiku shqiptar do të jetë plotësisht i garantuar. Kështu, edhe ata të jenë krenarë që punojnë në Shqipëri, edhe ne të jemi krenarë që në bashkëpunim me kompani reale të mëdha bëjmë më të mirën për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sigurisht, pastaj, secili sipas asaj që jep, merr atë që i takon. Kush bën biznes, ta marri atë që i takon, por asnjë qindarkë më shumë sesa ajo që i takon, sepse ajo qindarka më shumë i takon shqiptarëve, i takon familjeve shqiptare, i takon fëmijëve të këtij vendi, nuk i takon grabitqarëve të naftës.