Rikthim në komunikim për një sërë sfidash të reja

Nga Glevin Dervishi/ Një vështrim historik mbi 45 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënie diplomatike Shqipëri-Greqi. 6 maj 1971.

Në mars 1971 Jorgos Papadhopulos, kreu i juntës ushtarake greke vendosi që të ulë tensionet brenda dhe jashtë Greqisë. Së brendshmi ai inicioi politikën e tij të liberalizmit të limituar nëpërmjet të cilës të mund të shtonte radhët e mbështetësve, që më vonë u pasua me dhënien e lejeve për rikthim në Greqi për komunistët grek në mërgim, si dhe duke vendosur në përgjithësi një raport më tolerant ndaj regjimeve komuniste. Imazhi i regjimit të juntës greke ishte tepër i keq në botë dhe kolonelët ishin në pozitë jo komode e cila nuk u linte shumë hapësirë për manovra në politikë të jashtme .

Pas një periudhe 30 vjeçare ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike dypalëshe që prej fillimit të luftës italo-greke, Greqia dhe Shqipëria rivendosën marrëdhëniet diplomatike në 6 maj 1971. Në kushtet e një marrëdhënie in-ekzistente dhe tepër problematike rivendosja e marrëdhënieve diplomatike duke hapur përfaqësitë respektive në nivel Ambasade duhet të ishte një akt i barasvlershëm ipso-jure dhe ipso-fakte me heqjen e Ligjit të Luftës mes dy vendeve. Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve erdhi ne një moment specifik për Greqinë e cila në këtë kohë drejtohej nga junta ushtarake e kolonelëve dhe Tirana nën regjimin komunist të Hoxhës. Si rezultat i tensionimeve Greqi-Turqi për çështjen qipriote e cila ishte në fazën e vet më problematike në vitet 1970, vendimmarrja politike në Athinë vendosi që të përmirësonte marrëdhëniet me Tiranën.

Për Greqinë, Shqipëria komuniste ishte vija e takimit të bllokut perëndimor më atë lindor, për më tepër që një dekadë më parë ishte pika e takimit të dy blloqeve ushtarake më të mëdha të kohës. Në aspektin e sigurisë rivendosja e marrëdhënieve me Shqipërinë, e cila për nga pikëpamja e kapaciteteve ushtarake në vitet 70 jetonte momentet e saj më të mira, përbënte një siguresë më tepër për Greqinë e cila ndryshonte gjendjen e gatishmërisë ushtarake aktive në kufirin verior. Lëvizja e Juntës për të rivendosur marrëdhënie me Tiranën, mund të shihet dhe si dëshmi e izolimit në të cilën kishte hyrë udhëheqja ushtarake-politike greke në atë periudhë dhe si një qasje solidarizuese mes dy vendesh relativisht me miq të pakët të vërtetë në arenën ndërkombëtare të kohës.

Për të mundësuar rivendosjen e marrëdhënieve dypalëshe, u shtua komunikimi mes përfaqësuesve të të dy vendeve në OKB Sami Baholli dhe Dimitris Bitsiotis në janar 1971, ku palët ranë dakord që të rivendosin marrëdhënie diplomatike dhe të shkëmbejnë ambasadorët. Në këtë periudhë sapo kishte filluar diplomacia e pingpongut Amerikë-Kinë, kjo e fundit aleatja më e madhe e Hoxhës, e bëri Hoxhën të kuptoi që produkti i saj nuk do të ishte vetëm një marrëdhënie diplomatike tipike por një eveniment politik. Në kushtet e pasigurisë së krijuar dhe për regjimin e Tiranës ulja e tensioneve me Athinën duhej parë në një optik më të gjerë. Por në Athinë rivendosja e marrëdhënieve nuk kaloi pa u vënë re aq sa Palamas (sekretar shtetëror për politikën e jashtme), doli në konferencë për shtyp dhe deklaroi se: “Në lidhje me Shqipërinë nuk ka ndodhur asnjë ndryshim pozicioni nga pala greke vetëm se mungesa është zëvendësuar me prezencën, indiferenca me interesin dhe heshtja me dialogun”.

Për Greqinë rivendosja e marrëdhënieve mund të shihet në terma më praktik si hapja e kufirit, që ishte mbyllur që prej 1938. Rivendosja e marrëdhënieve mes Shqipërisë komuniste dhe Greqisë së udhëhequr nga junta e kolonelëve kishte një domethënie të fortë për vet rajonin. Pas rënies së regjimit të kolonelëve marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve u intensifikuan, gjithashtu u vendos një linje ajrore Athinë-Tiranë. Shkëmbimet tregtare mes dy vendeve njohën një rritje shume të madhe në vitet e para të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike aq sa në 1974 Shqipëria eksportonte 26 herë më shumë në Greqi se në 1971. Gjatë viteve 1970-1990 raportet dypalëshe njohën një ecuri normale por të ndikuar nga një frymë e gjatë mosbesimi si rezultat i një marrëdhënie të vështirë historike.

Që nga momenti i rivendosjes së marrëdhënieve dypalëshe, raportet u rritën progresivisht dhe filloi trajtimi i një sërë çështjesh me aktivizimin e disa komisioneve dypalëshe që shtrinin veprimtarinë kryesisht në brezin kufitar, për menaxhimin e piramidave kufitare, burimeve ujore kufitare dhe çështjet me karakter kulturor. Riaktivizimi dhe intensifikimi i kësaj marrëdhënie erdhi dhe si një nevojë e kohës për vetë përkatësinë evropiane, dimensionin human, shkëmbimet njerëzore, nyejt e dendura të rrugëve historike të përbashkëta dhe lidhjet ekonomike mes dy vendeve.

SHKARKO APP