Rimbursimi i TVSH, Financat i kalojnë biznesit 2,028 miliardë lekë

 

Rimbursimi i TVSH-së, si një faktor i rëndësishëm në marrëdhëniet me tatimpaguesit dhe si një detyrim ligjor, po ecën me hapa pozitivë, vlerësojnë zyrtarët e ministrisë së Financave.

Sipas treguesve fiskale paraprake të ministrisë së Financave, gjatë 3-mujorit të parë të ktij viti rimbursimi në vlerë i TVSH-së arriti mbi 2,028 miliardë lekë, nga 474 milionë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit 2014, duke shënuar një rritje prej 328.1 %.

Gjatë vitit 2014 u rimbursuan ndaj subjekteve rreth 8.656 milionë lekë tatim mbi vlerën e shtuar (TVSH), që lidhet me vëllimin e rritur të eksporteve, por njëkohësisht edhe me vëllimin e investimeve në proces gjatë vitit. Nga data 1 janar hynë në fuqi ndryshimet në ligjin për TVSH-në. Në ligj është vendosur që TVSH-ja do të rimbursohet vetëm mbi bazën e analizës së riskut. Pra, nuk do të kontrollohet një për një çdo praktikë dhe më pas të rimbursohet TVSH-ja, por ajo do të rimbursohet mbi bazën e riskut. Por, sistemi do të bëhet funksional vetëm brenda qershorit. Kjo është një nga mjetet që e shkurton mjaft kohën dhe procedurën për marrjen e TVSH-së.

Ligji parashikon uljen e kohës së trajtimit dhe dhënies së rimbursimit të TVSH-së nga administratat tatimore 60 ditë për subjektet e zakonshme dhe 30 ditë për eksportuesit.

Rimbursimi i TVSH-së ka krijuar majft problem për sipërmarrjen. Një pjesë e konsiderueshme e borxhit që qeveria i ka biznesit është TVSH e parimbursuar prej kohësh.

SHKARKO APP