Rimëkëmbja e bujqësisë, ambasadori Lu: Nevojiten reforma të thella
Bujqësia shqiptare ka nevojë për reforma të thella dhe SHBA do të ndihmojë në rimëkëmbjen e sektorit. Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu tha se USAID do kontribuojë me 18.5 mln dollarë, në një takim me ministrin Panariti.
“Ne kaluam një periudhë shumë të vështirë që është ajo e përmbytjeve të cilat patën efektin e tyre negative në bujqësi. Duhet të përmend solidaritetin e treguar nga partnerët tanë strategjikë, nga qeveria e SHBA-së, nga BE, nga donator të ndryshëm por edhe nga bizneset, të cilët kanë bërë të mundur që ne ta përballojmë me sukses dhe madje të futemi në periudhën e rigjallërimit të shpejtë. Nëpërmjet investimeve në agrobiznes, investime që arrijnë vlerën 18.5 milionë dollarë, jep një impuls të jashtëzakonshëm në zhvillimin e veprimtarive në fushën e agrobiznesit. Ajo që është më e rëndësishme është se do të ketë dhe një impakt në mirqënien e familjeve fermere shqiptare duke krijuar mundësi punësimi. Qeveria shqiptare ka vendosur të mbartë kreditë e rreth 1000 familjeve fermere që shkon në një vlerë rreth 1.5 mln euro”, tha Panariti.
Kurse ambasadori Donald Lu do shprehej se "shpresojmë që ndihma amerikane e afruar përmes USAID do t’i mbështesë këto familje, dhe do të ndihmojë në restaurimin e këtyre zonave të rëndësishme. Dimë gjithashtu nevojën e reformave ligjore për ta bërë sektorin kredidhënës më transparent. Nxisim qeverinë edhe sektorin e OJQ-ve që të fokusohen në këto reforma të rëndësishme”.