Rinasi,  barometri i dështimit të turizmit shqiptar

Petrit Kuçana/Një takim për një “çaj anglez”  në House of Lords, organizuar nga Dhoma e tregtisë Shqiptaro-Britanike nën mbështetjen e mikut të madh të shqiptarëve Lordit Watson,  u duk si kurorëzim i evenimentit të përvitshëm; prezantimi i Shqipërisë në panairin botëror të turizmit në Londër. Mbase nuk përbën rëndësi themelore numri apo përfaqësimi i pjesëmarrësve, sesa mungesa e ndonjë lajmi për ndonjë strategji konkrete për thithjen e turistëve britanikë.

Mbetet tejet zhgënjyese (deri në kufijtë e të papranueshmes) shifra e ofruar nga Ministria e Brendshme,  ku për vitin 2015 vetëm 64 893 shtetas britanikë (pra me pasaportë britanike) janë regjistruar të kenë vajtur në Shqipëri. Edhe optimisti më i madh nuk do të guxonte të shkonte më shumë se shifra “dhjetëshe” e turistëve britanikë, nëse kihet parasysh numri i shqiptaro-britanikëve.

Përtej çdo iluzioni për “Shqipërinë e bukur”, për mundësitë fantastike që ofron Shqipëria për turizëm, madje edhe përtej ndonjë shkrimi për turizmin shqiptar në median britanike (të paguar ose jo) as që merr guximin të të krahasohesh me fqinjët, ku numërohem miliona britanikë që shkojnë në Greqi apo Turqi, por qoftë edhe me Malin e Zi.

Numërimi i problemeve për këtë mungesë britanike (dhe jo vetëm) në Shqipëri, (Britania mbetet ndër shtetet që eksporton më së shumti turistë), vazhdon të mbetet thjesht retorikë. Ministria përkatëse çdo vit shënon “progres” për rritjen e numrit të turistëve, ç rëndësi ka nga janë e nga vijnë, ashtu si pjesëmarrja në panairin e Turizmit Botëror në Londër mbetet thjesht në listën e gjërave që duhen bërë  “things to do”.

Mbetet i pamohueshëm një fakt; “Turizmi nis nga Rinasi”. Asnjë panair, reklamë apo shkrim nuk mund të anashkalojë biletat stratosferike që “ofron” aeroporti i vetëm shqiptar me tarifat më të  shtrenjta në rajon dhe jo vetëm.

Janë emigrantët që përballojnë në çdo lëvizje të tyre, katrahurën e Rinasit, por duhet theksuar se aeroportet fqinjë mbesin destinacionet e kushtëzuara, për shkak të ofertave të parezistueshme  që ofrojnë, në shumë raste çerekun e biletës që ofron Rinasi.

Nuk është rastësi që fqinjët tanë, malazezët ofrojnë dy aeroporte, (Podgoricën dhe Tivatin) me popullsi pak më shumë se gjysma e kryeqytetit shqiptar,  ku pjesa e konsiderueshme e “udhëtarëve” mbesin shqiptarë, apo Maqedonia që përveç Shkupit ofron edhe Ohrin dhe i vetmi vend që nuk ka linja lowcost  mbetet Shqipëria.

Edhe pas heqjes së koncesionit të Rinasit, si trashëgimi e dhimbshme e Nanos, asgjë nuk ka ndryshuar. Shumë shumë është dëgjuar ndonjë ministër të thotë se duhen 2.5 milionë euro për ristrukturimin e aeroportit të Kukësit, e madje deri tek tallja e drejtuesve të Rinasit se shqiptarët po i rezervokërkan biletat në minutën e fundit…

Çdo germë e shkruar mbi suksesin e turizmit në Shqipëri, zhvlerësohet totalisht, kur në një kërkim të thjeshtë në internet, gjithkush mund të shohë se biletat Londër-Rinas janë ekuivalente me ato Londër-New York, dhe  një biletë për në mëmëdhe është e barabartë me një pakete turistike në Turqi, ku përfshihet bileta e udhëtimit dhe hoteli.  A duhet të nisë suksesi i Turizmit nga Rinasi? Si është e mundur që mbetemi i vendi vend ku mungojnë kompanitë lowcost të fluturimit, ku mund të ishim vendi lider i rajonit për shifrat e turizmit?

Apo do të vazhdojmë të mjaftohemi me ndonjë shkrim apo kronikë me sukseset e turizmit shqiptar në ndonjë panair dhe të vazhdojmë të rezervojmë biletat nga aeroportet e fqinjëve, derisa dikush të kujtohet për Rinasin, apo tre aeroportet e tjera “të gatshme” siç deklarohet ndonjëherë?

Dhe ja ku “u kry”.  Edhe këtë vit Panairi i Botëror i Turizmit në Londër, një sukses i paparë… në pritje të atij të vitit të ardhshëm, për ndonjë shkrim apo kronikë në mos të njëjtë të ngjashme.

Çaji anglez në House of Lords nuk mund të ngrohë asnjë shpresë se diçka do të ndryshojë, sidomos pas shqetësimit të shprehur haptas të përfaqësuesve të agjencive turistike pjesëmarrëse në panair, se në Rinas ka interesa të mëdha…dhe më kot mundohesh të mendosh se si mund të jetë ndryshe….

SHKARKO APP