Rindërtohet shtëpia e fundit e tërmetit të shtatorit, Veliaj i jep çelësat familjes Muça
Shtëpia e fundit e rrënuar nga tërmeti i 21 shtatorit është rindërtuar më e fortë dhe më e bukur për familjen Muça në Njësinë 8. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i dorëzoi çelësin e shtëpisë së re kryefamiljarit, Etmondit, si një premtim i mbajtur për të gjitha shtëpitë e rindërtuara që prej tërmetit të shtatorit.
“Kjo është shtëpia e fundit e rindërtuar nga tërmeti i shtatorit. Ai tërmet ishte pak më i lehtë, prishi më pak shtëpi, pati më pak dëme, por është gëzim i madh fakti që në kaq pak muaj dhamë të gjitha pagesat cash dhe i rindërtuam të gjitha shtëpitë. Ëmbëlsirën e lamë për në fund, shtëpia e Etmondit ka dalë një vilë e vërtetë. Është rregulluar edhe bahçja, ka hapësirë 4 dhoma e kuzhinë, me dy banjo”, tha Veliaj. Ai shtoi se tashmë janë dëmshpërblyer 3000 familjet e para të prekura nga tërmeti i nëntorit, ndërsa theksoi se shumë shpejt do të nisë projekti i rindërtimit të shtëpive që kanë rezultuar të pabanueshme pas tërmetit të dytë.
“Për tërmetin e nëntorit ka më shumë pagesa sepse dëmi ishte më i madh. Kemi filluar me shpërndarjen e 3000 pagesave të para. Në Njësinë 8 ka nisur tërheqja e parave në postë. Nëse qytetarët na japin llogarinë bankare, derdhja do t’u bëhet në bankë. Nëse pëlqejnë ta marrin me kartë identiteti në postë, mund ta marrin cash në dorë. Në disa raste pagesa është më e madhe sesa dëmet që mund të ketë pasur në atë familje, kurse një pjesë e madhe e qytetarëve i kanë mbaruar meremetimet. Megjithatë, duke qenë se dëmi ka qenë real, edhe nëse u tepëron diçka, le t’i përdorin për shpenzime sepse jemi në këtë situatë si skemë solidariteti”, vijoi ai.
Veliaj tha se këtë javë do të dëmshpërblehen edhe 3000 familjet e dyta që u prekën nga tërmeti i nëntorit. Ai tha se pasi të gjitha familjet të marrin dëmshpërblimet e tyre, do të vijojë puna me shtëpitë e dëmtuara në zonat rurale dhe më pas, me pallatet në qytet.
“Do të vazhdojmë me 3000-shen tjetër këtë javë, e mandej me pjesën e tretë dhe të fundit. Ndërkohë, po këtë javë fillojmë me investimet në banesat individuale, fillimisht në zonën e Farkës, pastaj në Baldushk, Zall-Herr, për të mbyllur gjitha zonat rurale. Më tej, fillojmë me infrastrukturën për pallatet”, tha kryetari i Bashkisë. Veliaj bëri me dije se teksa kryeqytetasit do të vazhdojnë me pushimet e tyre, Tirana do të kthehet në një kantier ndërtimi, që kur ata të kthehen, çdo investim publik të jetë i përfunduar për të mos u prishur qetësinë qytetarëve.
Deputeti i PS, Ervin Bushati vlerësoi punën e Bashkisë së Tiranës. “Tërmeti ishte i tmerrshëm, shkatërroi shumë prona, mori jetë njerëzish. Kemi edhe një sfidë tjetër si pandemia globale, por treguam se duke qenë bashkë si shoqëri, nëse punojmë, mund t’ia dalim. Faleminderit Bashkisë që ka jo vetëm përkushtimin për të sjellë punë të tilla, por edhe vizionin për të bërë diçka për të ardhmen. Kjo është një shtëpi e së ardhmes dhe Bulevardi është Bulevardi i së ardhmes së Tiranës”, tha deputeti Bushati.
Për rindërtimin e shtëpisë, e cila u rindërtua tërësisht nga e para, kontribuoi Shoqëria “SIAN Construction” shpk., e cila iu përgjigj menjëherë apelit të kryebashkiakut Veliaj për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti.