Rivlerësimi i pasurisë, Ahmetaj: Lehtëson barrën fiskale

Kuvendi pritet t’i hapë rrugë në seancën e sotme, nismës së qeverisë që mundëson rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, ndërsa maxhoranca dhe opozita debatuan lidhur me qëllimin e projektligjit.

Ish-ministri i Financave Ridvan Bode, deputet i Partisë Demokratike, tha se kjo nismë nuk është një ‘karamele’ në vitin elektoral, por një kërbaç pasi qeveria mendon të ndryshojë skemën e taksimit mbi bazën e vlerës, çka do të rëndojë qytetarët në të ardhmen.

Por ministri Arben Ahmetaj e kundërshtoi këtë qëndrim të opozitës me argumentin se ky është një ligj i rivlerësimit të pasurive, i cili ofron një mundësi të kufizuar në kohë, për të lehtësuar një barrë të mundshme fiskale në të ardhmen për të gjithë ata që vlera e pasurive të tyre të paluajtshme ka akoma vlerën historike dhe ka nevojë të rivlerësohet në vlerën e tregut.

Ahmetaj në përgjigje të Bodes dhe debateve mbi situatën ekonomike në vend, renditi disa nga reformat dhe nismat fiskale që kanë ndikuar në përmirësimin e situatës ekonomike në vend.

“Kemi prekur me ulje drastike të paktën 80 % të familjeve shqiptare. Për herë të parë kjo qeveri nuk krijon balancë negative dhe sivjet borxhi është më i ulës se vitet e kaluara duke filluar trajektoren rënëse”, deklaroi ai.

Ahmetaj po ashtu vlerësoi qëndrimin e opozitës që sipas saj, pavarësisht qëllimit do ta votonte nismën për rivlerësimin e pasurive.

“Mbështesim çdo masë në dobi të qytetarëve e biznesit dhe për këtë arsye e kemi shprehur votën pro, por në të vërtetë kemi të bëjmë me një masë periferike në interes të një numri të limituar që nuk kalon 2 % për qytetarët, ndërsa për bizneset nuk ka asnjë interes dhe lidhet me ata qytetarë që kanë banesa për të shitur”, tha Bode.

Përgjatë kësaj periudhe, individët mund të rivlerësojnë pasuritë e paluajtshme duke paguar një tatim mbi diferencën në masën 2 për qind ndërsa bizneset në masën 3 për qind.

 

SHKARKO APP